Burgjet nëpër të gjithë Kosovën, deri së voni kanë poseduar literaturë problematike dhe jo mjaftueshëm të njohur islame, e cila nuk ka reflektuar islamin tradicional që shekuj me radhë është praktikuar në Kosovë. Madje, një numër i imamëve ka mbajtur ligjërata nëpër burgje, pa dijeninë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo tashmë është ndërprerë, thonë përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Disa dhjetëra njerëz në Kosovë janë duke vuajtur dënimin për terrorizëm. Institucionet e Kosovës dhe Bashkësia e Islame e Kosovës kanë nisur një bashkëpunimin për të penguar përhapjen e radikalizmit në burgje.
Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës thonë se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera.
Gjatë vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 10 aktgjykime ka dënuar 31 persona për terrorizëm, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarët e kësaj gjykate. Vetëm në muajin janar të këtij viti, janë dënuar edhe 7 persona me 18 vjet e gjysmë burg.
Dënime të tilla ka pasur edhe në komunat tjera, ndërkaq që ndër të dënuarit ka pasur edhe imamë. Në Ferizaj, në vitin 2016, është dënuar me 10 vjet burg ish-imami Zeqirja Qazimi, bashkë me të cilin edhe 6 persona tjerë me gjithsej 32 vjet burgim.
Në bazë të ligjit në fuqi, ai që organizon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja, mbledhjen e fondeve për konfliktet e huaja dhe pjesëmarrjen në to, ose që bën thirrje për pjesëmarrje të tillë, mund të dënohet me burg nga 5 deri në 15 vjet.
Ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka theksuar se tashmë në burgje janë identifikuar personat e radikalizuar dhe se ata po mbikëqyren.
“Ne e kemi sfidën që jo vetëm të burgosurit që i kemi burgosur dhe i kemi dënuar, për veprën penale të terrorizmit, janë të radikalizuar, por kemi edhe të burgosur, të cilët për shkak të veprave të tjera të ndryshme penale kanë dënime afatgjata dhe kemi vërejtur një radikalizim të tyre”, ka theksuar ministrja Hoxha në Konferencën për angazhimin e shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Edhe ekipi i ICITAP-it amerikan ( Programi ndërkombëtar për ndihmë dhe stërvitje ndaj kriminalitetit), po punon për analizimin e gjendjes aktuale në burgje, pas së cilës do t’i bëj rekomandimet dhe strategjinë.
Në procesin e deradikalizimit në burgje është përfshirë edhe Bashkësia Islame e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.
Fatmir Ilazi, ndihmës i imamit kryesor të Kosovës, Sabri Bajgora, në bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e Drejtësisë, kanë kryer kontrollin e literaturës në nëntë burgje në Kosovë, për shkak të dyshimeve të Shërbimit korrektues se në burgje është i pranishëm radikalizmi nga ana e personave të burgosur për shkak të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Sipas tij, delegacionin e Bashkësisë Islame e ka udhëhequr krye-imami Sabri Bajgora. Siç thotë Ilazi, janë hasur libra problematike mbi islamin, të cilat më parë ishin tërhequr nga bibliotekat e burgjeve.
“Librat që i kemi gjetur atje, kemi parë që edhe ata vet nuk e kanë ditur saktësisht prejardhjen e atyre librave, se si kanë përfunduar ato libra nëpër burgje. Kemi hasur në libra, të cilat kanë qenë pa autor fare, kemi hasur në libra të përkthyer në gjuhën shqipe nga gjuhët e ndryshme të botës, sidomos nga gjuha arabe, me grup autorësh. Do të thotë nuk kanë pasur emër. Kemi pasur përkthime që përsëri nuk kanë pasur emër, por që përkthyes ka qenë një ‘ofiq’ i një personi të caktuar që nuk njihet, për shembull ‘Ebu Haris’, ‘Babai i Harisit” në gjuhën shqipe. Do të thotë, nuk ka pasur emra, nuk dihen shtëpitë botuese se kush janë dhe nuk dihet mënyra se si kanë përfunduar ato libra nëpër burgje”.
