Le ta quaj: 36 orë në Bulqizë

1401

Nga Martin Cukalla

1.
Ylli Pepo është në përfundim të një filmi.
Historia e Bulqizës dhe historiku i nxjerrjes së kromit aty, natyra me ashpërsitë dhe bukuritë e veta, njerëzit që punuan dhe ata që përpiqen të afrojnë vatanin e tyre në planet moderne të jetës! Aspekte, natyrisht aspekte njerëzore e pamje të veçanta nga ajo madhështi që përmblidhet në një emër të veçantë për mua: Bulqiza! Ky është thelbi i filmit të Ylli Pepo-s me skenar të gazetares së mirënjohur, Zana Zyrakja, autore e qindra emisioneve në “Radio Tirana” dhe dhjetëra filmave dokmentarë e artistikë në “Televizinin Shqiptar”.

Ndërsa po përmbyll filmimet, Ylli më ftoi ta shoqëroj në Bulqizë, në një udhëtim të shkurtër për të marrë disa sekuenca që kompletojnë rregjizurën.

Interesant, mendoj, artisti punon drejtpërdrejtë me jetën që zhvillohet dhe zbulon në vepër të gjithë kompleksitetin që mbart koha dhe hapësira, politika drejtpërdrejtë në zhvillimet zbulon interesat dhe grupet e interesit që i nevoiten për t’u votuar!

Ylli Pepo kërkon njerëzit që bëjnë të renë evropiane të Shqipërisë së sotme dhe veprat e tyre kudo ku ndodhen, por edhe prej të shkuarës ngre në ekran figurat e shquara që të mos lërë kohën të fshehë magjitë e jetës së tyre dhe bëmat në të cilat kombi ynë ngjiti shkallët e përparimit! Kujtoj filmat e sivjetëm të tij për Tefta Tashkon e Korçës, Jakov Xoxen e Fierit, durrsakun Andrea Alessi, vlonjatin Ali Asllani etj.

Politikanët, eh! politikanët! Nga kryeministri e të gjithë pas tij, nuk lënë rast pa theksuar zhvillimet turistike të vendit, kurse për industrinë nxjerrëse që jep më të shumtën e vlerës së eksporteve të vitit, nuk gjejnë shteg në errësirë për të dalë në dritë e firmosin Statusin e Minatorit, a të njohin e zgjidhin problemet e mëdha të subjekteve të prodhimit, aty ku punohet! Nuk mund të them që çka shohim e dëgjojmë është “qeverisje e punëve të vendit”, më saktë do ta quaja “qeverisje elektorale e njerëzve”…

2.
Ora 8. Nga Tirana nisemi grup.
“Për një orë do jemi në Bulqizë!”, dëgjoj zërin pas meje.
Është Bukurosh Koçi, kontributori i filmit, lindur e rritur në Bulqizë, pasurues nga profesioni, që ka ngritur në këmbë një korpus fabrikash dhe është në të vërtetë prodhuesi kryesor i koncentratit të kromit në vend.

Nuk më besohet.

Me makinë të mirë dhe tre orë ishin pak të përshkoje aksin Tiranë-Laç-Shkopet-Burrel për të mbrritur Bulqizë. Rrugë e vjetër tanimë, e harruar si koha e ikur!

Lamë pas periferinë kodrinore të Tiranës të urbanizuar rrëmujë e që nuk përfaqëson as fshat as qytet. Mbrapa, mbeten dhe disa gryka tronditëse që ndajnë më dysh vargmalin Dajt-Krujë dhe një gurore famëkeqe të braktisur dhe futemi përtej Dajtit, në terenet emocionuese ku lëviz Rruga e Arbërit.

Rruga e Arbërit, rruga e Arbërit… Nuk mund të mos bie në mendime tek dëgjoj këtë emër. E çthurur dhe çoroditëse siç ka qenë, e shfromuar dhe e përçarë siç është, politika ka ngadalësuar ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit edhe pse premisat kanë qenë vlerësuar. Kjo gjendje nuk mundet të shpjerë në normalitete përparimi, pa u vetëkorigjuar në themel!

