Korabi ka kundër edhe fatin, këtë sezon i kanë humbur të gjitha penalltitë

415

Korabi u ngjit në Superiore me shpresën se do të rezultonte surpriza e këtij sezoni, por faktikisht skuadrën dibrane e kanë ndjekur një mori problemesh në elitën e futbollit. Në gamën e madhe të halleve të Korabit bëjnë pjesë edhe penalltitë e shpërdorura. Tersi i 11-metërshave të humbur për dibranët ka ardhur edhe në transfertën e Kukësit.

Nga tre penallti që ka fituar skuadra në 25 javë kampionat, asnjëra prej tyre nuk është konkretizuar. Peshën më të madhe e kanë pasur dy penalltitë e para, që kanë ndikuar në dy përballje me Luftëtarin, kur sfidat kanë qenë në barazim 0-0 dhe, në fund, Korabi ka dalë i mundur. Ndërsa penalltia e humbur nga Mziu në javën e fundit ndaj Kukësit, ishte thjesht për statistikë, pasi në atë moment rezultati ishte 3-0 në favor të kuksianëve.

Në javën e tretë, në ndeshjen Luftëtari-Korabi të luajtur në “Elbasan Arena”, ishte Sebino Plaku ai që gaboi nga pika e bardhë. Ndërsa në javën e 21-të, në transfertën e Gjirokastrës, Ardit Hoxhaj shpërdoroi penalltinë e akorduar për Korabin. Për sa i përket penalltisë së humbur nga Mziu, trajneri Gerd Haxhiu, pas ndeshjes me Kukësin, u shpreh:

“Të jem i sinqertë, deri në goditjen e penalltisë së Hoxhajt në Gjirokastër i kemi punuar goditjet nga pika e bardhë duke i provuar gjatë javës. Më pas, të them të drejtën jo, pasi nuk ma merrte mendja se do të na jepnin më. Ndaj për këtë marr edhe përgjegjësinë time në humbjen e 11-metërshit nga Mziu”.

/panoramasport.com.al/