Në kërkim për tentativë vrasje, arrestohet në Tiranë. Prangoset edhe një oficer policie në Dibër që e strehoi

1711
Foto ilustrative. Burimi: Interneti

Policia ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë. Në këtë aksion është arrestuar edhe një oficer policie i DVP Dibër, së bashku me një person tjetër. Ky i fundit teksa ishte duke paketuar lëndë narkotike.

Sipas Policisë së Shtetit, është prangosur Arbër Balliu, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim që prej vitit 2019-të. Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

“Ky shtetas, në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K” thuhet në deklaratën e Policisë.

Gjatë operacionit është vënë në pranga edhe Demiraldo Heta, oficer policie në DVP Dibër. “Ky shtetas ishte në banesë me oficerin e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shtetasin D. H, 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” thuhet në deklaratë.

Po gjatë këtij operacioni është kapur nga Policia edhe Igli Pojana. Ky i fundit u kap në banesën e dytë të personit në kërkim, duke paketuar lëndë narkotike.

“Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në informacionet se shtetasi në kërkim A. B. posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë.” thuhet në deklaratën e Policisë.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.