Nga Edlira Xhafa
17 nëntor 2019: Minatorët në Bulqizë shpallën fillesat e organizimit sindikal të udhëhequr nga vetë punëtorët – Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB). Ata që ishin pjesëmarrës në shpalljen publike të formimit të sindikatës në qendër të qytetit, shprehën zemëratë dhe mllef për kushtet e varfërisë së rëndë që kanë përjetuar, vdekjen e shokëve të tyre punëtorë në minierë, kushtet e rrezikshme të punës dhe tradhtinë nga sindikatat paraardhëse. Por pati edhe shpresë për arritjet që mund të ketë një sindikatë vërtet të pavarur dhe e drejtuar nga vetë punëtorët.
22 nëntor 2019: Kryetari i sindikatës së re (SMBB) shkarkohet nga punëdhënësi, AlbChrome, kompania më e madhe e nxjerrjes së kromit në rajon, e cila është pjesë e një korporate shumë të fuqishme e quajtur Balfin. Si kundërpërgjigje, punëtorët hidhen në grevë në shenjë proteste ndaj shkarkimit të udhëheqësit të sindikatës së tyre, duke kërkuar edhe paga më të larta dhe rishikim të normave të punës. Greva mbaroi më 5 dhjetor me një premtim nga Inspektorati i Punës se do të fillonte një hetim mbi praktikat goditëse të kompanisë ndaj sindikatës.
31 Dhjetor 2019: Numri i të pushuarve, njëkohësisht udhëheqës sindikalistë, arriti në katër. Shumë punëtorë janë kërcënuar se do ta humbasin vendin e punës së tyre nëse i bashkohen sindikatës së re, ose vazhdojnë të jenë pjesë e saj. Përveç kësaj, disa sindikalistë janë ndaluar përkohësisht, janë marrë në pyetje dhe janë frikësuar nga policia, ndërsa janë rrahur dhe arrestuar disa aktivistë të çështjeve dhe organizimit punëtor. Në mënyrë befasuese, hetimi i Inspektoratit të Punës arriti në përfundimin se kompania nuk ka kryer ndonjë shkelje ligjore gjatë pushimit nga puna të udhëheqësve sindikalë. Vendimi në fjalë është marrë si fitore si nga punëdhënësi, ashtu edhe nga sindikata e vjetër.
Nuk bëhet fjalë për Kinën. Kjo është Shqipëria, një shtet i vogël në Ballkanin Perëndimor, që rezulton të ketë një nga normat më të larta të emigrimit në botë. Në të vërtetë, në vitin 2015 shqiptarët ishin të dytët, pas sirianëve, për kërkesë azili në Gjermani. Prej tranzicionit, nga ekonomia e kontrolluar në ekonomi të tregut të lirë në fillim të viteve 1990, ende sot shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë çdo mundësi për të braktisur realitetin e tyre të varfërisë, shërbimeve të dobëta publike, papunësinë, pagat e ulëta, pasigurinë në punë, punët e paqëndrueshme dhe autoritarizmin në vendin e punës, ku punëtorët nuk kanë zë. Ndërkohë, më shumë se katër dekada që nga regjimi brutal stalinist dhe tri dekada të privatizimeve masive dhe reformave neoliberale, të cilat u zhvilluan të papenguara nga sindikatat e vjetra, e kanë lënë shoqërinë shqiptare apatike, cinike dhe pa vullnet për t’u përfshirë në çfarëdolloj forme të reagimit kolektiv.
Një hap më pranë sindikalizmit të pavarur
Pavarësisht këtij realiteti të hidhur, viti 2019 shënoi një përparim historik për lëvizjen punëtore në Shqipëri, me formimin e sindikatave te pavarura dhe demokratike të call center-it, universitetit dhe minatorëve. Shfaqja e këtyre sindikatave nuk është aspak spontane. Është dashur punë e madhe dhe konsistente nga një grup (të rinjsh) aktivistësh për çështjet punëtore, të cilët gjithashtu, kanë qenë shumë të përfshirë në organizimin e protestave kundër tarifave të studimit të cilat shkundën Shqipërinë në dhjetor 2018/janar 2019.