“Në pyetjen tonë se si kanë ardhur ato, dikush ka thënë se i kanë sjellë familjarët, dikush ka thënë se i ka sjellë ndonjë organizatë, ndonjë shoqatë, prej shoqatave që tashmë janë mbyllur nga shteti jonë, nga qeveria. Kemi parë që ajo literaturë nuk është adekuate për të qenë prezente në qendrat korrektuese dhe në të njëjtën kohë i kemi furnizuar me librat tonë, librat e Bashkësisë Islame, të cilat e shpjegojnë islamin tradicional që është sot e 600 vjet në Kosovë. Do të thotë, janë libra janë libra me autorë tanë, që dihen, autorë shqiptarë, dijetarë eminentë të Kosovës të lëmit islam, si dhe përkthime të cilat i kemi botuar ne”, thotë Ilazi.
Pas kontrollimit të librave, burgjet janë furnizuar me tituj të ri të shtëpisë botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ilazi thekson se papunësia, varfëria situata e rëndë ekonomike, botimi i pakontrolluar i librave, si dhe qasja ndaj përmbajtjeve të ndryshme në rrjetet sociale, kanë ndikuar te individët që ta ndryshojnë drejtimin dhe të devijojnë nga islami tradicional.
Siç thekson Ilazi, kjo praktikë ka ekzistuar, por pa dijeninë e Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Në shumë prej qendrave korrektuese kemi gjetur që ka pasur imam që kanë prezantuar atje dhe që përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë jo të drejtë ndoshta. E ka propozuar dikush prej shërbimit korrektues atje ose e kanë kërkuar vetë të burgosurit një person dhe këta e kanë dërguar për ligjërata. Kështu që marrëveshja është që të gjithë ata të pushojnë së kryeri veprimtarinë e tyre nëpër burgje dhe në marrëveshje me Bashkësinë Islame të dërgojmë njerëzit, përzgjedhjen e të cilëve e bën vetë Bashkësia Islame e Kosovës, gjithmonë në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Drejtorinë e Institucionit të qendrave korrektuese të Kosovës”.
“Nuk mund të themi se ka qenë problematikë, mirëpo përderisa nuk janë të deleguar prej anës tonë, nuk e kemi parë të arsyeshme që ata të shkojnë kokë më vete, apo të zgjidhen prej dikujt tjetër, përderisa ne i njohim më mirë se kush mund të kontribuojë më tepër dhe e njohim përgatitjen profesionale të secilit prej tyre. Vetëm përzgjedhja ka qenë në mënyrë private, të themi, dhe ne kemi kërkuar që ajo të jetë legjitime, të jetë nëpërmjet institucionit të Bashkësisë Islame”, thekson Ilazi.
Por, në Kosovë nuk është se nuk ka pasur imamë problematikë.
Radvan Haqifi, ish-imam nga Gjilani, ka qenë, siç thuhej, udhëheqës i luftëtarëve shqiptarë në kuadër të grupit militant Shteti Islamik. Mediet kanë transmetuar se ai së voni është vrarë në Siri.
Një nga ta është Zeqirja Qazimi nga Ferizaj, i dënuar me 10 vjet burg, ndërkaq ka qenë i akuzuar se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare të imamit, duke shpërndarë publikisht urrejtje, mosdurim ndërmjet grupeve të ndryshme racore, etnike dhe fetare. Në një video të publikuar në Youtube, në vitin 2013, kishte thënë se “gjaku i të pafeve është pija më e mirë për ne”.
Prokuroria Speciale ka ngritur edhe aktakuza kundër disa imamëve në Kosovë.
Aktakuzë, së fundmi, është ngritur edhe ndaj Shefqet Krasniqit, imam i xhamisë së madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, i cili ndër të tjera, dyshohet se ka nxitur kryerjen e veprave terroriste dhe nxitjen e urrejtjes nacionale, racore, fetare dhe përçarjes etike në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2014.
Kosova numëron rreth 800 xhami dhe rreth 2 mijë të punësuar në Bashkësinë Islame.
