“Prej muajsh kam probleme vaskulare, me variçet që më janë shfaqur në pjesën e poshtme të këmbëve. Shërbimi i kirurgjisë mungonte në Spitalin e Bulqizës, ashtu si edhe në Spitalin Rajonal të Dibrës, kështu që u detyrova të shkoj në Tiranë”, këto janë fjalët e Besnik Hoxhës, 53 vjeç nga Bulqiza, teksa na rrëfen problemin e tij shëndetësor.
Si Besniku ka edhe plot raste te tjera të cilët udhëtojnë për disa orë nga Dibra, Bulqiza dhe Burreli në drejtim të Tiranës për të marrë shërbim shëndetësor, pasi në spitalet e qyteteve të tyre mungojnë mjekët specialistë.
Dibra dhe Bulqiza
Spitali Rajonal “Rrahim Xhika” në Dibër është spitali më i rëndësishëm për të gjithë qarkun e Dibrës, pasi vijnë pacientë nga Maqellara, Bulqiza, Klosi dhe Burreli, por edhe nga disa fshatra të Kukësit dhe nga shqiptarët e Dibrës së Madhe.
Prej muajsh ky spital po përballet me largimin e mjekëve specialistë e në këtë mënyrë, prandaj shumë pacientë nisen drejt Tiranës për të marrë një shërbim më të specializuar mjekësor.
Drejtori i Spitalit të Dibrës, Beqir Biçi u shpreh për Citizens Channel se më problematik mbetet shërbimi Obstetrik – Gjinekologjik ku ka mbetur vetëm një mjek. Por sipas Biçit, ky spital përballet edhe me shumë mungesa të tjera, ç’ka jua bën më të vështirë punën në përballimin dhe trajtimin e rasteve që paraqiten në këtë spital.
“Mungesat e mjekëve specialistë në Spitalin e Peshkopisë nuk erdhi menjëherë, por janë të mbartura nga viti në vit, ku momentalisht jemi keq për mjek kirurgë. Para disa vitesh ishin shtatë kirurgë ndërsa sot kanë mbetur vetëm tre kirurgë, dy pensionistë që ju është shtyrë kontrata dhe një në moshë aktive. Problem kemi edhe reanimatorin, ku aktualisht është një mjek që nuk është nga Peshkopia, por vjen me kontratë dhe ne kemi nevojë për më shumë se një reanimator”, tregon Dr. Biçi për Citizens Channel.
Bajram Balliu, i specializuar në Moskë të Rusisë për obstetri-gjinekologji, prej shumë vitesh punon në Spitalin e Dibrës. Ai rrëfen për Citizens Channel se më parë në maternitetin e këtij spitali punonin katër mjekë dhe gjithçka ishte e menaxhueshme. Por duke filluar prej muajit korrik të 2017-s ai është i vetmi mjek obsteter-gjinekolog, dhe shprehet se e ka të pa mundur të përballojë fluksin e pacientëve që vijnë në këtë spital.
Kërkesat e tij për sjelljen e mjekëve të tjerë në këtë specialitet kanë rënë në vesh të shurdhët, e në këtë mënyrë në rast se nuk ndërhyhet do të largohet edhe ai sepse është e pa mundur të përballohet prej tij. Përpos mungesës së mjekëve, Balliu tregon se materniteti përballet edhe me mungesën e kushteve dhe të medikamenteve.
“Aktualisht këtu tek ne është prishur ekoja dhe ka një muaj e gjysëm që e ngre si problem në drejtori. I kam shkruajtur letër edhe ministrit, por nuk kam marrë përgjigje. Të mos i sigurosh një eko këtij spitali që i shërben një qarku është e pa falshme. Këtu pothuajse mungon çdo gjë. Këtu mungon ambuja, këtu nuk ka inkubator edhe ato që kemi, janë shumë të vjetër, nuk ka një kardiomonitor, për matjen e rrahjeve të zemrës së bebes”, deklaroi Dr. Balliu për Citizens Channel.
Mungesa e mjekëve specialistë paraqitet problematike edhe në Spitalin e Bulqizës. Ky spital prej vitesh përballet me mungesën e mjekëve specialistë, ku më kryesorja është Reparti i Kirurgjisë, pasi aksidentet në sektorin minerar janë të shumta dhe një mjek i një specialiteti të tillë është i domosdoshëm.
