Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare të vitit 2020 përjashtimin nga taksa e rentës minerare për të gjithë grupet e mineraleve metalorë: kromi, bakri, nikeli, zinku etj. për 3 vjet. Sipas qeverisë, kjo nismë do t’i vijë në ndihmë industrisë minerare në vend e cila është prekur nga efektet e pandemisë Covid-19.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës reagoi duke thënë se ligji për heqjen e rentës minerare në fakt nuk është për të ndihmuar industrinë.
“Ndryshe nga sa e kanë propaganduar, ky nuk është një ligj në ndihmë të sektorit minerar në krizë. Ligji nuk ndihmon të gjitha kompanitë e sektorit, aq më pak qindra minatorët e lënë pa punë dhe pa paga prej muajsh. Heqja e rentës minerare është bërë specifikisht për kompanitë e Samir Manes, për të cilin janë bërë sa e sa ligje të posaçme vitet e fundit”.
Në 13 janar, Presidenti Meta e ktheu ligjin për rishqyrtim.
“Konstatohet se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare”, thoshte në argumentin e saj Presidenca.
Megjithatë qeveria e miratoi ligjin edhe pas kthimit të Presidentit.
Prodhimi i brendshëm i kromit arriti në një total prej 1.3 milion tonë në 2017, dhe 1.2 milion ton në 2018. Pjesa më e madhe e kromit u prodhua në Bulqizë. Eksportet e xeherorit të kromit në vitin 2017 ishin rreth 460’000 tonë me vlerë 10.5 miliardë lekë. Në vitin 2018, u eksportuan 334’000 tonë krom, vlerësuar në 5.7 miliardë lekë.
Dëmi ekonomik që sjell ligji
Sipas relacionit shpjegues të ligjit që miratoi Kuvendi, lehtësirat fiskale për një periudhë 3-vjeçare do të kenë një efekt negativ prej afërsisht 500 milionë lekësh në buxhetin e shtetit. Domethënë rreth 4,5 milionë Euro më pak në pushtetin qendror dhe kuptohet se disa herë më shumë në buxhetin vendor ku shtrihen minierat e vendit.
Çdo person i cili është i liçencuar dhe vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale duhet të paguajë qira për burimet natyrore të nxjerra nga, mbi dhe nën tokën e Republikës së Shqipërisë. Në rastin e eksportit të produkteve minerale, qiraja paguhet në kohën kur bëhet deklarata e eksportit dhe 5 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalon pushtetit lokal ku kryhet aktiviteti.
Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht më shumë se 7,000 punonjës janë të angazhuar në këtë industri, ndërsa mundësitë janë për një numër shumë më të lartë.
Eksportet e mineraleve dhe produkteve minerale përfaqësojnë një mundësi të konsiderueshme ekonomike për Shqipërinë.
Në vitin 2019 në të gjithë territorin e Shqipërisë kishte 571 leje aktive të shfrytëzimit të minierave, 301 prej tyre ishin leje për shfrytëzimin e mineraleve metalike, ndërsa 270 leje ishin për shfrytëzimin e mineraleve jometale dhe materialeve të ndërtimit.
Në Shqipëri janë 40 bashki që përfitojnë nga renta. Pesë bashkitë me përfitimin më të madh janë Patosi, Roskoveci, Lushnja, Fieri dhe Bulqiza.
Trendi i transferimeve lokale të rentës minerare të kryera në vitet 2015 – 2018 ka qenë:
- 2015-165 milionë lekë
- 2016-148 mln lekë
- 2017-148 mln lekë
- 2018-187 mln lekë
Bashkia e Bulqizës do të jetë më e ndikuara nga zerimi i rentës, pasi është në krye të listës për prodhimin e mineraleve metalore, konkretisht kromit.
Sipas të dhënave zyrtare në tabelën e mësipërme, Bashkia Bulqizë, që është një nga bashkitë më të varfra në vend sa i takon standartit të jetesës ka përfitur në vitin 2017 rreth 23 milionë lekë të reja nga renta.