Ilazi thekson se të gjithë ata janë nën kontrollin e Bashkësisë Islame, me përjashtim të vogël të disa rasteve. Siç është xhamia në dragash, gjegjësisht bëhet fjalë për një objekt të improvizuar që funksionon në mënyrë jolegjitime, si dhe xhamia në Qyshk afër Pejës, ku imami e ka emëruar vetveten. Për këto objekte janë njoftuar organet e sigurisë, theksoi Ilazi.
Sa i përket aktakuzës ndaj imamit të xhamisë në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, Ilazi ka thënë se Prokuroria Speciale më herët ka kërkuar nga Bashkësia Islame sqarim për dy ligjërata të Krasniqit, në mënyrë që të vërehet nëse ekzistojnë elemente që bëjnë thirrje për mosdurim dhe urrejtje racore e fetare.
“Në ato dy CD, ato dy incizime që i kanë sjellë dhe në transkriptimin e tyre, un personalisht – nuk po flas në emër të Bashkësisë Islame, por po flas në emër timin – nuk kam hasur në diçka që personi në fjalë e nxitë rininë për të shkuar në vendet e konfliktit, në Siri, Irak dhe të tjera. Por, ashtu siç ka qenë edhe përshkrimi i shkresës që i është kthyer Prokurorisë përgjigja, ka pasur vërejtje vetëm në gjuhën, ndoshta pak të vrazhdë, shpjegimin ndoshta joadekuat që nuk përkon me atë mënyrën tradicionale të shpjegimit të fesë prej imamëve tanë. Por, sa i përket thirrjes për terrorizëm, ato nuk qëndrojnë asnjëherë. Edhe për ne ose përsëri po them, personalisht për mua, çdo person, çdo imam është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta prej organeve të drejtësisë. Dhe, i përkrahi plotësisht derisa mos të dalë diçka e kundërt”, thotë Ilazi.
Lidhur me atë se duhet të ndërpriten tentimet për radikalizim në burgje, ka qenë i qartë edhe ministri i Punëve të brendshme Skënder Hyseni.
Por, Skënder Perteshi, analist në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, kohë më parë pati thënë për Radion Evropa e Lirë se përhapja e kësaj ideologjie në burgjet e Kosovës, mund të ndodhë lehtësisht.
“Vetë ideja për të ashtuquajturin Shtet Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL) ka buruar pikërisht në burgje dhe liderët kryesorë që e kanë përhapur ISIL-in kanë qenë të burgosur në burgje amerikane ose kanë qenë nëpër burgjet në Egjipt, Irak, Afganistan dhe vendet tjera. Mundësitë për përhapjen e ekstremizmit ekzistojnë për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike dhe shpirtërore”, theksoi Perteshi.
David Phillips, drejtor i programit për ndërtimin e paqes në Institutin për studimin e të drejtave të njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju Jork, në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se burgjet nuk janë zgjidhje për ekstremizmin e dhunshëm, sepse në to krijohen “universitetet” për militantët.
“Burgjet janë problematike, sepse në burgje njerëzit krijojnë kontakte me ekstremistët e dhunshëm. Burgjet në këtë mënyrë shndërrohen në një lloj universiteti për militantët. Këtë e kemi parë në Guatemalë, në Kubë, në qendrat ndëshkuese në Irak dhe në Afganistan. Kështu që, mbyllja nuk është përgjigje për këtë. Ajo që nevojitet është që njerëzve t’u ofrohet shpresa, e ardhmja, shkathtësitë dhe mundësitë ekonomike, në mënyrë që ta kenë ndjenjën se mund të bëjnë diçka me jetën e tyre, përveç asaj që t’i kthehen ekstremizmit fetar”, ka thënë Phillips.
Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se rreth 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Afërt, në mesin e të cilëve janë 44 gra dhe 27 fëmijë. Besohet se në zonat e luftës ende gjenden 140 persona, ndërkaq që në Kosovë janë kthyer 117 prej tyre. Proceset gjyqësore ndaj disa prej tyre janë në zhvillim e sipër, ndërkaq që janë shqiptuar disa vendime gjyqësore.(REL)