Formimi i SMBB-së, sindikatës së re të minatorëve, paraqet një zhvillim të jashtëzakonshëm sa i përket lëvizjeve punëtore në Shqipëri. Ky është rasti ku punëtorët po ngrihen kundër personit më të pasur në Shqipëri, miliarderit Samir Mane. Nuk është për t’u habitur që sindikata e minatorëve është pritur me shtypje ekstreme dhe sulme nga një aleancë pazaresh midis punëdhënësit, institucioneve shtetërore, policisë dhe mediave, të cilat e kanë shoqëruar me një heshtje varri organizimin dhe luftën e ndershme të minatorëve.
Sulmet më të egra, megjithatë, kanë ardhur nga sindikata e vjetër, e cila pretendon të ketë një marrëveshje kolektive me punëdhënësin. Kjo marrëveshje – e cila sipas vetë sindikatës së vjetër skadon në janar të vitit 2020, nuk është e arritshme – madje nuk e ka lexuar asnjë punëtor. SMBB-ja ka kërkuar një kopje të marrëveshjes kolektive nga kompania, sindikata e vjetër dhe institucionet përkatëse shtetërore, por pa rezulat. Asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur kërkesës. Inspektorati Shtetëror i Punës është shprehur se ata nuk kanë dije për një marrëveshje të tillë. Ndërsa Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ndërhyri për të kërkuar nga ministria përkatëse të vinte në dispozicion një kopje të marrëveshjes kolektive, ministria u përgjigj se ata nuk dispononin asnjë kopje të marrëveshjes kolektive. Ndërkohë, punëdhënësi nuk pranon t’i përgjigjet kërkesës së SMBB-së për të negociuar një marrëveshje të drejtë kolektive me sindikatën legjitime.
Sindikata e vjetër u mban ison pronarëve
Duke mos pasur legjitimitet midis punëtorëve, sindikata e vjetër ka bashkuar forcat me punëdhënësin për të shkatërruar sindikatën e pavarur, demokratike dhe legjitime të minatorëve. Ngjashëm me rolin e sindikatave nën regjimin stalinist, sindikata e vjetër ka vepruar si shtojcë e makinës propaganduese të punëdhënësit, duke u mburrur për investimet e kompanisë në minierë. Kërkesave të punëtorëve për paga më të larta, sindikata e vjetër u është përgjigjur duke u bërë jehonë argumenteve të pronarëve mbi rënien e çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare dhe duke e portretizuar organizimin e ri sindikal si një strategji të konkurrentëve për të falimentuar kompaninë.
Sindikata e vjetër, njësoj si pronarët, ka këmbëngulur se punëtorët manipulohen nga aktivistët e çështjeve dhe organizimit punëtor. Qartazi si sindikata e vjetër, ashtu edhe punëdhënësi kanë nënvlerësuar aftësinë e punëtorëve për të kuptuar pse Bulqiza mbetet një nga qytetet më të varfra në Shqipëri, megjithëse eksportet e kromit nga kjo zonë sjellin të ardhura vjetore prej më shumë se 100 milionë Euro. Ata janë të verbër edhe përballë zhgënjimit të thellë të punëtorëve në lidhje me pagat e ulëta dhe kushtet e rrezikshme të punës, që kanë sjellë edhe vdekje mes minatorëve. Përgjegjësia e vdekjeve të tyre shkon mbi sindikatën e vjetër dhe pronarët e minierës, ndonëse nuk duan të kuptojnë se punëtorët më në fund kanë vendosur të ndërtojnë një sindikatë të mirëfilltë dhe, mbi të gjitha të aftë për të përfaqësuar interesat e tyre.
Përpjekja dhe lufta e minatorëve në Bulqizë – për të ushtruar të drejtat themelore të punëtorëve mbi lirinë e organizimit dhe kontratës kolektive – vazhdon. Në anën tjetër po përshkallëzohen dita-ditës shtypja dhe sulmet kundër sindikatës demokratike dhe të pavarur.
– Edlira Xhafa, aktiviste e çështjes punëtore për më shumë se 20 vjet. Aktualisht koordinatore e Akademisë Online të Universitetit Global të Punës.
(Shkrimi në origjinal është shkruar në anglisht për shumë sindikalistë të interesuar nga bota. E përktheu Liri Kuçi.)