Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka lënë në fuqi pjesën më të madhe të shkaqeve dhe konkluzionin përfundimtar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Dibrës Shkëlzen Cena, edhe pse i ka dhënë të drejtë këtij të fundit për disa prej pretendimeve të ankimit.
Trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon, konkludon se prokurori Cena rezulton me balanca negative në disa vite për krijimin e pasurive dhe se me veprimet e tij ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Këtë konkluzion Kolegji e mbështet në mosdeklarimin e një aktmarrveshje për premtim shitje të një apartamenti dhe kryerjen e një pagese në funksion të saj, si dhe në hetimet që Cena ka kryer për disa procedime penale.
Shkëlzen Cena e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Kukësit. Ai është transferuar nga Kukësi në Kurbin në vitin 2012, ndërkohë që prej vitit 2016 e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër. Rivlerësimi i tij u krye me prioritet për shkak të kandidimit për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Mungesat financiare
Kolegji, ashtu si dhe Komisioni, arrin në përfundimin se prokurori Cena nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 55,25 m2 në Kukës në vitin 1999 kundrejt çmimit 600 mijë lekë.
Po ashtu, nga analiza financiare e kryer në KPA ka rezultuar se subjekti ka pasur balanca negative të përafërta me ato të konstatuara prej KPK në vitet 2006, 2011, 2013, 2014 dhe 2015. Cena ka pretenduar në ankim se konkluzioni i KPK për pamjaftueshmëri të mbulimit të pasurisë në këto vite në vlerën totale 3 milionë e 880 mijë lekë është i pabazuar dhe i pasaktë, pasi është kryer mbi baza statistikore dhe jo dokumentare.
Por Kolegji rendit rezultatet e analizës financiare për këto vite, kur janë konstatuar balanca negative në total në shumën 3 milionë e 748 mijë lekë.
Sipas KPA, familja e subjektit nuk mund të përballonte në vitin 2006 blerjen e një automjeti në shumën 400 mijë lekë, pagesën e vlerës 28 mijë euro të përcaktuar në marrëveshjen për premtim shitje të apartamentit në Tiranë, si dhe krijimin e kursimeve cah në shumën 1 milion lekë. Nga analiza e kryer në Kolegj, Cena ka rezultuar me balancë negative në vlerën 2 milionë 566 mijë lekë në vitin 2006.
Gjatë viteve 2011 dhe 2013 ka rezultuar në pamundësi për kryerjen e shpenzimeve dhe pagesën e kësteve të një kredie, përkatësisht në shumat 39 mijë lekë dhe 100 mijë lekë. Në 2014-ën ëstë konstatuar balancë negative në shumën 909 mijë lekë për përballimet e shpenzimeve jetike, blerjen e një automjeti dhe pagesën e kësteve të kredisë. Gjithashtu, ka rezultuar balancë negative në shumën 132 mijë lekë edhe në vitin 2015.
Kolegji konkludon se prokurori Shkëlzen Cena ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë duke e konsideruar shkarkues këtë shkak.
Cënimi i besimit tek drejtësia
Trupi gjykues rendit në vendimin e arsyetuar edhe shkaqet në të cilat ka bazuar konkluzionin se prokurori Cena ka cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Kolegji konstaton se subjekti nuk ka deklaruar një aktmarrëveshjeje të vitit 2006 për premtim shitje të nënshkruar me shtetasin D.B. për një apartament 1+1 në Tiranë, si dhe pagesën pagesën e kryer në shumën 28 mijë euro.
Cena pretendon se kjo marrëveshje nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik dhe është revokuar në heshtje nga të dyja palët. Ai ka deklaruar se kishte rënë dakord me D.B. që, nëse do të arrinte të merrte kredinë në vlerën 28 mijë euro, atëherë do të paguante shumën e përcaktuar në aktmarrëveshje dhe do të përfitonte apartamentin në Tiranë të porositur nga D.B. Sipas Cenës, D.B. ia kishte paguar këtë shumë shoqërisë ndërtuese në ditën e hartimit të kontratës së sipërmarrjes.
Ai ka shpjeguar se D.B. e ka revokuar kontratën e sipërmarrjes me shoqërinë ndërtuese në vitin 2007 dhe ka porositur një apartament më të madh. Sipas Cenës, D.B. e ka blerë apartamentin e porositur në vitin 2007 dhe ka shtuar se aty ai jeton me qira edhe sot.
Cena pretendon se revokimi i kontratës së sipërmarrjes së vitit 2006 nga ana e D.B. dhe lidhja e një kontrate tjetër porosie me shoqërinë ndërtuese për një tjetër apartament, ka sjellë si pasojë edhe revokimin e aktmarrëvshjes së nënshkruar mes tyre.
Kolegji konstaton se në kontratën e aktmarrëveshjes është e shprehur se subjekti i ka shlyer shtetasit D.B. shumën 28 mijë euro dhe i vlerëson jo bindëse shpjegimet e tij. Deklarimet e prokurorit Cena dhe të D.B. se nuk ishte paguar shuma 28 mijë euro dhe se ky shënim në aktmarrëveshje ishte një lapsus i noterit, është kundërshtuar nga ky i fundit.
Noteri ka deklaruar se palët kanë qenë dakord me atë çfarë është shënuar në aktmarrëveshje lidhur me shlyerjen e shumës 28 mijë euro. “Kolegji konstaton se dëshmia e z. D. B bie ndesh me dëshminë e noterit, i cili pohon se akti ishte i vërtetë, duke sjellë në vëmendje se të tre të pranishmit ishin juristë që kuptojnë rëndësinë e një akti noterial dhe efekteve juridike të tij dhe, për më tepër, se akti u ishte lexuar me zë të lartë të pranishmëve nënshkrues”, citohet në vendim.