Situata është ngurtësuar edhe në historikun komiko-tragjik të Rrugës së Arbërit, e cila si gjeografi është thjesht segment i Korridorit 8, një arterie strategjike e lidhjes Lindje-Perëndim i përcaktuar kështu qysh në vitin e largët 1982 nga presidenti amerikan i asaj kohe.

Rruga e Arbërit, për paaftësi të politikës tonë, u tjetërsua duke nxjerrë drejtimin për në Qafë Thanë objekt të Korridorit 8 (?!) çka ishte interesi gjeostrategjik i fqinjëve. Rrugës së projektuar të Arbërit i’u ul standardi dhe i’u zvarrit pa cak ndërtimi. Ky objekt po konsumon burime financiare shtesë pas shtese për të cilat nxirret si justifikim, problematika gjeologjike.

I njëjti prektekst u shfrytëzua për të shmangur përgjegjësitë politike e penale edhe në rastin e tunelit të Kalimashit.

Në të vërtetë përgjegjësia është e qeverisjeve që, në interes të përfitimeve dhe përfituesve privatë, kanë prishur skemën studim – projektim – ndërtim dhe institucionet përkatëse të zbatimit e të ligjëshmërisë. Parimi i pagesave të investimeve shtetërore mbi bazën e punës së kryer, është i mangët në rast se puna e kryer nuk mbështetet në një studim të thellë gjeologjik e në një projekt teknik të asaj që planifikohet të bëhet.

Kjo shthurje ligjore dhe realiteti, ka shpurë në rritjen e shpenzimeve buxhetore për hapjen e tunelit në Kalimash!

Mungesa e studimit bëri që të rrëshqasin disa qindra metra nga tuneli i Murrizit, mungesa e projektit teknik të zbatimit bëri të ngecë në argjilat që fryhen përparimi i ballit të tunelit dhe të shtyhet e të shtyhet afti i vënies në punë…

I lë mënjanë mendimet dhe shijoj urat fantastike që lidhin terene të aksidentuara në luginën e lumit të Klosit, pamjet e njohura e mbresëlënse të luginës së bukur të Planit të Bardhë dhe mbritjen aq të shpejtë në atë çudinë e erërave me emrin Qafa e Buallit!

Punimet në hyrje të tunelit të Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit, Klos. Foto: Bujar Karoshi

3.
Tuneli i Qafë Buallit hap e mbyll sytë është dhe vështrimi na përhapet mbi Bulqizë: lugina me qytetin në të dy anët e saj, fshatrat njëri pas tjetrit, malet e veshur në gjelbërim pyjesh e shkëmbinjsh! Dëbora mungon. Diku është formuar një liqen, i ri ky liqen dhe natyra e ka krijuar për të bërë të dukshëm gabimet njerëzore!

Në faqen veriore të malit që mban në shpinë liqejt e Balgjait, duket një rrugë që lidh majën me asgjënë, sikur të jetë e varur rruga; poshtë saj shpatet e veshura me pyje. Është dora e të fortëve që tentoi të grabiste pyjet aty poshtë!, -më thonë. U ngritën në këmbë banorët e Vajkalit dhe i përzunë makineritë. Kështu bënë dhe banorët e Dushajt: bllokuan rrugën e përzunë të fortët që kërkonin drurët e pyllit të Malit të Bardhë diku në verilindje të Bulqizës.

Bukur janë zemërimi dhe kundërshtia për të drejtën dhe të vërtetën, më bukur janë zemërimi dhe kundërshtia ndaj të keqes e padrejtësisë kur për çështjet sociale përfshihen bashkësitë e lira njerëzore…

Bulqizën koha e ndërtoi në dy gjysëm qytete: Qyteti i Ri dhe Qyeti i Vjetër quhen, përballë njeri-tjetrit, mbështetur në dy malet përkundrej që krijojnë luginën; i riu nuk i ka mbushur të 38 – vjetët, i vjetri ka dyfishin e këtyre viteve dhe është çuditërisht më i përtërirë: me një shesh kryesor të shtruar me pllaka guri të bardhë ku nuk lejohen makinat, me godina të ulëta e të larta që ndahen nga rrugica e drurë të gjelbëruar, me kafene e hotele të cilësisë së mirë, me monumentin e minatorit dhe Pallatin e Kulturës …

Lugina e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Ora është 9. Fiks një orë që u nisëm prej Tirane.

