Në Dibër të Maqedonisë së Veriut për 5 vite, gjykata miratoi 35 martesa nën moshën 18-vjeç

240
Foto ilustruese nga Unsplash.com

Në harkun kohor të pesë viteve në Dibër të Maqedonisë së Veriut, gjykata ka miratuar leje për martesë të individëve nën moshën 18 vjeç në 35 raste. Statistikat tregojnë se 60% e këtyre martesave dominohen nga femrat minorene, një faktor që reflekton jo vetëm normat kulturore, por edhe ndikimin e emigrimit, ku shpesh burrat kthehen në vendlindje për t’u fejuar me vajza shumë më të reja në moshë.

Sipas kryetarit të Gjykatës Themelore në Dibër, Mersim Marku, gjatë periudhës 2020-2024 janë miratuar gjithsej 35 leje për martesë mes të miturve, me shpërndarjen vjetore si vijon: 9 leje në vitin 2020, 10 në vitin 2021, 7 në vitin 2022, 4 në vitin 2023 dhe 5 në vitin 2024. Shumica dërrmuese e këtyre rasteve përfshijnë vajza minorene, ndërsa procesi i miratimit është mbështetur nga dokumente të paraqitura nga institucionet shëndetësore dhe sociale, siç kërkohet nga ligji në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Markut, lejet për martesat mes të miturve janë miratuar në përputhje me kërkesat e paraqitura si nga banorët e qytetit të Dibrës, ashtu edhe nga fshatrat përreth dhe komuna rurale Qendër Zhupë. Kjo e fundit, para ndarjes territoriale të fundit, ishte pjesë e komunës së Dibrës, duke reflektuar shtrirjen e praktikës në të gjithë rajonin, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale.

Gjykata Themelore në Dibër. Foto: V. Sadiku
Juristja, Allma Mimidinoska, e cila ka studiuar martesat minorene në rajonin e Dibrës në Maqedoninë e Veriut, shprehet se fenomeni është i lidhur ngushtë me traditat e së kaluarës dhe emigrimin masiv që ka prekur zonën. “Dukuria është dominante në zonat rurale, por ka raste edhe në qytet. Mbi 60% e martesave përfshijnë vajza minorene, dhe këto martesa janë të përhapura mes të gjitha bashkësive etnike të rajonit,” tha ajo. Ajo shton se martesat e hershme shpesh rezultojnë në divorc, probleme shëndetësore dhe pasoja të tjera sociale dhe ekonomike.

Sipas Ligjit për Familjen të Maqedonisë së Veriut, kushtet për realizimin e martesës parashikojnë që gjykata kompetente mund, në procedurë jashtëkontestimore, të lejojë martesën e personit që ka mbushur 16 vjeç, vetëm nëse vërtetohet se personi ka arritur pjekuri trupore dhe shpirtërore për kryerjen e të drejtave dhe obligimeve që sjell martesa, pas marrjes paraprake të mendimit nga Shtëpitë e Shëndetit dhe ndihmës profesionale të Qendrës për Punë Sociale.

Gjatë një aktiviteti në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në vitin 2024, përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Giovanni, bëri thirrje për veprime më të fuqishme për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve, duke e cilësuar si një pasojë të rëndë të pabarazisë gjinore. Në deklaratën e saj, Di Giovanni theksoi se, pavarësisht uljes së ndjeshme të kësaj praktike të dëmshme gjatë dekadës së fundit, martesa e fëmijëve mbetet një sfidë serioze për vajzat në Maqedoninë e Veriut. Statistikat tregojnë se 8% e grave të moshës 20-24 vjeç janë martuar ose kanë bashkëjetuar para moshës 18 vjeç, ndërsa ky nivel është dukshëm më i lartë te gratë rome, ku 45% janë martuar para moshës 18 vjeç dhe 15% para moshës 15 vjeç. Sipas saj, martesa e fëmijëve privon vajzat nga fëmijëria, dëmton shëndetin e tyre dhe kufizon mundësitë ekonomike, ndërkohë që rrit rrezikun për dhunë familjare, ndërprerje të arsimimit dhe komplikacione shëndetësore në moshë të hershme.

Shoqatat joqeveritare në Dibër theksojnë se janë zbatuar projekte të shumta për rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet, veçanërisht tek të rinjtë, për të parandaluar martesat para moshës 18 vjeç. Shoqatat qytetare raportojnë një ulje të numrit të martesave mes minorenëve, krahasuar me disa dekada më parë, por kjo dukuri ende mbetet prezente. Përveç ndikimit të traditave në disa zona rurale, emigrantët gjithashtu luajnë një rol në përhapjen e kësaj praktike. Shpesh ata kthehen në vendlindje, fejohen me vajza shumë të reja dhe, për të plotësuar dokumentacionin, realizojnë martesa, madje edhe me vajza nën moshën 16 vjeç.

Edhe në Dibër të Shqipërisë, statistikat e martesave nën moshën 18 vjeç tregojnë një situatë të ngjashme. Në Dibër të Shqipërisë, nga viti 2017 deri në 2023, gjykatat kanë miratuar 19 raste martese për vajza nën moshën 18 vjeç, të gjitha bazuar në nenin 7 të Kodit të Familjes, që lejon përjashtime të veçanta. Të gjitha kërkesat për lejim të martesave janë bërë nga vajza të mitura.