Konfirmohet dhe dërgohet për procedim prokurorja Esmeralda Keshi

865
Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës Esmeralda Keshi. Foto:BIRN

Autor: Vladimir Karaj  BIRN

Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës Esmeralda Keshi u konfirmua në detyrë nga KPK, e cila vendosi edhe dërgimin e një çështje ndaj saj për procedim etik e disiplinor. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të mërkurën vendimin për Keshin.

Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshi (Cami) u përball këtë të hënë me vetingun gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku u evidentuan vetëm disa pasaktësi dhe mospërputhje për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.

Trupa gjykuese përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Firdes Shuli anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte John Leonardo. Keshi është vlerësuar nga KPK për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Komisioni ka evidentuar si problematikë gjatë hetimit administrativ të subjektit blerjen e një sipërfaqe toke në Kamëz nga bashkëshorti me çmim me të ulët nga ai i tregut, si dhe mospërputhje të deklarimeve për bashkëpronësinë e saj dhe të bashkëshortit në dy apartamente. Në pesë dosjet e shortuara – si pjesë e vlerësimit profesional, KPK ka konstatuar disa pasaktësi, ndërsa për figurën prokurorja Keshi u vlerësua pozitivisht.

Esmeralda Keshi (Cami) ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar si prokurore në Prokurorinë e Dibrës. Në vitin 2013, ajo është promovuar si drejtuese e Prokurorisë së Dibrës, detyre të cilën vazhdon ta kryejë prej gati 6 vitesh.