Po të votoja në Dibër, vota ime do të ishte për Shkëlzen Qoken. Jo se kam ndonjë arsye kundër kandidatit tjetër, por vota është edhe mesazh, dhe mesazhi i votës time është ndryshimi…
***
Kisha vendosur ta kaloja këtë javë pa ndonjë “status” rreth situatës në vend, por disa qëndrime që lexoj lart e poshtë nëpër web më bëjnë ta ndryshoj mendimin.
Së pari, ishte bindja e një mikut tim socialist më të bindur se unë, i cili thoshte se zgjedhjet e 30 qershorit duhet të mbahen, pasi është një precedent i rrezikshëm jo vetëm për vendin, por për të gjithë Europën. Nesër, në një situatë hipotetike, mund t’i teket edhe opozitës gjermane që të mos marrë pjesë në zgjedhje, duke pasur parasysh rastin shqiptar (!)
Së dyti, ishte një deklaratë e deputetit të Dibrës Xhemal Gjunkshi, i cili tha se policia dhe ushtria janë vënë tërësisht në mbështetje të Partisë Socialiste për zgjedhje. Ndërsa prisja të nesërmen që këto deklarata të përgënjeshtroheshin, lexova vetëm një deklaratë të policisë që quante shpifje akuzën për shpërndarje armësh, por për akuzat e tjera për makina të ushtrisë që janë vënë në shërbim të PS-së me targa të falsifikuara, nuk thoshte askush asgjë… Madje as ministrja vetë…
Së treti, fushatat që kanë nisur në rrjetet sociale #edheune apo #unevotoj, të cilat tregojnë ekstremizimin e situatës politike e sociale në vend. Në vend të “Mirëmëngjesi”, “Mirëmbrëma” a “Përshëndetje”, e ka zënë “A do votosh”. Për kë do votosh, nuk ka më rëndësi…
Tre këto pika më bënë t’i shkruaj rreshtat më poshtë:
Në zgjedhjet e vitin 2011, në një komunë periferike të Dibrës, Partia Socialiste nuk kishte kandidat. Dhe mungesa e një kandidati socialist do t’i çonte njerëzit në votime me një emër në listë. Kjo nuk ishte e mirë as për Partinë Demokratike dhe as për Partinë Socialiste. E para do të akuzohej për “ushtrim presioni, dhunë ndaj zgjedhësve, eliminim e diskreditim të kundërshtarit, mbyllje e çdo hapësire demokratike për të majtën”, etj.; ndërsa Partia Socialiste e liderët e saj lokalë do të akuzoheshin se ishte aq të paaftë, sa nuk gjenin dot një kandidat formal… Ky lajm, për votimet me një kandidat, do të zinte edhe vend në median qendrore, si një rast i rrallë, ku megjithëse formalisht ishim në demokraci, njerëzit votonin për një kandidat… Mos harroni: atëherë Facebooku nuk ishte në modë…
Të dyja palëve ua zgjidhi sikletin vetë kandidati i PD-së. Ai e urdhëroi shoferin e tij të shkonte e të regjistrohej socialist, më pas i bleu një kostum, ia rregulloi kollaren dhe i bëri një fotografi që u përdor për posterat elektoralë. Dhe njerëzit shkuan dhe zgjodhën mes dy kandidatëve…
* * *
Duke kujtuar këtë histori 8 vite më parë, mund të them se këto zgjedhje nuk janë tona. Këto zgjedhje nuk janë të qytetarëve shqiptarë, të atyre që jetojnë me punë dhe djersën e ballit, të atyre që ngrëne qepenin çdo ditë dhe pyesin veten nëse do ia arrijnë të nxjerrin aq para sa të paguajnë detyrimet, pastaj bukën e përditshme dhe më pas ç’të jetë shkruar… Një dyqan rrobash pranë punës sime, e kam parë disa herë të hedhë sheqer në pragun e derës, “si ogur i mirë” për sa më shumë blerës…
Këto zgjedhje nuk janë tonat. Janë të atyre, ndaj duan Votime…
Këto zgjedhje tregojnë se laku po ngushtohet për hajdutët e votave tona dhe pafuqisë tonë për t’i ndaluar. Ndaj, si ata që votojnë, si ata që nuk votojnë, kanë një qëllim të përbashkët: zgjedhje të mos ketë…
Sepse, të dyja palët, si PS, ashtu edhe PD, nuk u intereson dhe as ka për t’u interesuar nëse zgjedhjet bëhen ose jo, demokratike as që bëhet fjalë, sepse nuk duan. Sepse lufta për pak “plaçkë” pushteti, ju ka errësuar sytë dhe mendjen, duke anashkaluar çdo proces demokratik, në radhë të parë brenda partisë së tyre.
* * *
Po ndalem në rastin e Dibrës.
