Sot në ora 07:00 u hapën qendrat e votimit me çka filloi raundi i dytë i zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoninë e Veriut, ku të drejtën e votës deri në ora 19:00 në mbrëmje do të mund ta shfrytëzojnë 1.353.990 persona në gjithsej 2.481 vendvotime në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Raundi i dytë i zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoni do të realizohet në 44 komuna dhe Qytetin e Shkupit, pasi në raundin e parë u zgjodhën kryetarët e 34 komunave.
Në Dibër do të përsëritet votimi për kryetar komune dhe këshill në një vendvotim, ndërsa në një vendvotim në Shuto Orizarë do të ketë rivotim për anëtarët e këshillit. Gjykata Administrative anuloi votimin në këto dy vendvotime për votimin në raundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Ndërkohë, nuk do të votohet për kryetar komune në Mavrovë-Rostushë dhe në Qendër Zhupë për shkak se nuk është plotësuar pragu ligjor për votim në rrethin e parë të zgjedhjeve për të dalë të paktën një e treta e votuesve të regjistruar.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do ta informojë Qeverinë për këto dy komuna, e më pas në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të organizohet përsëritja e votimit për kryetar komune në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Anëtarët e këshillit u zgjodhën sepse për to nuk ekziston prag ligjor.
Dje të drejtën e votës e realizuan të sëmurët dhe të pafuqishmit, personat me COVID-19 dhe personat që ndodhen në izolim.
Në mesnatën e së premtes përfundoi fushata zgjedhore në të cilën partitë dhe koalicionet kanë paraqitur ofertën e tyre para qytetarëve dhe nisi heshtja që zgjat deri në orën 19:00.
Për herë të parë në zgjedhjet lokale përdoren terminalet për identifikimin biometrik të votuesve, ndërsa zbatohen edhe masat e përgjithshme për mbrojtjen nga COVID-19.
Në ndërkohë, KSHZ-ja informoi se kanë miratuar edhe 347 akreditime për vëzhgues në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.