Dhjetra minatorë dhe aktivistë për të drejtat e punëtorëve u mblodhën të dielën në qendër të Bulqizës për të njoftuar themelimin Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, një grupim i ri që premton të përmirësojë përfaqësimin e punëtorëve në industrinë e kromit.
“Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është ngritur prej vullnetit të vetë minatorëve që iu ka ardhur shpirti në majë të hundës prej padrejtësive,” tha Elton Debreshi, i cil është zgjedhur në krye të sindikatës për një mandat 3-vjeçar.
“Pikërisht sot nis puna dhe përpjekja reale për arritje për të mirën e minatorëve, të familjeve tona dhe të gjithë qytetit,” shtoi ai, duke nënvizuar se ky organizim i ri synonte “paga më të larta, kushte më të mira pune, njohjen e vështirësisë në punë, vjetërsisë në punë, të shumëpremtuarin statusin e minatorit dhe trajtimin dinjitoz të punës dhe sakrificës së minatorit.”
Kromi është minerali më i rëndësishëm i Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike. Aktualisht ka rreth 110 kompani të licencuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit në zonën e Bulqizës, eksportet e së cilit arrijnë në rreth 100 milionë euro në vit.
Gjatë dekadës së fundit, rreth 300 minatorë kanë humbur jetën në të gjithë vendin si pasojë e aksidenteve në miniera. Por pavarësisht bilancit tragjik të viktimave, asnjë drejtues kompanie nuk është ndjekur penalisht gjatë viteve të fundit.
Sindikata u njoh ligjërisht më 15 tetor 2019 nga Gjykata e Tiranës dhe aktualisht kanë nisur anëtarësimet. Këshilli Sindikal do të jetë i përbërë nga 20 anëtarë dhe do të zbatojë vendimet e Asamblesë. Ndërsa kryetari do të jetë përfaqësues i Sindikatës dhe i vendimeve të marra nga shumica e anëtarëve.
“Kjo sindikatë është e re, jo për nga koha që është themeluar, por sepse ajo është ngritur dhe drejtohet nga punëtorët e minierës së Bulqizës – nga ata që punojnë në një punë të vështirë dhe të rrezikshme,” tha avokatja Holta Ymeri, e cili ka ndihmuar në regjistrimin e sindikatës.
“Kjo sindikatë është një mjet shumë i rëndësishëm në duart e minatorëve të Bulqizës, që të bashkuar të mund të kërkojnë kushte më të mira pune për të gjithë,” shtoi ajo.
Ndihmë për ngritjen e kësaj sindikate është dhënë nga aktivistët e Organizatës Politike në Tiranë që kanë punuar për organizimin dhe ngritjen e strukturave.
Beqir Duriçi, njëri nga anëtarët dhe themeluesit e sindikatës shprehet se grupimi i minatorëve që kanë marrë këtë nismë janë përpjekur të ndërtojmë një sindikatë të drejtë dhe demokratike.
“E rëndësishme të thuhet sot para gjithë qytetarëve të Bulqizës është fakti që ne kemi rënë dakord me njëri-tjetrin që Sindikatën e Bashkuar të Minatorëve të Bulqizës nuk do e udhëheqë as Eltoni, as Beqiri e asnjë punëtor tjetër i vetëm, por një grup i madh minatorësh të thjeshtë, të cilët duhet të mblidhen e të votojnë për të marrë vendime,” tha ai.
“Ne jemi njerëzit më të thjeshtë të këtij vendi i dimë më së miri hallet tona e të njëri-tjetrit,” përfundoi ai.