Me të vjella e diarre, dhjetëra banorë të Gjoricës përfundojnë në spital

791
Foto ilustruese

Dhjetëra banorë të njësisë administrative Gjoricë në Bulqizë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e helmimit nga uji i pijshëm.

Si në Spitalin e Bulqizës, por edhe në qendrat shëndetësore, ka pasur një fluks të vizitave me shenja helmimi nga banorët e kësaj zone, kryesisht me të vjella dhe diarre. Nga analizat e kryera nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë, ka rezultuar që uji ka qenë i ndotur. Deri në daljen e analizave përfundimtare, të marra në disa pika të ujësjellësit në Gjoricë, NJVKSH ka kërkuar nga njësia administrative Gjoricë që t’ju kërkoj banorëve të mos e konsumojnë për të pirë ujin e rrjetit. Një situatë e tillë në Gjoricë dhe Shupenzë është e përsëritur, pasi ka pasur disa herë raste të helmimit të banorëve nga uji.

Banorët e 6 fshatrave në njësinë administrative Gjoricë, kishin vuajtur prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm. Në vitin 2015-të, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Bulqizë investuan afro 83 milionë lekë të reja (pa tvsh) në fazën e parë të ndërtimit të këtij ujësjellësi, kompania ndërtuese ishte EGLAND sh.p.k me administrator Rasim Daci. Në fund të vitit 2020 do të përfundonte edhe tenderimi për fazën e dytë të këtij ujësjellësi, që kishte të bënte me rrjetin shpërndarës dhe depos kryesore me një vlerë prej afro 191 milionë lekë të reja, fituar nga po e njëjta kompani. Në total, vlera e investimit për ujësjellësin e Gjoricës do të kapte një vlerë prej afro 274 milionë lekë të reja (pa tvsh), ose afro 2.4 milionë euro.

Banorë e zonës e kanë ngritur vazhdimisht si shqetësim se punimet për ujësjellësin nuk janë cilësore, ndërsa një pjesë e depozitave janë lehtësisht të aksesueshme nga personat e jashtëm dhe janë të ekspozuara ndaj ndotjes.

Deri në publikimin e këtij lajmi nga Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Dibër nuk ka pasur asnjë njoftim publik, lidhur me gjendjen e tubacionit kryesor që furnizon banorët në zonën e Gjoricës.