Policia e Dibrës njoftoi të martën nisjen e procedimit penal ndaj 5 personave, pasi janë konstatuar duke ndërtuar pa leje dhe kishin punësuar punëtorë pa i regjistruar në organet përkatëse.
“U. H., V. S., H. K., F. M., V. T., të gjithë banues në Dibër, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar objekte pa leje si dhe kishin punësuar punëtorë pa i regjistruar në organet përkatëse.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i IKMT-së në qarkun e Dibrës, Lutfi Miftari, bën me dije se njësitë e qeverisjes vendore me strukturat e mbrojtjes së territorit, nuk kanë marrë asnjë masë për frenimin e ndërhyrjeve në territor, pavarsisht se janë njoftuar nga këta të fundit.
“Janë konstatuar 24 ndërtime, nga të cilat 12 janë pa leje ndërtimi, ndërsa tjerat janë në proces legalizimi. Gjate ditës së sotme janë marrë 5 masa administrative. Ky aksion do e vazhdojë pa ndërprerje deri në frenimin e plotë të ndërhyrjeve të paligjshme në territor.” thuhet në deklaratën e IKMT Dibër
Sipas Miftarit, IKMT ka konstatuar ndërhyrje, prerje dhe gërmime të paligjshme në territorin e bashkisë Bulqizë ku i ka referuar për hetime të mëtejshme në policinë vendore Dibër.
“Të gjendur përballë këtij fakti, IKMT do të kërkojë nga bashkia Dibër nxjerrjen e përgjegjësie për mos mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e paligjshme.” thuhet në reagimin e IKMT.
Shkëlqim Murrja, kryetari në detyrë i bashkisë Dibër, në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al, mohoi që strukturat vendore të mos kenë marrë masa kur janë konstatuar raste të ndërtimeve të paligjshme. “Janë evidentuar 15 raste të ndërtimeve në territorin që ne administrojmë. Nga këto raste, mos gaboj është vetëm një ndërtim që ka qenë në rregull me dokumentacionin dhe 14 raste të tjera janë mbajtur procesverbalet përkatëse dhe janë referuar në organet përkatëse ligjzbatuese” tha Murrja.
Strukturat e opozitës në Dibër, vazhdimisht kanë akuzuar drejtuesit e Policisë dhe bashkive se po lejonin ndërtimet pa leje në këmbim të votës në zgjedhjet e 25 prillit.