Hyj në Pallatin e Kulturës.
Këtu kam qëndruar dhe kur erdha së pari në Bulqizë: 3 Janar 1975. Ftohtë. Erë, dëborë dhe akull. Kafeneja e dikurshme tanimë është një sallë e shndrruar për ekspozita. Kostume popullore, në atë larminë e begatë të ngjyrave të ndezura të harbimit pranveror të natyrës malore, paraqiten bukur të vendosura në njërën anë të sallës. “Tani e kemi bërë!” – më thotë eksperti Pëllumb Dervishi, i cili muaj më parë më shpjegoi eksponatet e Muzeut të Minierës, ndërtuar në krahun tjetër të godinës.

Aty është dhe Jete Mazari, këngëtarja dibrane e grupit artistik të Bulqizës, një zë brilant që çlirohej lirshëm e bukur në këngët popullore të kësaj treve me folklor të rrallë.

Shkojmë në hotel. Godinë e rinovuar në arkitekurë, mermer i ndritshëm dhe bojëra qelibari që të bëjnë të ndjesh efektet e ambienteve të cilësisë së parë. Në kafenenë e hotelit, gjejmë kryetaren e Bashkisë. Një zonjë e re, tërë gjallëri për detyrën që ka marrë; duket krenare çfarë përfaqëson, e sigurtë në vetvete dhe ndoshta me ëndrra për ta bërë më të mirë jetesën në këtë qytet të shquar minatorësh. Grupi i xhirimit shkon në zyrën e saj për një intervistë.

Unë dhe inxhinier, Kurt Skara marrim rrugën për në Batër të Martaneshit. Në timon është Ditjoni, djali i mikut tim të ndjerë, Isufit të mirë. Rruga është një skëterrë e vërtetë bërë nga rreshjet dhe mjetet e tonazhit të lartë, ndoshta dhe e lënë pas dore për shumë kohë.

Ecim nëpër një pjerrësirë të trishtuar; përtej duken male të mjergulluar dhe asgjë… si në një shkreti të heshtur, pa jetë njerëzore. Diku e diku ka sheshe me krom e makineri, janë pa njeri e pa zhurmë pune. Diku e diku ka galeri nga ku janë derdhur stoqe të mëdhenj gurësh, të heshtura e të pa zhurma dhe ato. I kam parë ndryshe herët e tjera që kam qënë këtyre anëve, por mësoj se puna është zbehur. Nuk më rrihet mua plakut pa e rrahur shqetësimin me inxhinier Kurtin. “Nuk ka punime gjollogjike, nuk ka shtesa rezervash të reja kromi! Ato që ishin po pakësohen përiditë…” Dhe të mendosh vrullin me të cilin u ndërtuan këtyre anëve galeri të reja, fabrika të reja pasurimi, sheshe të rinj për përpunimin e kromit.

Pa shërbimin gjeologjik në aktivitet kërkim-zbulimi nuk ka të nesërme minerare.

Politika as e zgjidhi dhe as nuk u mor të aktivizojë interesimin e gjeologjisë shqiptare për pasuritë e nëntokës tonë, ato që njihen e duhen shtuar dhe ato që nuk njihen e duhen bërë të njohura për të fuqizuar indistrinë nxjerrëse! Gjeologët u lanë mënjanë, në fatin e tyre për të mbijetuar, puna e tyre edhe pse me një produkt të shkëlqyer mbi të cilin u mbështet një industrializim i mbarë i vendit, u shumëzua me zero! Dhe aftësitë e tyre të krenueshme, thuajse me zero u shumëzuan…

4.
Kulla Hupi.
Kisha dëgjuar për të, kisha parë dhe një dokumentar për të, por ndryshe është të jesh tek dera e saj; të heqësh këpucët sipas zakonit e të ngjtësh shkallët; të ecësh jashtë nëpër ato ambiente ku bashkëpunimi i njeriut të punës me natyrën zemërgjerë, jep fryte mahnitëse!

