Banorët e 6 fshatrave në Njësinë Administrative Gjoricë, vuajn prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm. Në vitin 2015-të, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Bulqizë investuan afro 83 milionë lekë të reja (pa tvsh) në fazën e parë të ndërtimit të këtij ujësjellësi. Ky investim do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë për afro 8000 banorë të kësaj njësie. Por edhe pse kanë kaluar 3 vite nga investimi për shtrirjen e tubacionit kryesor, ujësjellësi nuk çon ujë në rubinetat e shtëpive. Kjo pasi faza e dytë për shtrirjen e rrjetit të shpërndarjes ka ngelur në letër. Banorët akuzojnë firmën që ka kryer punimet se ju ka dëmtuar rrugët e fshatit dhe pusetat për ujin vaditës të tokave.
“Para tre vitesh ky ujësjellës është inaguruar. Na mblodhi Shkëlqim Cani, ish – deputet i zonës dhe inaguroi ujësjellësin. Jo vetëm që nuk sollën ujë, por na bënë edhe dëme të tjera. Na shkatërruan rrugën e fshatit dhe pusetat. Këtë punë e di kryetari i bashkisë. Këtu nuk na ke ngelur se ku të ankohemi. Kemi qenë edhe tek bashkia Bulqizë dhe nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje”, u shpreh një banorë për Bulqiza TV.
Investimi për ndërtimin e këtij ujësjellësi kishin nisur që në vitin 2015-të dhe në harkun kohor të një viti duhej të kishte përfunduar së ndërtuari shtrirja e tubacionit kryesor, por që deri më sot nuk ka dhënë asnjë zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm për banorët. Vlera e investimit për fazën e parë ishte afro 83 milionë lekë të reja (pa tvsh) dhe kompania ndërtuese ishte EGLAND sh.p.k me administrator Rasim Daci.
“Zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë është kur banorëve t’ju shkoj uji në shtëpi. Shumë shpejt mendoj se do të nis edhe faza e dytë e punimeve për shpërndarjen”, do të shprehej Melaim Damzi në vitin 2016-të në inspektimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit së bashku me ish-ministrin e Financave dhe deputetin e zonës, Shkëlqim Cani.
Por edhe pse kanë kaluar afro 3 vite nga premtimi i kryetarit të bashkisë Damzi dhe ish-deputetit të zonës Shkëlqim Cani, se ujësjellësi do të ndërtohej dhe shqetësimi prej vitesh për furnizimin me ujë për banorët e Gjoricës do të merrte fund, duket se kjo ditë do të jetë e largët.
Nga Bashkia Bulqizë bëhet me dije për mediat se faza e dytë për ndërtimin e ujësjellësit të Gjoricës kap një vlerë prej afro 185 milionë lekë të reja. “Ne e kemi dërguar projektin dhe kërkesën për çeljen e fondit të kësaj faze pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, por ende nuk është bërë çelja e finacimit”, bëhet me dije nga Bashkia Bulqizë për BTV.
Fshatrat që do të furnizonte ky ujësjellës janë Tërbaç, Çerenec i sipërm, Çerenec i poshtëm, Viçisht i sipër, Viçisht i poshtëm dhe Gjoricë.
/Bulqiza ime/