KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Matit Hysni Vata

712
Hysni Vata, ish-drejtues i Prokurorisë së Matit. Foto: Mat Tv

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten më 15 korrik vendimin për rrëzimin e ankimit të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Matit, Hysni Vata, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra.

KPK e shkarkoi prokurorin Vata më 9 shtator 2019, pasi gjeti shkelje në dy prej kritereve të rivlerësimit, profesionalizmit dhe pasurisë. Vendimi i arsyetuar i KPK-së zbardh një skemë të përsëritur në hetimet për aksidente në punë, pas të cilave faji u mbetet viktimave. Gjashtë dosje të studiuara prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit tregojnë se hetimet pushoheshin pa verifikime të plota, pa pyetur të plagosurit dhe gjithmonë duke ia lënë fajin viktimave.

Në përfundim Komisioni konkludoi se Vata kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, se rezultonte i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Ina Ramën, Natasha Mulajn e Rezarta Schuetz, pasi përfundoi gjykimin e ankimit të Vatës në dhomë këshillimi, vendosi në mënyrë unanime të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin e tij.

Hysni Vata ka qenë oficer në Policinë e Shtetit, përpara se të emërohej prokuror. Ai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2008 nga Tropoja, për t’u transferuar më pas në Prokurorinë e Dibrës. Në vitin 2017, Vata u emërua drejtues i Prokurorisë së Matit, pozicion që e mbajti deri në shkarkimin nga detyra.