Kryetari i LSI dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi sonte se Kryeministri Edi Rama dhe kryeopozitari Lulzim Basha duhet të bisedojnë për të gjetur sa më shpejt një zgjidhje për krizën politike.
Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së LSI mbrëmjen e sotme, Meta përmendi një “qeveri të besimit”, për të cilën sqaroi se jo domosdoshmërisht mund të jetë qeveri teknike, por edhe qeveria aktuale mjafton që të krijohet besimi tek policia dhe institucionet e tjera për garancinë e zgjedhjeve.
Kryetari i Parlamentit theksoi se LSI nuk ka një formulë konkrete për këtë, por u shpreh i gatshëm që ai vet, deputet e LSI dhe ministrat të japin dorëheqjen në rast se shihet e arsyeshme krijimi i një qeverie teknike.
Sa i përket koalicionit me PS, Ilir Meta deklaroi se është gati që të vazhdojë koalicionin dhe të hyjë në zgjedhje me aleatin e tyre. Por për këtë ka një kusht. Sipas Metës, kushti është që Edi Rama dhe lidershipi i PS të dialogojnë me opozitën dhe të krijojnë garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike, që në këtë mënyrë do të bëjnë të mundur pjesëmarrjen në zgjedhje të opozitës.
Në rast se opozita nuk hyn në zgjedhje, kryetari i LSI tha se kjo do të ishte një farsë politike dhe në një situatë të tillë nuk do të ketë koalicion me PS.
“Situata politike është tejet e tensionuar. Retorika politike po domoninon zhvillimet dhe kushtet politike. Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura. Vlerësojmë se Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe individuale.
LSI deklaron se vendi ka nevojë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithëpranuara nga të gjithë. Reforma zgjedhore është ende e papërmbushur.
LSI vendos të vërë në dispozicion të gjitha mandatet politike, që nga mandatet e kryetarit të Kuvendit, ministrave dhe mandateve politike.
Lidhur me çështjen e koalicionit, LSI është e hapur të afirmojë për zgjedhjet e ardhshme me PS bazuar në arritje e deritanishme. Por nëse lidershipi i PS nuk do tregojë vullnet për garantimin e zgjedhjeve të lira për opozitën që të jetë pjesë e zgjedhjeve, LSI nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë dhe e një farse të tillë”, tha Ilir Meta pas mbledhjes së Kryesisë së LSI.