Albchrome shpk që operon në minierat në Bulqizë është kompania më e madhe industriale dhe punëdhënësi më i madh në sektorin e kromit në Shqipëri. Albchrome ka një kontratë koncesionare me Qeverinë e Shqipërisë që nga viti 2001, për nxjerrjen dhe përpunimin e xeherorit të kromit dhe ferrokromit. Aktivitetet e Kompanisë përfshijnë miniera mineralesh kromi në Bulqizë, fabrika ferrokromi në Elbasan dhe Burrel, një fabrikë pasurimi kromi në Klos dhe elementë të tjerë të infrastrukturës minerare dhe metalurgjike.
Megjithatë sipas Open Corporates, nga viti 2018 Albchrome ka raportuar fitim në ulje dhe në vitin 2019 ka raportuar humbje.
Monitorimi, ligji nxorri në pah padrejtësitë në kurriz të bashkive
Sipas raporteve të fundit vjetore të EITI-t (Nisma për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse), është vërejtur që renta minerare nuk është shpërndarë e plotë bashkive përkatëse. 5 për qind e rentës në total në nivel kombëtar nuk është marrë nga bashkitë në përgjithësi për shkak të mos rakordimit të informacioneve nga të gjitha burimet e mundshme.
Renta minerare duke u alokuar brenda buxhetit të bashkive si pjesë e taksave vendore pa u veçuar dhe kushtëzuar, shkrihet dhe nuk mund të identifikohet së ku është investuar. Sipas një monitorimi nga Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim, renta minerare 5% nuk është e mjaftueshme në raport me dëmet që komuniteti ka nga shfrytëzimi i burimeve natyrore.
Anila Hajnaj, nga Rrjeti I Shoqëerisë civile AlbnetEITI në një intervistë tha se po të shohim popullsinë që jeton në zonat ku zhfrytëzohen burimet natyrore, përfitimet janë shumë të vogla, madje shpesh të parëndësishme.
“Në vitin 2010 kur si vend kandidat po plotësonim të gjitha kriteret për anëtarësinë në EITI u vendos nga Këshilli i Ministrave që 25% e të ardhurave nga renta minerare ti kalonte pushtetit lokal ku kryhet aktiviteti. Në vitin 2014 kjo përqindje u ul nga 25% në 5%”, tha Hajnaj.
Në monitorimin e saj të rentës në pesë bashki, Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim (QSHZHI/ACDI), anëtare e rrjetit të organizatave për transparencë të burimeve natyrore, ka gjetur problematika të shumta si në kuadrin ligjor ashtu dhe në zbatimin e proceduarve të rialokimit të rentës.
Renta minerare 5 për qind që ju takon me ligj nuk përfitohet plotësisht nga bashkitë; procedurat janë të komplikuara ku përfshihen katër institucione të cilët kërkojnë një koordinim shumë të kujdeshëm si dhe janë të tejzgjatura gjithashtu edhe procedurat e transferimit të parave nga thesari tek llogarite e bashkive përkatëse. QSHZHI ka kërkuar që përqindja e rentës të rritet deri në 50% por mos të zbresë nivelin që ka patur më parë 25%.
Konsultimi i pjesshëm publik i ligjit dhe një amendament “nga brenda” që u hodh poshtë
Raporti i datës 4 dhjetor i Komisionit të Veprimtarive Prodhues, Tregtisë dhe Mjedisit thotë se referuar dokumenteve shoqëruese të projektligjit, rezulton se projektligji është hartuar me propozimin e Shoqatës së Minierave të Shqipërisë dhe Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ndërkohë që nuk rezulton të jetë kryer një proces konsultimi me grupe interesi.
Vetë ligjvënësit shqiptarë pohojnë se në mbledhjen e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nuk ka pasur përfaqësues të shoqërisë civile apo të grupeve të interesit gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit.
