Miratimi i hartës së re gjyqësore, do krijoj Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër. Struktura e re do të nis punën nga data 1 maj 2023, duke qenë gjykata e vetme në të gjithë qarkun Dibër.
Referuar vendimit për fillimin e funksionimit të kësaj gjykate, punonjësit që ushtrojnë shërbimet gjyqësore, administrative dhe mbështetëse do të vijojnë të ushtrojë punën si më parë.
“Çështjet gjyqësore të regjistruara në gjykatat e rretheve gjyqësore Dibër dhe Mat deri në datën 30.4.2023, por që nuk kanë përfunduar sipas ligjit, transferohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.” thuhet në vendim.
Çështjet do të vijojnë të shqyrtohen nga i njëjti trup gjykues. Gjyqtari i emëruar në një pozicion të përhershëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, të cilit i suprimohet pozicioni për shkak të riorganizimit gjyqësor, transferohet në pozicion të përhershëm në strukturën e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Në vendimin e datës 29 mars 2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, thuhet se në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër do të jenë shtatë gjyqtarë. Kjo gjykatë do ti përkas kategorisë së ulët, në ndarjen e bërë prej KLGJ-së.
Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë. Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun.
Harta gjyqësore u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre, pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia. Dhoma e Avokatisë kundërshtoi me protesta dhe bojkot të seancave nga avokatët, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut ngritën shqetësimin se mbyllja e shumë gjykatave do të pengonte aksesin e qytetarëve për drejtësi.