Mbi 86% e të rinjve shqiptarë shprehen të gatshëm për t’u larguar nga vendi

485
Foto ilustruese. Burimi: HP

Të rinjtë shqiptarë preferojnë të punojnë në kompani ndërkombëtare. Ata thonë se janë gati të largohen nëse do ju jepej një mundësi pune jashtë vendit.

Sipas një sondazhi të “Deloitte”, 86,3% nga më shumës e 1 mijë të rinj të pyetur, konfirmuan se ishin të gatshëm të zhvendoseshin në një shtet tjetër për shkak të punës.

“Një pjesë e madhe e të rinjve pjesëmarrës në vrojtim kanë plane të përcaktuara që të lëvizin jashtë për të punuar dhe 86.4% do ta konsideronin një gjë të tillë. Kjo mund të jetë një arsye pse shumë kompani të mëdha janë lloji më tërheqës i punëdhënësit (me 49.8% të përgjigjeve që i vendosin ata si zgjedhje e parë), shumë më përpara se bizneset e huaja të vogla ose mesatare (8.8%) dhe kompanitë kombëtare të mëdha (9.6%). 3.2% e të intervistuarve do të konsideronin të punuarin për një start-up, duke sugjeruar kështu se të rinjtë kërkojnë siguri në fillimin e karrierës së tyre.” thuhet në raportin e “Deloitte”.

Hapat e Parë në Tregun e Punës | Vrojtim ndërkombëtar për studentë dhe të sapo-diplomuar. Burimi: Deloitte

Pagat nuk janë i vetmi motiv. 47,4 për qind e të rinjve janë përgjigjur se mosvlerësimi i punës së tyre është komponenti kryesor, i cili do t’i orientonte ata drejt marrjes së një vendimi për të ndryshuar punëdhënës.

Largimet masive të të rinjve ka filluar të shfaqin efekte në tregun e brendshme të punës. Kompanitë ankohen se nuk gjejnë punonjës të kualifikuar, ndërsa qeveria ende nuk ka mundur të gjejë instrumente për parandalimin e hemorragjisë së ikjeve.