Nëna me 2 fëmijë, në mes të rrugëve nga frika e ish-bashkëshortit

364

Frika nga ish-bashkëshorti, i cili vuan nga skizofrenia, por edhe mungesa e një banese ka detyruar një nënë bashkë me dy fëmijët e saj që të jetojë në një çadër të improvizuar prej plasmasi, në mes të fshatit Bërxullë.

Fiks Fare përcjell historinë e Vehbie Ketës, e cila për rreth 3 vjet jetoi në Bulqizë pas divorcit, por vështirësitë ekonomike e detyruan të largohet edhe nga familja e të vëllait dhe të rikthehet përsëri në fshatin Bërxullë të Bashkisë Vorë.

Këtë herë për të jetuar në qiell të hapur, pasi banesa ku ka jetuar dikur është shkatërruar nga ish-bashkëshorti, i cili kurohet për probleme mendore.

“Kërkova divorcin pasi burri im kishte probleme mendore. Ushtronte dhunë ndaj meje dhe të tjerëve. U detyrova të jetoj në familjen e vëllait. Vetëm ndihmën ekonomike prej 36 mijë lekësh (të vjetra) kisha të ardhura, as detyrimin ushqimor prej 50 mijë lekësh të caktuar nga gjykata nuk e kam marrë. Ish-bashkëshorti im nuk punon, por merr një pagesë invaliditeti. Tani jam rikthyer pasi nuk kam ku të qëndroj në Bulqizë. Kam disa ditë që jetoj në kushte shumë të vështira, vetëm me ato që më falin komshinjtë”, shprehet nëna e dy fëmijëve, duke kërkuar ndihmën e të gjithëve që fëmijët e mitur të mos vdesin nga i ftohti.

Ndërsa ish-vjehrra, që pranon se djali i saj ka problem mendore dhe i bëjnë gjilpëra që të qetësohet, thekson se spitali nuk e mban, ndaj për kurimin e tij kujdeset familja.

Në këto kushte, gazetarët e “Fiks Fare” u interesuan pranë njësisë administrative Bërxullë, ku mësuan nga kryetari se bashkë me stafin po bëjnë çmos për gjetjen e një zgjidhjeje për strehimin e familjes.

“Jemi në dijeni që zonja Vehbie është rikthyer në fshat dhe është vendosur në një çadër. Menjëherë jemi interesuar që të gjejmë zgjidhje për rastin e saj. Do të restaurojmë banesën ku rri ish-bashkëshorti, kjo edhe me ndihmën e banorëve të fshatit. Në një dyqan kemi vënë një kuti për mbledhjen e kontributeve edhe nga banorët e fshatit”, thotë kryetari.

Ndërsa mjeku i qendrës shëndetësore thekson se pacienti Sali Mani vuan nga skizofrenia dhe kurohet prej rreth 15 vitesh. Ai thekson se nëse mjekohet rregullisht, pacienti nuk paraqet rrezikshmëri për familjen apo banorët e tjerë.

“Problemet më të mëdha i ka pasur para disa vitesh kur edhe u divorcua. Tani është shumë më mirë, madje vjen vetë dhe interesohet se kur duhet të bëjë gjilpërat”, thotë ai.

Pas interesimit të “Fiks Fare”, por edhe gatishmërisë së njësisë administrative për ta ndihmuar, punimet për rehabilitimin e banesës ku jeton ish bashkëshorti i Vahide Ketës kanë filluar.

Ndërkohë, një banor i fshatit e ka strehuar nënën me dy fëmijët e saj në shtëpinë e tij, deri sa të përfundojë ndërtimi i banesës.