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë pyeti dy zyrtarë të Bashkisë Bulqizë nëse ishin pyetur apo konsultuar për ligjin e zerimit të rentës por nuk mori një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Deputeti socialist Vullnet Sinaj i bëri një amendament ligjit për zerimin e taksave përmes të cilit propozohej një ndryshim konkretisht rritja në masën 25 për qind të të ardhurave nga renta minerare që kalojnë në favor të pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria.
Deputeti Sinaj e argumentoi amendamentin duke marrë shembullin e Bashkisë Selenicë, ku edhe pse një zonë e pasur me minerale, për gjashtë vite, nga 2015-2020 kjo bashki ka përfituar si rentë vetëm 9,1 milionë lekë. Argumentimi i tij vazhdon se për vite me radhë kjo zonë i ka dhënë shtetit të ardhura nga shfrytëzimi i mineraleve por nga ana tjetër kanë munguar totalisht investimet në infrastrukturë, ujësjellësa, kanale vaditëse dhe të ujërave të zeza etj.
Megjithatë ky amendament nuk u mor parasysh dhe u hodh poshtë.
Ligji sipas ekspertëve të ekonomisë dhe të pushtetit vendor, a është me porosi?
Agron Haxhimali, ekspert i politikave vendore, njëkohësisht drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive thotë se shifrat për rentën flasin shumë. Ai thotë se nuk ka bashkëpunim dhe koordinim të mirë mes instrucioneve, bashkive dhe kompanive, dhe shume bashki ankohen se nuk e marrin cfarë ju takon. Nëse bashkitë marrin cfarë ju takon, sipas Haxhimalit kjo përbën një të ardhur të mirë për investime.
“Sipas të dhënave nga Minsitria e Financave, renta totale e transferuar në bashki ka qenë 147 milionë lek për vitin 2017 dhe 187 milionë lek për vitin 2018. Por Renta minerare e transferueshme (5%) ka qenë respktivisht 195 milionë dhe 194 milionë lek. Kjo diferencë tregon që ka mungesë rakordimi dhe koordinimi, dhe bashkite s’janë në gjendje të bëjnë gjurmim se sa pjesë ju takon realisht”.
Haxhimali shkon më tej teksa propozon që renta të jetë më e lartë se 5%.
“Ky nivel duhet me patjetër të rritet në favor të bashkive. Po kështu eleminimi i burokracive dhe krijmi i një sistemi të aksesueshëm lehtë nga bashkitë dhe institucionet e tjerë, është e domosdoshme dhe rrit transparencen e munguar. Por nëse shkojmë te vendimi i fundit i qeverisë, sigurisht që në kohë pandemie masa dhe politika fiskale që nuk rëndojnë ekonominë kombëtare kanë kuptim. Për mua rëndësi ka që të ardhurat e munguara nëpër bashki që preken nga ndryshimet ligjore të fundit mbi rentën të kompensohen nga qeveria sic dhe ligji i detyron.”
Sipas Zef Preçit, ekspert i ekonomisë, njëherësh drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkime Shkencore, ky amendim ligjor, qoftë edhe vetëm në periudhën 3 vjeçare, krijon efekteve negative për pushtetin vendor.
“Është ndërmarre pa kurrfare transparence dhe argumentimi ekonomik, duke cënuar buxhetin e shtetit dhe mundësitë financiare të bashkive në rajonet ku ndodhen minierat në fjalë”.
Preçi shkon më tej teksa thotë se ky është një ligj që favorizon lobe të caktuara.
“Është një shqetesim publik në rritje që sidomos gjatë dekadës së fundit, një numër aktesh ligjore të ndërmarra nga qeveria, Kuvendi apo deputetë të veçantë, janë ndërmarrë nën ndikimin e interesave, lobeve të caktuara të biznesit duke demtuar interesin publik, ne rastin konkret buxhetin e shtetit, aq më tepër që sipas vleresimeve të FMN-së për vitin 2021 pritet rritja e indeksit të çmimit të metaleve bazë. Ky akt është një favorizim klientelist ndaj sipërmarrjeve të caktuara, që madje, vendim-marrje të tilla janë lehtësisht të dyshueshme për interesa korruptive edhe te propozuesve te tyre.”