Moratoriumi nuk e ndal masakrën e motorsharrave në pyjet e Dibrës

Procedimet e pakta penale dhe mungesa e akteve nënligjore nuk e ka ndaluar shpyllëzimin në qarkun e Dibrës, ku ekspertët paralajmërojnë se masakra ndaj pyjeve nuk do të ndalojë pa diversifikimin e burimeve energjetike.

1367
Prerje e paligjshme e pyjeve në Selishtë, Dibër. Foto: Sami Curri

Me 7 shator 2019, Rolandi ishte ulur me dy shokë në një kafe-karburant buzë rruge në Bulqizë, kur përpara tij ndaloi një kamion i mbushur me trungje ahu të prerë në pyll. Instiktivisht ai hapi kamerën e telefonit celular dhe nisi të filmonte.

Tre shokët i bllokuan rrugën kamionit me makinën e tyre dhe u përballën me shoferin, i cili në fillim i kërcënoi, më pas shkarkoi lëndën drusore dhe u largua. I riu nga Bulqiza e denoncoi në polici shoferin dhe ai u procedua penalisht.

Sipas policisë lënda drusore ishte është prerë me motosharrë me qëllim për t’u përdorur si shtylla galerie në miniera e kromit të zonës.

Pasi u dërgua për gjykim shoferi i kamionit u dënua me 60 mijë lekë gjobë, një dënim relativisht i lehtë duke marrë parasysh se vetëm trungjet e ahut kushtojnë gati trefishin e kundravajtjes penale.

Ky vendimi është i ngjashëm me tre të tjerë të marrë gjatë vitit 2020 në Gjykatën e Dibrës, ku druvarët apo drejtuesit e mjeteve që transportojnë lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme janë ndëshkuar me gjoba që luhaten nga 60 mijë lekë deri në 80 mijë lekë.

Në vitin 2016, Shqipëria miratoi një moratorium për shfrytëzimin e pyjeve dhe ndaloi eksportin e lëndës drusore, por ky ligj nuk e ka ndaluar prerjen e paligjshme të pyjeve.

Edhe pse gjatë dy viteve të fundit në Prokurorinë e Rrethit Dibër janë regjistruar dhjetra procedime për këtë vepër penale, prokurorët kanë preferuar ti referojnë shumicën rastet të evidentuara për masa administrative – të cilat janë më të larta.

Por sipas ekspertëve këto masa administrative mbahen peng nga mungesa e akteve nënligjore dhe si rrjedhojë janë nul, duke mos e dekurajuar masakrën e motorsharrave në pyjet e zonës.

Ata theksojnë se mungesa e strategjive ekonomike për të diversifikuar burimet energjetike e bën të vështirë mbrojtjen e pyllit për shkak të kërkesës së lartë për lëndë drusore.

Kundravajtja penale më e lehtë se gjoba 

Mbulimi me pyje i humbur nga Shqipëria

Sipas të dhënave nga ‘Global Forest Watch’, një shërbim monitorimi të pyjeve me qendër në SHBA, në vitin 2010, Shqipëria kishte 538 mijë hektarë pyje që mbulonin rreth 20 për qind të territorit të saj.

Që nga miratimi i i moratoriumit në vitin 2016, në Shqipëri janë shkatërruar më shumë se 6858 hektarë pyje, pjesa më e madhe e tyre për shkak të shpyllëzimit.

Të dhënat e ‘Global Forest Watch’ tregojnë se një nga tre rajonet më të prekura nga shpyllëzimi në 20 vitet e fundit ka qenë ai i Dibrës, i cili ka humbur më shumë se 6 mijë hektarë pyll nga vitit 2001 deri në vitin 2020, nga ta cilat 598 hekatarë janë humbur pas miratimit të moratoriumit.

Të dhënat e Prokurorisë së Dibrës tregojnë se në dy vitet e fundit janë regjistruar 50 procedime penale për veprën e ‘prerjes së paligjshme të pyjeve’, por vetëm dy raste janë dërguar për gjykim në gjykatë.

Nga analiza e prokurorisë Dibër e vitit 2020, theksohet se pavarësisht se kishte shumë procedime për këtë vepër penale, prokurorët kanë zgjedhur të heqin dorë nga ndjekja penale dhe ti referojnë rastet për gjoba administrative, për shkak se masat administrative janë shumëfish më të larta se kundravajtja penale.