Aktualisht për rastet urgjente, ndihma e parë jepet nga stafi i spitalit dhe një infermiere që ka punuar prej shumë vitesh si ndihmëse kirurge dhe tani duhet të ofroj këtë shërbim për rastet urgjente. Ndërsa rastet e rënda nisen për në drejtim të Peshkopisë dhe Tiranës. Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Leonard Murra, tregon për Citizens Channel se ky spital prej vitesh ka edhe shumë mungesa të tjera në specialitete, si përshembull obsteter-gjinekologu dhe reanimatori.
“Këtu është risku më i lartë për aksidente, pasi janë shumë punëtorë që punojnë në galeri (minierë) dhe mungesa e mjekut kirurg është shumë problem. Ky problem dihet prej kohësh dhe ne e kemi ngritur disa herë si shqetësim, por nuk po gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Dr. Murra për Citizens Channel.
Përse largohen mjekët?
Kësaj pyetje mjekët në Spitalin e Dibrës dhe Bulqizës, i japin arsye të ndryshme. Shumë prej tyre shprehen se nuk është vetëm paga e mirë si një stimul për të shërbyer në rrethe, por edhe kushtet e punës dhe formimi profesional i stafit të mesëm që punojnë në këto institucione shëndetësore.
Disa prej mjekëve, pyetur nga Citizens Channel shprehen se kryejnë një numër shumë të madh vizitash në ditë dhe duhet të shërbejnë edhe si mjek për specialitete që nuk kanë formimin e duhur, ç’ka sjell një lodhje shumë të madhe për ta, duke qenë në stres të vazhdueshëm në punën që bëjnë.
Një zgjidhje e situatës do të ishte që të rinjtë nga Qarku i Dibrës, të cilët studiojnë mjekësi të kthehen dhe të punojnë në vendet e tyre të lindjes, por sa të gatshëm janë ata të bëjnë diçka të tillë?
Citizens Channel kontaktoi me dy të rinj nga Bulqiza, Eduina Kica dhe Baki Shehu, që studiojnë për mjekësi në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
“Kur përplasem e hidhëruar me gjithë peripecitë e ndërtimit të jetës këtu, me sakrificën e prindërve të mij, me pasigurinë për të ardhmen, them se nuk jam gati të shkoj në çdo cep të Shqipërisë për të dhënë kontributin tim, paçka se njerëzit në skamje të thellë e pamundësia për të patur shërbimet më minimale shëndetësore më therin në zemër. Pasionit tim i kundërvihen nevojat për një jetë më të mirë, një jetë që do të ishte shpërblimi i sakrificave për mjekësinë, lodhjes gjatë viteve të studimeve e përgjegjësisë së viteve pas tyre. Dëshirës time për të qenë e kudogjendur, aty ku ndihma ime dhe e kolegëve të mi konsiderohet vitale, i kundërvihet e ardhmja ime dhe e familjes sime, e ardhme e cila në Dibër e askund tjetër në Shqipëri nuk ka shpresë”, na rrëfen Eduina.
Ndërsa Baki Shehu, shprehet se synim ka ndjekjen e një specialiteti jashtë vendit dhe e shikon si të largët idenë për t’u kthyer në Dibër. “Mund të permend kushtet jo të mira spitalore në aspektin e bazës materiale dhe aparaturave, infrastrukturën e dobët apo edhe faktin që mungesa e mjekëve specialistë mund të ndikojë negativisht në cilësinë e punës, pasi mjekësia e ka shumë të nevojshme punën në grup dhe nëse niveli i mjekëve nuk është aty ku duhet, edhe shërbimi i ofruar ndaj pacientëve lë për të dëshiruar”, shprehet Shehu.
Mjekët e pyetur nga Citizens Channel, shprehen se në diskutimet me kolegët e tyre që kanë punuar në Dibër dhe Bulqizë apo edhe të tjerë, shprehen se një ditë mund të riktheheshin në Dibër për të punuar nëse do të ndërtohej “Rruga e Arbërit”. Distanca me Tiranën do të zvogëlohej dhe do ta kishin më të lehtë të punonin në Dibër. Por gjithashtu edhe përmisimin e kushteve të punës dhe një staf më profesional në dhënien e një shërbimi sa më të mirë ndaj pacientëve.
Autor: Sami Curri* / Citizens Channel
*Autori është themelues dhe kryeredaktor i Bulqizaime.al