Një rrugë e ngushtë, shtruar me kujdes me çakull të imtë, përmes kthesash e gjelbërimi drurësh, të shpie tek Kulla Hupi. Emri “Kulla Hupi” është shkruar me të bardhë në faqet e dukshme të gurëve të mëdhenj në kthesa a kryqëzime; bukur kjo përzgjedhje për orientim.

Makina parkohet në një lirishte me bar ku qëndrojnë dhe shumë të tjera.
Është e lashtë Kulla dhe gjendet në mes drurësh të mëdhenj në faqen e malit gërqelor që ngrihet prej Urës së Qytetit e drejt shpateve të Malit të Bardhë.
“Kullën na e la gjyshi amanet e unë e doja. Më janë dashur katër vite punë në minierë për të fituar lekë për të blerë materialet dhe për të kryer këtë punën këtu që të reabilitohej Kulla, të bëheshin këto terraca e sheshe dhe të rriteshin këto pemë të reja e bari në këtë pjerrësirë. Nuk doja t’i ikja lashtësisë së Kullës! Që i vogël mblidhja sendet e vjetra që hidheshin të lodhura nga përdorimi dhe i sistemoja në nënçatinë e Kullës së Gjyshit. Doja të shkrija në Një atë lashtësi me nevojat e jetës dhe mundësitë që kemi sot për të jetuar…” – tregon Luli.

Mua më vjen ndër mend një djalë i Duriçëve, që, në pyllin e vet buzë liqenit sipër në mal, dëshironte të ndërtonte objektin “Hani Duriçi”, diku aty ku kishte qenë një trung i stërthatë me diametër tre metër, aty, ku larg syrit të të huajve e hafijeve, në kohët e para mblidheshin burrat për të drekuar e për të kuvenduar bëmat. Ai, djali i Duriçëve që e kishte ruajtur pyllin me të shtëna topi të marrë nga depot në vitin ’97, ëndërronte një ndërtesë që dilte nga shkëmbi e nderej deri mbi liqen prej ku nisej një shteg i rrëpirtë për kalorësit që donin të ngjiteshin në Dhoks për të kundruar pyjet e pamata e kullotat verore e liqenet e shumtë të asaj rrafshine që shtrihet deri në Malin e Tërnovës së Madhe….

Mu kujtua dhe çuni i Keteve, i shquari Ismail Keta që braktisi rininë e vet të hershme për të realizuar një ëndërr. “Ec e vrapo!”, – thotë vete Ai. E kish nisur fëmijë stërvitjen. Rraskapitej tërë ditën e lume duke gjuajtur me grushtat e një vogëlani një thes me rërë të mbushur në dampën e fabrikës së pasurimit të kromit dhe dikur, dikur më vonë iku në Gjermani, ku së pari punoi pjatalarës; duroi veç të tjerash dhe meritë pse ishte i shpejtë e korrekt në punë?! Pas punës së mundimshme stërvitej në kickbox. Mandej, krenar që ishte nga Bulqiza, i’u fut konkurimit dhe e fitoi sfidën e rëndë: u shpall kampion i Gjermanisë, në vitet 2011 dhe 2012 por edhe kampion bote.

Jeta bën të vetën, por kurajo nuk mposhet kur ushqehet nga një mendje e shëndoshë! Ismail Keta ka një shkollë kickboxi në Mynih dhe një qendër moderne të stërvitjes fizike. Nuk e ka harruar vendlindjen: Ka ndërtuar aty Kullën Keta. Një rrugë e asfaltuar që pjerrësohet butë e bukur shpatit të malësisë veriore të Bulqizës, të shpie tek ajo…

Një drekë e gatuar prej prodhimeve të veta dhe vera e vendit na shijojnë këtu në Kullën Hupi; kundrojmë ambientet dhe mbrëmjen që po bie ngadalë dhe e freskët; i afrohemi një zjarri të ndezur jashtë dhe bisedojmë me disa të huaj që kanë bujtur aty përpara nesh.
Duke këmbyer kujtime me burra të fisit Hupi me të cilët kam punuer dikur në minierë, për qejf, rrotulloj një pjekës kafeje mbi prushin e një oxhaku, siç kam parë ta bënin dhe pleqtë e dikurshëm; në të vërtetë e rrotulloja gabim: përkundër!

