Mat, digjen materialet zgjedhore në KZAZ-në 16

675
Djegia e materialeve zgjedhore në KZAZ-në nr. 16 në Mat. Foto: MAT TV.

Bashkia Mat i kishte vendosur orën 09:00 si afatin e fundit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të largonte materialet zgjedhore nga KZAZ-ja nr 16 tek pallatit i Sportit “Ferit Hysa”. Pas një ‘ultimatumi’ të tillë forcat e Policisë së Shtetit morën në mbrojtje ambientet e KZAZ-së. Por mëngjesin e kësaj të mërkure, punonjës të Policisë Bashkiake Mat dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, janë përplasur me Policinë e Shtetit që kishte sjellë edhe forca speciale nga Tirana.

Përplasja ka qenë fizike, ku janë përdorur edhe shkopinj dhe sende të tjera të forta, ndërsa policia për të penguar turmën për t’u futur në ambientet e KZAZ-së nr 16 ka përdorur gazin lotsjellës. Disa persona mbetën të plagosur. Por protestuesit janë futur tek pallati i Sportit “Ferit Hysa”, ku ishin vendosur edhe materialet zgjedhore, duke i nxjerrë që aty dhe duke ju vënë flakën. Të pranishëm në këtë përplasje kanë qenë ish-deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Dibër, Dhurata Çupi, kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani dhe i Bashkisë Klos, Basir Çupa.

Më 10 qershor, Presidenti Ilir Meta tha se kreu i shtetit nuk mund të lejojë një garë farse ku mungon opozita duke anuluar dekretin për zgjedhjet. Ndërsa në seancën e 13 qershorit të Kuvendit të Shqipërisë, pas gati 6 orësh debat në sallë, mazhoranca dhe opozita e re kanë miratuar me 100 vota pro, rezolutën kundër aktit të Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e dekretit “për caktimin e datës së zgjedhjeve.”

/bulqizaime.al/

https://www.facebook.com/TvMati/videos/444013399664893/