ANALIZË/
*Nga Sami CURRI
Ditët e sotme mund të dëgjosh për termat koorporatë, sipërmarrje, investime, kapital, kredimarrje, kredidhënie, norma interesi, koncension…, e ku ta di unë sa e sa terma të tjerë të cilët mund të përdoren në fushën e ekonomisë. Por të flasësh për punëtorë në Shqipëri, themelin e gjithë këtyre të tjerave, thuajse shumë rrallë ta dëgjon veshi, por edhe në ato raste kur e dëgjon, nuk arrij të kuptoj se ku qëndron fakti dhe opinioni.
Unë vijë nga një qytet punëtorësh dhe do të mundohem ta shikoj realitetin e minatorëve. Të flasësh për punëtorët e Bulqizës, mua më duket personalisht si kur kthehem pas në vite, aty në vitet 1600-1700, ku çdo i pasur, i fuqishmi i zonës mbante rreth vetes edhe skllevër, kjo periudhë shquhej për lulëzimin e skllevërve.
Kur flet për minatorët e Bulqizës, imazhet e para që të krijohen janë: disa njerëz të vuajtur, pa shpresë, të humbur në një realitet mbytës mes maleve hijerënda. Është i mahnitshëm fakti që, së paku në disa raste, ministrat tanë, të kamurit, të fortët e lagjes, “mëkëmbësit” e partisë, drejtuesit, zaptuesit, kontrolluesit e kësaj pasurie kombëtare, sa papritmas dhe në mënyrë të habitshme, liberal, mirëbërës, largpamës dhe njerëzor, shfaqen disa herë në këtë zonë, në një sfond me punëtorë të veshur mirë, ku ju flasin disa gjëra që për çudi edhe ata i dinë përmendësh, a thua se ju kanë lexuar programin përpara se të vijnë aty:
- Kushte më të mira pune
- Siguracione
- Rritje page etj.
Por në rrjedhën e gjithë këtyre viteve, është vërtetuar që kanë qenë vetëm premtime politike, pra thjesht kanë ngelur në kuadrin e premtimit, por kurrsesi fakte të kryera. Më poshtë po trajtojmë disa pika, që nga dikasteret shtetërore përgjegjëse, janë trumpetuar me të madhe si suksese.
Paga
Ministria e Financave bën me dije se pagat mesatare dhe të ulta, në harkun e dy viteve janë rritur me 7.5% si rezultat i politikave të suksesshme të ndërmarrë nga qeveria. Por me minatorët e Bulqizës jemi përballë një fakti, që një ditë pune e një punëtori të thjeshtë, nuk është 2000 lekë në ditë, krahasur me një vit më parë, por nga 1500 deri në 1800 lekë. Pra nga faktet në terren del se këta minatorë, nuk e paskan shijuar rritjen e pagës me 7.5%, por ju paska ndodhur e kundërta, dhe ky është një fakt dhe jo një opinion.
Siguracionet
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, propagandon me të madhe se të ardhurat nga kontributi i sigurimeve shoqërore janë rritur me 16.9%. Por në “Republikën e Vetëshpallur Autonome të Bulqizës” ndodh e kundërta, disa lekë i merr nën dorë disa të tjera të deklaruara dhe e gjitha kjo ndodh nën hundën e shtetit, ditën për diell. Jemi në vitin 2016 dhe ne flasim akoma për fshehje të të ardhurave, mos deklarimin e tyre të plotë, punën në të zezë, që automatikisht do të reflektohet pas disa vitesh në pensionet e tyre, ky është një fakt me minatorët e Bulqizës dhe jo një opinion.
Kushtet e punës
Ministria e Energjisë dhe Industrisë, bën me dije se gjatë këtij mandati qeverisës, në Bulqizë është rritur me 80% numri i inspektimeve të kryera për rritjen e sigurisë në punë. Por jo vetëm kaq, por propagandohet se ju dha zgjidhje problemeve të trashëguara të mbivendosjeve të rrugëkalimeve në zonat minerare, por njëkohësisht edhe duke revokuar mbi 200 leje minerare për mos respektim të detyrimeve ligjore; rehabilitimin e 170 galerive të braktisura. Këto të dhëna, mua personalisht më ngjajnë si ato të komunizmit, ku asnjeri se kuptonte se nga buronte e gjithë ajo mirëqenie që na rrethonte dhe si rriteshin shifrat çdo ditë edhe më shumë.
Por mjafton t’ju kujtoj se në harkun kohor të dy viteve, në galeritë e Bulqizës kanë humbur jetën shumë persona; bilanci i vdekjeve në këtë sektor është i denjë për një bilanc lufte, të cilat kanë ardhur për faktin se në subjektet mineralnxjerrëse kanë munguar kontrollet shtetërore, ndërsa të flasësh për rehabilitim galerish, është sikur t’i thuash një pijaneci, se mbrëmë nuk ishte dehur nga rakia, por nga uji i tepërt që kishte pirë. Por për fat të keq, ky nuk është një opinion, por fakt.
Arsimi profesional
Një nga premtimet elektorale më të fuqishme dhënë “minatorëve të Bulqizës” ishte hapja e shkollës profesionale për minierën e Bulqizës. Kjo me sa duket për qeverinë është një objektiv i përmbushur pasi ka arritur që në Gjimnazin e Bulqizës, të ketë edhe një klasë për drejtimin minerar. Klasë, që për fat të keq nuk ofron dot standardin më minimal për një shkollë të tillë. Me disa çizme, kasketa dhe disa kazma, do ju mësojmë të rinjëve se çfarë është miniera, ky për fat të keq nuk është opinion, por fakt.
Mund të bëjmë show mediatik me shifra suksesi të fryera, por jemi përballë një fakti që sektori i industrisë minerare karakterizohet nga veprimtari jashtë monitorimit shtetëror, duke dëmtuar imazhin e një shteti që nuk menaxhon dot pasuritë e tij, por edhe me veprimtari të jashtëligjshme që dëmtojnë rëndë interesin publik.
Puna në minierë jashtë rregullave dhe standardeve për sigurinë në punë, duke dëmtuar shëndetin e punonjësve, si dhe duke marrë jetë njerëzish në punët e rënda nën e mbi tokë. Ky për fatin e keq është një fakt dhe jo një opinion.
Në galeritë e minierës së Bulqizës, çdo ditë punohet pa asnjë masë sigurie për të fituar bukën e gojës. Askush nuk pyet për ta, për jetët e tyre, për atë minierë ku fitohen miliona në kurriz të luftës për të mbijetuar. Punëtorët e kësaj miniere pranojnë të luajnë me rrezikun për jetën, pasi është e vetmja mundësi për të fituar bukën e gojës, kjo është një skllavëri moderne, jo e 1600-s, por e 2017 dhe ky është një FAKT dhe jo OPINION.