Operatori Xhemal Reçi nuk ka kohë të shijojë bukuritë e pamjeve dhe ushqimin në Kullën Hupi. Gjithë kohën në lëvizje me aparatin e filmimit në dorë. Më së shumti kineast profesionist prej zemrës e talentit se prej zorit të detyrës. Eshtak e i gjatë, i heshtur, me vështrimin e përqëndruar në objektin që filmon, duket e më zhduket prej syve, në kërkim të këndeve më të përshtatshëm të filmimit dhe brezave të padukshëm të dritësimit të pamjes që ka radhën për tu fiksuar në kamera.

Tek kthehemi në hotel nëpër terrin e natës, më çudit ndriçimi mbresëlënës i dy krahëve të qytetit unik të Bulqizës dhe i shpateve të malit në jug, ku natyrisht janë sheshet e galerive që ngjiten e ngjiten si të duan të bëhen një me yjet.

Kulla Hupi në fshatin Dushaj, Bulqizë. Foto: Shoqata e Natyrës dhe Turizmit Bulqizë

5.
Mëngjezi është i freskët.

Unë nisem të shoh ndryshimet e ndodhura në sektorët ku ka filluar së pari shfrytëzimi i kromit në Bulqizë. Të mërzisin grumbujt pambarim të gurëve dhe gropat e hapura nga shembjet që shëmtojnë terrenin e janë rreziqe të mundshme.

E kapërcej atë pamje, iki për nga Almarina. Rruga e shtruar kujdesshëm duket si një shteg nëpër pyllin që ka marrë shtat të plotë.

Në kërkim të një vizatimi në gur që e kam parë dikur në vitet e para të punës këtyre anëve, vështroj shkëmbinjtë që mezi duken.

Ajo pamje që e kam humbur, është si një eksplozion në përfytyrimin e strukturës kromifere të Bulqizës: Diku në këtë shpat mali, mbi një faqe të një shkëmbi, që kur ishte krijuar, një shlir kromi qe rregjistruar si të përfaqësonte në shkallë të zvogëluar profilin e trupit të kromit të Bulqizës, me sistemin e rrudhosur të tij e me imtësitë e tjera strukturore të vëndburimit.

E çuditëshme pamja që kam fiksuar prej atëhere!

E kam kërkuar përherë kur jam ndodhur këtyre anëve, nuk e kam gjetur më …

Është koha të vizitoj Fabrikën e Pasurimit të Kromit. Më shoqëron inxhinier, Bukurosh Koçi, djalë Bulqize, ka qenë përherë pjesëmarrës në fazat e zhvillimit të pasurimit të kromit këtu. Edhe kur u privatizua Bulqiza. I ri në moshë dhe pa ndonjë lidhje me të fortë a të fuqishëm pushteti, mori përsipër një karakatinë (siç ishte katandisur në atë kohë ky objekt që nuk tërhoqi fare vëmendjen e blerësit italian të minierës) dhe, me dije e vullnet, bëri këtë objekt që po vizitoj: godina të strukturara për të përballuar dimrat, teknollogji që pasurojnë edhe mineralet që dikur hidheshin si mbetje, puntorë të përkushtuar dhe makineri moderne, rregull!

Bukuroshi e ka shumëfishuar domenin e vet në hapsirën e përpunimit të kromit: Ndërtoi një fabrikë të re pasurimi në Kukës, bleu dhe rikonstruktoi objektet e pasurimit të kromit në Gjakovë, ndërtoi miniera të reja etj.