“Duhet theksuar se masa e dënimit me gjobë është shumëfish më e lartë për kundërvajtjen administrative – për të cilën aplikohet një gjobë prej 5 milionë lekësh në bazë të ligjit nr.5/2016 “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë” se sa për kundërvajtjen penale, ku në bazë të nenit 34 të Kodit Penal, masa e dënimit me gjobë mund të jetë nga 50 mijë deri në 3 milionë lekë”, thuhet në analizën vjetore të Prokurorisë Dibër për vitin 2020.

Edhe ligji i ri “Për pyjet”, i miratuar në prill të vitit 2020, përmban ndëshkime administrative të larta për prerjen dhe transportin e paligjshëm të materialit drusor. Por ngjashëm me moratoriumin edhe masat e parashikuara në këtë ligj nuk zbatohen për shkak të mungesës së akteve nënligjore, duke mos e ndalur aktivitetin e paligjshëm të motorsharrave në qarqet verilindore të vendit.

“Ligji 57/2020, nuk i ka kufizuar prerjet e paligjëshme dhe ende nuk po funksionon,  pasi ka akte nënligjore që nuk kanë dalë akoma,” tha bashkia Klos në një përgjigje me shkrim për BIRN.

Sipas ligjit, bashkitë, të cilat kanë tashmë nën administrim shumicën e pyjeve në vend, do të duhet të ngrenë inspektoriate të specializuara dhe një task-forcë që ndërlidh Policinë e Shtetit, inspektorët e pyjeve dhe Inspektoriatin Kombëtarë të Mbrojtjes së Territorit, por në mungesë të akteve nënligjore kjo strukturë ende nuk është krijuar.

Inspektorët vendorë pranë bashkisë Mat dhe Bulqizë i thanë BIRN se vetëm gjatë vitit 2020 kanë sekuestruar rreth 471 m2 dru, por sasia e pyjeve e prerë në mënyrë të paligjshme besohet se është shumë herë më e madhe.

Ndërkohë në bashkinë Dibër që prej hyrjes në fuqi të ligjit ‘Pë pyjet’ janë indetifikuar 22 raste të prerjeve të paligjshme deri në korrik të vitit 2021

Krizë energjetike

Të pandehurit e proceduar penalisht për veprën penale ‘prerja e paligjshme e pyjeve’ në vendimet e Gjykatës së Dibrës të analizuara nga BIRN shfaqen të penduar. Gjyqtarët ndër të tjera kanë arsyetuar se bëhej fjalë për persona të padënuar më herët dhe që nuk konsideroheshin të rrezikshëm dhe për këtë nuk mund të mbaheshin në burg.

Në një vendim të datës 30 qershor 2020, ndaj një një personi të ndaluar me një kamion me dru të njomë, gjyqtari Ardit Kuka thotë se i pandehuri ndërsa ishte shfaqur i penduar, pretendoi se kishte prerë dru i detyruar nga gjendja ekonomike.

Ai u dënua me 80 mijë lekë gjobë për dëmin e shkaktuar, por gjyqtari konstatoi se për shkak të situatës ekonomike ai nuk mund ta paguante gjobën njëherësh dhe i dha kohë një vit, ndërsa gjoba u nda në katër këste.

Inxhinier Vullnet Tafa, përgjegjës i sektorit të Pyjeve dhe Kullotave në bashkinë Dibër thotë se varfëria dhe mungesa e alternativave për të siguruar mjete për tu ngrohur shtyn shumë banorë të zonës ta shkelin ligjin.

“Shkalla e lartë e dëmtimit në pyje duhet konsideruar si krizë energjitike, që aktualisht kërkon zgjidhje,” shprehet Tafa, i cili theksoi se as ligji i ri dhe as moratoriumi nuk mund t’i japin zgjidhje përfundimtare këtij problemi.

Ai thekson se nevoja për dru zjarri, që për shumicën e banorëve të këtyre zonave është burim i vetëm energjie, krijon një situatë që nuk mund të ndalohet me ndëshkime. Inxhinieri paralajmëron se pa një zgjidhje përfundimtare të problemit të ngrohjes së popullsisë me burime të tjera alternative të energjisë, nismat ligjore nuk mund ta ndalojnë shpyllëzimin.

“Kriza në sektorin e pyjeve kërkon zgjidhje ekonomike bazuar në parimin e diversifikimit dhe përdorimit eficent të burimeve të energjisë, më shumë sesa rregullim i kuadrit ligjor apo i lidhur me keqqeverisjen dhe keqmenaxhimin e tij, fenomenet korruptive apo çështje të tjera të organizimit apo funksionimit,” përfundoi Tafa.

***TITULLI ORIGJINAL: Moratoriumi nuk e ndal masakrën e motorsharrave në pyjet shqiptare