Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i dorëzoi të hënën, Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë një peticion me më shumë se 10,700 firma, duke kërkuar miratimin e statusit të minatorit. Statusi, i premtuar prej disa qeverive, është zvarritur prej vitesh, ndërsa minatorët pretendojnë se mosmiratimi i ka lënë ata pa mbrojtjen e nevojshme sociale.
“Prej katër javësh kemi nisur një peticion për të kërkuar miratimin e Statusit të Minatorit, profesionit më të vështirë dhe më të rrezikshëm. Deri më sot janë të miratuar rreth 20 Statuse, edhe për profesionin aspak të vështirë të deputetit, ndërsa minatorët mashtrohen dhe zvarriten prej 30 vitesh,” tha Elton Debreshi, kryetar i SMBB, para se trë dorëzoheh peticioni.
Peticioni është nënshkruar në letër, por edhe online, shtrirë në disa qytete të Shqipërisë. Statusi i minatorit do jepte trajtim preferencial nga shteti për minatorët që dalin në pension dhe familjet e tyre në rast aksidentesh në punë.
Me anë të peticioni, minatorët kërkojnë sigurimin e jetës dhe garantimin e dëmshpërblimit të familjarëve me 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendim e punës.
Gjithashtu sipas draftit, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi universitare për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.
“Nisur nga ky numër i jashtëzakonshëm nënshkrimesh në një periudhë kaq të shkurtër, është i qartë vullneti i qytetarëve për këtë çështje” shprehet Debreshi.
Në peticion kërkohet rritja e pensioneve për punonjësit e nëntokës në 35 mijë lekë. Gjithashtu, kërkohet ndryshimi i moshës së daljes në pension, duke e shkurtuar në 53 vjeç për ata që punojnë 11 vite apo më shumë nën tokë dhe për ata që kanë 10 vite punë, në 55 vjeç.
Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë afro 14 600 persona që trajtohen me pension të nëntokës dhe afro 12,200 punonjës, kontribuues në skemën e pensioneve nga nëntoka. Projekligjet e mëparshme të propozuara për statusin e minatorit janë rrëzuar nga shumica e majtë në Kuvend, me justifikimin se kjo është një barrë e madhe financiare për buxhetin e shtetit.
Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë, duke ju përgjigur një kërkese të mëparshme të BIRN për këtë çështje, deklaroi se kërkesat ishin trajtuar në ligjin “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Sipas ministrisë ligji plotëson një sërë nevojash të minatorëve. “(Ligji)U jep minatorëve 1% shtesë pensioni për cdo vit që kanë punuar në miniere nëntoke, duke veçuar këtë profesion, nga të gjithë profesionet, si një profesion i vështirë dhe u siguron minatorëve një rritje jo të vogël të pensionit, që shkon nga 6-35% të Pensionit që kanë patur.” thuhet në përgjigjen e MIE.