Ndryshimi i terminalit të udhëtarëve, përplas Bashkinë Dibër me kompanitë e transportit

2051
Terminali i udhëtarëve në Dibër. Foto: Sami Curri

Fadil Dufi është pensionist dhe udhëton shpesh nga Bulqiza në Peshkopi për vizita mjekësore. Këtë herë po orvatej në terminalin e ri të udhëtarëve për të gjetur një mjet transporti për në Bulqizë. Asnjë nga furgonat e linjës nuk ishte në terminal çka do ta detyronte që të kthehej sërish afro 1 km, në afërsi të qendrës së Peshkopisë për të gjetur një furgon.

Bashkia Dibër prej 1 majit të këtij viti ka vendour që terminali i udhëtarëve të zhvendoset tek ish-parku i automjeteve. Një vendim i tillë nga nxitur pakënaqësi tek operatorët e transportit të udhëtarëve që prej disa ditësh kanë protestuar.

Në shkresën drejtuar Bashkisë Dibër, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban Veri, kërkon që pozicioni i terminalit të udhëtarëve të mos ndryshohet pasi vendodhja është larg qytetit dhe nuk ju shërben qytetarëve, por gjithashtu do të shtojë edhe mjetet e palicensuara. “Kur është marrë vendimi i Këshillit Bashkiak, grupi i interesit nuk është njoftuar si operatorët por edhe qytetarët. Vendimi i Këshillit Bashkiak për këtë terminal është marrë pa një tender të hapur ku do të merrnin pjesë dhe operatorët e tjerë.” thuhet në shkresën e shoqatës.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al u shpreh se në Peshkopi nuk ka pasur një terminal udhëtarësh të miratuar dhe kishte sjellë që furgonat të niseshin në disa vende. “Linjat e tranportit paguajnë taksën e bashkisë dhe në të gjitha vendet ku shërbehet do të paguhet. Kjo gjë është fiksuar edhe me vendimin e Këshillit Bashkiak. Për qytetarët patjetër që do të kenë vështirësi, por nuk mund të nisen furgonat në çdo cep të qytetit, pasi kjo nuk është normale dhe krijon probleme edhe në trafik.” u shpreh Shehu.

Terminali i udhëtarëve në Dibër. Foto: Sami Curri

Sefedin Shkodra vjen disa herë në vit nga Durrësi në Peshkopi në ujërat termale. Ai tregon se pozicioni i ri i terminalit të udhëtarëve është shumë larg nga llixhat, çka për të do të duhet të paguaj një taksi për të shkuar deri në llixha. “Populli shkon si bagtia ku e sulmon ujku, një këtej e një andej. Ky është korrupsioni që të përfitoj një person në kurriz të tjerëve.” shprehet Sefedini.

Adnan Vranezi, administratori i subjektit që ka në pronësi terminalin shprehet për Bulqizaime.al se ai është përpjekur të krijoj kushtet optimale për udhëtarët. Vranezi tregon se kontrata me Bashkinë Dibër është për një periudhë 20-vjeçare.

Kryetari në detyrë i Bashkisë Dibër, Shkëlqim Murrja në një dalje për mediat pas protestës së kompanive të transportit tha se ndryshimi i terminalit të udhëtarëve është marrë me vendim të Këshillit Bashkiak, pasi furgonat që ndaleshin në disa vende të qytetit ishin kthyer në problem për banorët. “Ne si bashki jemi investuar për të gjetur një vendqëndrimi tjetër për terminalin e udhëtarëve, por një nga kriteret bazë për të ngritur një terminal janë kriteret e sipërfaqes, që duhet të jetë jo më pak se 10 mijë m2. Ne në qytet nuk kishim një vend tjetër qëndrimi me një sipërfaqe të tillë.” shprehet Murrja.

Drejtuesit e kompanive të transportit ndërqytetas i thanë Bulqizaime.al se qytetarët do të kenë një barrë të shtuar ekonomike, pasi do të përdorin urbanët me 30 lekë për të shkuar në terminal, por shumë shpejt edhe me rritjen e çmimit të biletës. Tarifa ditore e miratuar nga Këshilli Bashkiak Dibër për mjetet e transportit që do të futen në terminal është 150 lekë për linjat ndërqytetase dhe 100 lekë për linjat rrethqytetase.