Ndryshon Kodi Rrugor, masa më të ashpra për tejkalim shpejtësie, përdorim të alkoolit dhe celularit

1204
Dy makina në lëvizje me shpejtësi në "Unazën e Madhe", Tiranë. Foto: LSA

Me 94 vota “pro” Kuvendi ashpërsoi sot Kodin Rrugor. Euronews Albania sjell në formë të përmbledhur të gjitha ndryshimet e bëra.

Ndryshimet e propozuara që vitin e shkuar kur ministër i Brendshëm ishte Sandër Lleshaj, ashpërsojnë ndëshkimet për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, mosmbajtjes së rripit të sigurimit, përdorimit të celularëve dhe po kështu për rastet e përdorimit të alkoolit në drejtimin e makinës.

Për drejtuesit e makinave:

  • Gjobë 1,000-3,000 lekë nëse konstatohen pasagjerë që nuk kanë vendosur rripin.
  • Gjobë 5,000-15,000 lekë për përdorimin e celularëve apo pajisjeve që kërkojnë përdorimin e duarve gjatë drejtimit të makinës;
  • Tre muaj pezullim patente dhe heqje pikësh nëse je pikasur tre herë brenda vitit duke përdorur celularin gjatë drejtimit;
  • Përveç gjobës për parkim të gabuar, për zënie trotuari reduktohen pikë në patentë;
  • Këshillimi për shkelje regjistrohet në sistem dhe në rast përsëritjeje brenda një viti vendoset gjoba e parashikuar për shkeljen;

Për drejtuesit e motorëve:

Për ata që do të drejtojnë motorë natën, do të duhet të mbajnë me detyrim një jelek fosforeshent në të kundërtën do të gjobiten 1,000-3,000 lekë.

Për tejkalimin e shpejtësisë:

Për tejkalimet e shpejtësisë janë parashikuar ndëshkime me nënndarje të ndryshme dhe jo më me një kategorizim të përgjithshëm sikurse ishte: “gjobë 2,000-15,000 lekë dhe pezullim patente 1-3 muaj për shkelje të shpejtësisë me mbi 20 km/orë nga shpejtësia e lejuar”.

Më poshtë masat e vendosura:

  • Gjobë 1,000-3,000 lekë për tejkalim shpejtësie jo më shumë se 10 km/orë nga shpejtësia e lejuar;
  • Gjobë 2,000-4,000 lekë për tejkalim shpejtësie deri në 30 km/orë nga shpejtësia e lejuar;
  • Gjobë 5,000-15,000 lekë, tre muaj pezullim patente dhe reduktim pikësh, për tejkalim shpejtësie 30-50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe 20-40 km/orë në zonat e banuara;
  • Gjobë 10,000-20,000 lekë, 3-6 muaj pezullim patente dhe reduktim pikësh, për tejkalim me më shumë se 50 km/orë të shpejtësisë së lejuar jashtë qendrave të banuara dhe mbi 40 km/orë në zonat e banuara;

Kur tejkalimi i shpejtësisë është përsëritur gjatë një periudhe dyvjeçare atëherë pezullohet patenta për 8-14 muaj – ishte 4-12 muaj.

Drejtimi i mjeteve nën efektin e alkoolit:

Njësoj si për tejkalimet e shpejtësisë, tashmë edhe përdorimi i alkoolit do të ketë nënkategori. Tashmë do të ketë sanksione edhe për ata që do të kenë nivel alkooli të ulët megjithëse nuk janë të dehur – i dehur konsiderohet një person me nivel 0.5 gram për litër.

  • Gjobë 5,000-15,000 lekë nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli deri në 0.3 gram/litër;
  • Gjobë 10,000-20,000 lekë dhe pezullim patente nga 3-6 muaj nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli 0.3-0.5 gram/litër;
  • Gjobë 10,000-20,000 lekë dhe pezullim patente 1-2 vite nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli 0.5-0.8 gram/litër;
  • Gjobë 20,000-40,000 lekë dhe pezullim patente 1-2 vite nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli 0.8-1.5 gram/litër;
  • Gjoba shtohet deri në dy të tretat kur drejtuesit konstatohen nën e efektin e alkoolit në orarin 22:00-07:00.

Nga ndryshimet e Kodit tashmë përdoruesit e rrugës do ta kenë për detyrim që t’u sigurojnë ndihmën e nevojshme personave që përfshihen në aksidente. Ata që përfshihen në aksident ndërkohë do të duhet që të sigurojnë gjithashtu qarkullimin e makinave në mënyrë që provat apo gjurmët e vendngjarjes së aksidentit të mos cenohen.

Kategorizimi për “biçikletë” zëvendësohet me “mjet me pedale”, në të cilin përfshihen edhe monopatet elektrike. Ndërkohë policisë do t’u jepet mundësia, që përveç gjobitjes, t’u konfiskojnë çdokujt mjetin e blinduar nëse qarkullon pa autorizim përkatës nga autoritetet.