Partia Demokratike, në vend që ta shfrytëzonte të qenit në opozitë për t’u hapur ndaj ideve të reja, të jetë më demokratike, të jetë e hapur ndaj mendimeve ndryshe brenda partisë, të ushtrojë votën e lirë dhe të fshehtë për riorganizimin e strukturave të saj, ia ka arritur me sukses të bëjë të kundërtën: të përjashtojë çdokënd brenda partisë që nuk është dakord me atë që vendos kryetari nga Tirana. Dhe e sheh sot vetën nën drejtimin e disa figurave të saj me shumë pushtet (dhe natyrisht shumë faj) në të kaluarën… Dhe e sheh veten gjithashtu, ku njëri prej figurave kryesore të saj në të kaluarën, është kandidat për Kryetar Bashkie…
Partia Socialiste, megjithëse ka përballë një opozitë të dobët e pa ide, nuk ia ka arritur të demokratizohet e fuqizohet sadopak. Figurat kryesore të saj vijnë nga e djathta ose parti të tjera të qendrës, ndërsa ata që kanë sakrifikuar për PS-në lihen mënjanë, madje edhe denigrohen. PS në Dibër nuk ka arritur dot të bëjë zgjedhje brenda saj, të zgjedhë drejtuesit e saj, por është katandisur në atë far derexheje sa çdo figurë që vjen e propozuar nga lart, e pranon me kokulje. A më thotë kush se çfarë procesi demokratik përdori Partia Socialiste për të zgjedhur kandidatin për kryetar bashkie apo kandidatët për këshillat bashkiak? Kandidati për kryetar vjen pas një përvoje pune në administratë, ndërsa shumica e kandidatëve për anëtarëve të këshillit bashkiak kanë një profil të ulët publik… Ky profil i ulët publik ndjehet në komunikimin e kandidatëve për kryetarë. Ndërsa reklamojnë me sponsorizime në facebook takimet e tyre elektorale, ndjehet menjëherë se ata as nuk e kanë lexuar ligjin për vetëqeverisjen vendore. Ata flasin e bëjnë premtime, por pa ditur kompetencat dhe fuqinë e tyre vendimmarrëse. Premtojnë kudo ujësjellës e rrugë, por askush nuk flet për buxhetin e bashkisë, fuqinë e saj ekonomike, mundësinë për rigjallërimin e ekonomisë lokale, ndihmën që mundet t’u japë pushteti lokal prodhuesve vendas etj.
Ata premtojnë të gjithë se “së bashku” do të bëjmë “ndryshimin”, por askush nuk jep shpjegime se pse ky ndryshim nuk ka ndodhur gjatë katër viteve qeverisje të socialistëve. Krenohen me “unazën e re”, por nuk janë në gjendje të thonë se ajo unazë është jashtë standardit të një unaze qyteti.
Kur marrin votën dhe vijnë në pushtet, “së bashku” kthehet në “Ne”. Dhe kur vjen puna te përgjegjësia, fajin e kanë “Ata”…
***
Pavarësisht situatës politike në vend, në Dibër është një rast i mirë për të votuar (për ata që do të shkojnë).
Kandidati i Bindjes Demokratike është në garë. Është një person, që me sa e njoh unë, ka ndërtuar një personalitet e integritet të vetin. Është një kandidat që në rrethana të tjera do të ishte një kandidat potencial për Kryetar Bashkie. Kam bindjen se nuk e ka emëruar aty as Edi Rama dhe as Lulzim Basha. Pavarësisht rrethanave, ai tashmë është një kandidat. Ata që do të shkojnë të votojnë do t’ia shohin emrin në listë. Të isha unë në Dibër, do të shkoja të votoja dhe do ta votoja Shkelzen Qoken. Do ta mbështesja kandidaturën e tij, sepse ai di se çfarë është detyra e Kryetarit të Bashkisë dhe çfarë sfidash e presin.
Ai mund të dalë i humbur nga kjo garë, por kjo nuk ka për të qenë humbja e tij. Ajo është humbja jonë, sepse nuk mundëm që përmes tij t’i jepnim një mesazh gjithë politikës majtas e djathtas se janë futur në një rrugë qorre për interesat e tyre, në një rrugë që mund t’i shpëtojë ata nga ndëshkimi, por nuk ka për të qenë e lehtë për ne, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi…
Në mbyllje, le të kthehemi te viti 2011:
Më 8 maj 2011, 448 votues të komunës së vogël periferike të Dibrës shkuan dhe zgjodhën kryetarin e tyre. Mes dy kandidaturave ata nxorën fitues me 6 vota plus “shoferin”. Kryetari në detyrë i komunës deshi ta ankimojë rezultatin, por shefat e tij të PD-së nuk e mbështetën. Jo se nuk i gjenin dot 7 vota për ta përmbysur rezultatin, por se u vinte turp që humbja u kishte ardhur nga një kandidat fiktiv…
*** Autori është botues i gazetës “Rruga e Arbërit”