Dhe një risi për të cilën flitet shumë, por që e shoh për herë të parë në industritë tona të kohës: Taracat e të gjitha godinave të fabrikës së pasurimit janë mbuluar me panele diellore si burime të energjisë elektrike për makineritë poshtë tyre…

Fabrika e Pasurimit të Kromit në Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

6.
Po epilogu?
Duke kërkuar diçka si përfundim të qëndrimit prej 36 orësh në Bulqizë, nuk mund të mos theksoj:
Disa jetojnë duke shtyrë ditët njëra pas tjetrës; disa rropaten për të përtërirë praninë e tyre në muajin tjetër e në brezin tjetër; disa venë themele, projektojnë e ndërtojnë ndryshime të qenësishme të peizazhit ku rritet e lulëzon jeta e komunitetit …

E qenësishme është bashkëpunimi me natyrën; të ndërtohet një gjë e të mos prishet diçka është e pamundur.
Janë ndërtuar minierat e fabrikat e pasurimit në Bulqizë dhe ja aty diku është shfaqur një liqen: toka në perëndim të Qytetit të Vjetër është ulur e po ulet; janë dërmuar godina e rrugë; dëgjohet zbehtë një alarm “po shteren ca burime ujore!”

Pse? Pse?

Duhet një përgjigje!
Përgjumja e përjetëshme e thellësive shkëmbore është prishur. Masat shkëmbore janë vënë në lëvizje në zemrën e tyre. Ujërat nëntokësore kanë ndërruar shtratin dhe rrjedhin në shtigje të rinj.

Këto duhen njohur e duhen konsideruar…

Siç duhen konsideruar vatrat më të bukura të turizmit të zonës: Almarina, liqenet e Dhoksit e liqenet e Balgjajt që ngjajnë me liqenet e Lurës sepse kanë të njëjtin shtrat: masivin shkëmbor magmatik të gjelbër dhe i kanë krijuar të njëjtat duar si shtrat të vet: akullnajat.

Këtu nuk mjaftojnë fjalimet e shtetarëve, por dora e shtetit për të ngritur infrastrukturën regjionale: rrjetin rrugor të asfaltuar, rrjetin e energjisë elektrike, rrjetin e ujit të pijshëm dhe atë të mbledhjes së mbetjeve të përditëshme të jetës njerëzore…Kullat aty i ndërtojnë banorët! Dhe shtigjet për këmbësorët a kalorësit!

Është momenti historik kur duhet të bëhet një shumatore dhe bilanc i të gjitha fijeve që ndërtojnë Shqipërinë e sotme, të shihen përputhshmëritë e diskordancat e krijuara dhe të lejohen, stimulohen e ndërtohen ardhmëritë e reja që plotësojnë kuadrin evropian të objektivit kombëtar sipas normave të planifikimit të teritorit dhe jo në shtigjet autarkike.

Është mbrëmje kur hyjmë në periferitë verilindore të Tiranës.
Sidoqoftë rrugëtimi në vend tjetër, kthimi në shtëpi është i këndshëm dhe të jep një ngrohtësi e qetësi të çuditëshme shpirtërore.

Provoj ato ndjenja që kam pasë sa herë jam kthyer prej jashtë në Rinas e në shtëpi. Mu dukën të ndryshkura e të vobekta grumbujt e pa formë të banesave të periferisë, rrugët e papastruara dhe makinat e pluhurosura parkuar andej e këndej, ndriçimi…

Freskinë diellore dhe ajrin e shëndetshëm i kisha lënë mbrapa, diku në atë që quhet Bulqizë!

___
Martin Cukalla është inxhinier i industrisë minerare, i cili për mëse 35 vjet ka drejtuar sektorët më të vështirë të minierave shqiptare nga jugu në veri të vendit. Ka një eksperiencë të madhe në fushën e shfrytëzimit të minierave, por edhe të drejtimit të tyre. Cukalla ka mbajtur detyrën e ish-zv. ministrit të Industrisë së minierave dhe ish-drejtor i Minierës së Bulqizës para viteve ’90-të.