Mat dhe Klos, vazhdon normalisht procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore

788

Autor: Sami Curri  BIRN

Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në KZAZ-të numër 16 dhe 17, përkatësisht në Mat dhe Klos, ka vazhduar normalisht ditën e sotme. Në orët e para të mëngjesit kanë qenë makinat e ushtrisë që kanë dorëzuar materialet zgjedhore në këto KZAZ, për të vazhduar më pas me procesin e shpërndarjes.

Pyetur nga BIRN, Roland Kurti që drejton KZAZ-në numër 16 në Mat bëri me dije se deri më tani, procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka përfundur në 36 qendra votimi nga 54 në total që ka kjo KZAZ.

“Procesi i shpërndarjes ka vazhduar normalisht. Nga 8 njësi, ka përfunduar shpërndarja në 7 njësi dhe deri më tani qyteti ka ngelur pa u shpërndarë materialet zgjedhore. 18 QV që akoma nuk janë shpërndarë materialet zgjedhore janë në qytet dhe prandaj janë lënë për në fund” u shpreh Kurti. Deri më tani që flasim, KZAZ-ja 16 nuk ka pasur ndonjë problem me bashkinë.

Në orët e para të mëngjesit, simpatizantë të Partisë Demokratike zhvilluan një marshim në rrugët e qytetit të Burrelit dhe më pas u zhvendosën para gjimnazit “Pjetër Budi”. Ata ju lanë pankarta policisë e cila mbronte hyrjen, duke i’u kujtuar përgjimet e dosjes 184 në Dibër. Vetëm pak metra larg tyre ishin mbledhur një grup mbështetësish nga Partia Socialiste që ishin në mbrojtje të Policisë së Shtetit.

Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në KZAZ-në numër 17 në Klos, ka vazhduar normalisht ditën e sotme. Jetmir Dedolli, drejtuesi i kësaj KZAZ-je i tha BIRN se procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka përfundur në 25 qendra votimi nga 32 në total. “Kemi vazhduar procesin normalisht dhe aktualisht jemi drejt përfundimit. Deri më tani që flasim nuk kemi pasur asnjë problem. Gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve” u shpreh Dedolli.

Në zgjedhjet për pushtetin vendorë në bashkinë Mat do të kenë të drejtën e votës 29, 542 persona. Në zgjedhja ka vetëm një kandidat, Agron Malaj nga Partia Socialiste. Ndërsa në bashkinë Klos, do të kenë të drejtën e votës 15, 594 persona. Në garë për kreun e kësaj bashkie janë Ilmi Hoxha nga Partia Socialiste dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Hoxha si kandidat i pavarur.