“Fakti i citimit të shumës prej 28.000 eurosh, e cila përkon me shumën që z. D. B kishte dhënë për apartamentin e tij, përjashton mundësinë e lapsusit nga ana e noterit[…]”, vijon argumentimin trupi gjykues i KPA dhe konkludon se pretendimi i prokurorit Cena se nuk e ka paguar vlerën 28 mijë, është jobindës dhe gjendet i pabazuar.
Kolegji, ashtu si dhe KPK, vlerëson se prokurori Cena nuk ka bërë prezente gjatë gjykimit të një të pandehuri për veprën penale “Kontrabandë me mallra të tjera” rrethanat rënduese, duke sjellë për pasojë dënimin e tij me masën më të ulët.
Në vitin 2006, prokurori Cena ka hetuar një çështje lidhur me një rast të kontrabandimit të viçave pranë pikës doganore të Morinës, por ai nuk ka bërë prezente në diskutimet përfundimtare rrethanën rënduese të të akuzuarit, i cili kishte qenë përsëritës në kryerjen e kësaj paligjshmërie, pasi ishte dënuar vetëm një vit më parë për të njëjtën vepër penale, nga e njëjta gjykatë.
“Në këtë mënyrë, është mundësuar nga ana e subjektit të rivlerësimit një orientim i gjykatës drejt caktimit të dënimit pa e vënë në dijeni për recidivitetin e të akuzuarit, duke i mundësuar kështu edhe atij një dënim më të favorshëm nga ai që i takonte sikur të ishte bërë prezente edhe rrethana rënduese e sipërcituar”, vlerëson Kolegji dhe konkludon se Cena në këtë rast ka demonstruar mangësi në njohuritë ligjore.
KPK ka konstatuar gjatë hetimit administrativ se Cena ka kryer hetim të paplotë për një çështje penale në vitin 2010, ndaj shtetasit I.H. ., i hetuar për veprën penale “tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë”. Komisioni ka konstatuar se Cena nuk i ka mbledhur të gjitha provat e nevojshme në funksion të veprës penale për të cilën ishte proceduar I.H., duke konkluduar me pushimin e çështjes
Sipas KPK, edhe pse i proceduari ka dhënë deklarime të njëpasnjëshme kontradiktore për faturat tatimore të mallit që i është gjetur, subjekti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor dhe se dukej se ai e kishte favorizuar në kohë shtetasin I.H. me qëllim marrjen e faturave dhe dorëzimin e tyre, edhe pse datojnë shumë më herët kapjes së tij në flagrancë.
Edhe Kolegji vëren se në këtë rast, nuk ishin kryer veprime hetimore ndaj firmës private prej së cilës ishin lëshuar faturat tatimore, për t’u siguruar në lidhje me vërtetësinë e deklarimeve të të arrestuarit si dhe origjinën e mallit, për të konkluduar më pas nëse ishte apo jo kontrabandë.
“[…]nga korrespondenca me Degën e Doganës së Morinës, Kukës, ishte konfirmuar se shtetasi I. H. nuk i kishte zhdoganuar ato mallra, më pas nuk është hetuar nëse mallrat e tregtuara nga firma private ishin të zhdoganuara apo të blera nga një tjetër biznes[…], konstaton Kolegji.
Në vendim thuhet se Cena nuk ka kryer ndonjë korrespondencë me institucionin tatimor për të vërtetuar nëse këto fatura të lëshuara për mallin ishin të regjistruara dhe të deklaruara në sistemin tatimor.
“[…]subjekti i rivlerësimit nuk ka ndërmarrë logjikisht hetimin, sipas kërkesave ligjore për të mbledhur provat e kërkuara me ligj për qartësimin e rrethanave[…], çmon trupi gjykues i KPA.
Kolegji konstaton mangësi në qartësimin e pjesës arsyetuese në dy vendimeve pushimi, të marra në vitin 2015 nga Cena kur ai shërbente pranë prokurorisë së Kurbinit.
Në një prej çështjeve, të regjistruar për veprat penale “Fyerje” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, Kolegji vëren se, pavarësisht se subjekti ka deklaruar se në këtë rast hetimi është pushuar për shkak të heqjes dorë të kallëzuesit dhe se nuk është i nevojshëm analizimi i elementeve të faktit dhe i figurave të veprave penale, rezulton të ketë mangësi në drejtim të qartësimit të pjesës arsyetuese të vendimit duke e bërë të pakuptueshëm.
Procedimin tjetër të vitit 2015 për “Ndërtim të paligjshëm” Cena e ka pushuar me argumentimin se vendosja e dyerve dhe dritareve apo punimet për riparim fasade objekti kanë qenë të përjashtruara nga leja e ndërtimit sipas VKM-së nr. 408, datë 13 maj 2015.
“Në vendimin e pushimit të çështjes, rezulton se argumentohet fakti që nuk dihet koha e kryerjes së veprës penale, ndërsa procedimi është pushuar pikërisht për shkak të ligjit të kohës ‘Për dhënie amnistie’”, konstaton Kolegji dhe vlerëson se arsyetimi i subjektit të rivlerësimit paraqet mangësi.
“Në përfundim të shqyrtimit të çështjes në tërësi, megjithëse disa prej shkaqeve të ankimit, të parashtruara nga subjekti i rivlerësimit e të analizuara nga trupi gjykues i Kolegjit, rezultuan të bazuara, ato u vlerësuan si të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit”, çmon trupi gjykues i KPA.