Koncesioni i laboratorëve/ Pas kompanisë ‘në Holandë’ qëndron biznesmeni shqiptar

351

Një godinë historike e shekullit XIX në Hagë shërben si adresë e dhjetra kompanive “guackë” të regjistruara ndër vite në Holandë –njësoj si edhe për fituesen e koncesionit më të ri të shërbimit laboratorik në Shqipëri.

AB Laboratory Solutions B.V, njëra prej tre kompanive të konsorciumin fitues është themeluar prej vitit 2007 në Regjistrin holandez të Biznesit: një shtet që ndonëse lakohet pak, konsiderohet një ndër parajsat fiskale më të mëdha në Europë.

Treguesit e AB Laboratory Solutions B.V- një kompani offshore me kapital 18 mijë euro të çojnë tek një tjetër kompani “guackë” me strukturë pronësie të panjohur, e quajtur Orinoco Mining& Resources B.V.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pas emrit të kompanisë holandeze  qëndron biznesmeni shqiptar Janis Karathano, i cili rezulton të ketë dalë nga gara e Ministrisë së Shëndetësisë me 75 për qind të aksioneve të koncesionit.

Koncesioni i debatueshëm i shërbimit të laboratorëve-i katërti në shëndetësi pas Check up-it, hemodializës dhe sterilizimit të sallave kirurgjikale pritet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 13 miliardë lekë në 10 vjet ose rreth 100 milionë dollarë. Konsorciumi fitues ofroi një ulje prej 10.7 për qind nga çmimi i listës së testeve.

BIRN i drejtoi Ministrisë së Shëndetësisë një kërkesë për të drejtë informimi mbi strukturën e pronësisë së kompanisë AB Laboratory Solutions B.V. Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se “përfituesi fundor i aksioneve në fjalë është kompania Pegasus sh.p.k”.

Pegasus është njëra prej katër kompanive në Shqipëri  të Janis Karathanos dhe më e rëndësishmja ndër to. E themeluar në vitin 1995 me objekt tregtimin e medikamenteve mjekësore dhe depove farmaceutike, ajo zotëron një kapital prej 1.12 milionë eurosh dhe xhiro vjetore të deklaruar në 8.6 milionë euro. Ajo renditet ndër 10 kompanitë që fituan vlerat më të larta të kontratave me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë vitit 2016.

Ndryshe nga Pegasus, dy kompanitë e tjera të zotëruara nga Karathano në koncesionin e shërbimit laboratorik nuk kanë rekorde në aktivitet tregtar apo në kapitale.

“Labopharma”, e cila zotëron 41.7 për qind të konsorciumit  ka një kapital të nënshkruar prej vetëm 100 mijë lekësh dhe bilancin e fundit të dorëzuar të vitit 2015 e ka mbyllur me humbje. Ndërkohë që AB Laboratory Solutions B.V-më shumë se sa kompani investitore duket se u ka shërbyer fituesve për të thithur investitorë të tretë.

Duke iu referuar ofertës së konsorciumit, Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se AB Laboratory Solutions B.V. është projektuar në Mbretërinë e Holandës pasi ky shtet ofron një nga regjimet më të përshtatshme Holding për investitorët.

“Sipas konsorciumit, kjo strukturë ndihmon në prezantimin e kërkesave për financim nga bankat dhe investitorët potencialë të tretë…financimi dhe ngritja e kapitaleve bëhet më e lehtë në momentin që ekziston një grup kompanish”, sqaroi Ministria e Shëndetësisë.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Jani Karathano ofron argumente të njëjta me Ministrinë për avantazhet e zotërimit të një kompanie holding në një vend të Bashkimit Europian.

“Një strukturë e tillë si holdingu financiar është një praktikë mjaft e njohur nga perspektiva financiare, ligjore dhe e taksimit, e cila zbatohet nga disa prej koorporatave më të mirënjohura në botë,” tha Karathano për BIRN.

Investitori strategjik i minorancës

Kompanitë e lidhura “Labopharma” në Tiranë dhe AB Laboratory Solutions B.V në Hagë në pronësi të Karathanos zotërojnë së bashku 75 për qind të konsorciumit. Megjithatë, kriteret teknike dhe financiare janë përmbushur nga partneri francez i minorancës, Exalab.

Ministria e Shëndetësisë dhe Karathano i thanë BIRN në përgjigje të veçanta se kompania franceze EXALAB është investitori strategjik, i cili sipas tyre përmbush dhe tejkalon kriteret kualifikuese.

“Sipas ofertës së paraqitur, investitori strategjik në konsorcium i cili sjell ekspertizën, njohuritë, eksperiencën e mjaftueshme dhe që mbulon dhe tejkalon kriteret financiare është Exalab, një shoqëri e themeluar në republikën e Francës me një aktivitet shumëvjeçar në fushën e laboratorëve,” u përgjigj Ministria e Shëndetësisë.

“Pjesmarrja e shoqërisë Exalab në këtë projekt konsiderohet një sukses, të cilin ne e vlerësojmë maksimalisht, duke pasur parasysh gërshetimin e faktorëve të tillë si niveli mjaft i lartë i cilësisë që Exalab aplikon në BE dhe rriskun që mbart një vend si Shqipëria,” shtoi Karathano.

Dokumentet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se konsorciumi fitues do të marrë në administrim për dhjetë vitet e ardhshme 18 laboratorët e analizave, pesë prej të cilave u përkasin spitaleve universitare në Tiranë, 11 spitaleve rajonale dhe 2 spitaleve të rretheve. Të gjithë së bashku, ata realizonin rreth 5 milionë analiza në vit për pacientët e shtruar dhe ata ambulantë.

Ndër kriteret kualifikuese, Ministria e Shëndetësisë vendosi një tavan prej 6 milionë testesh në vit për pjesmarrësit në tender, së bashku me të ardhura të paktën 40 milionë euro nga shërbimet laboratorike në vitin e fundit dhe 15 milionë euro të ardhura neto.

Në cilësinë e përfaqësuesit të konsurciumit, Karathano i tha BIRN se “vetëm përmes kredencialeve të Exalab përmbusheshin dhe tejkaloheshin këto kërkesa, duke kryer të paktën 9.6 milionë teste laboratorike në vit dhe me një xhiro të akredituar prej 59 milionë eurosh dhe vlerë neto prej 36.5 milionë eurosh”.

Dokumentet tenderuese të Ministrisë së Shëndetësisë sqarojnë se detyrimin për përmbushjen e kritereve e ka konsorciumi si i tërë dhe jo domosdoshmërisht çdo kompani më vete. Kriteret e kualifikimit mund të përmbushen edhe nga çdo anëtar individualisht, me kushtin që ky anëtar të zotërojë pjesmarrje me të paktën 25 për qind në konsorcium.

“Në rastin e konsorciumit në fjalë, këto kritere përmbushen nga shoqëritë EXALAB dhe Labopharma sh.p.k, apo vetëm nga shoqëria EXALAB,” sqaroi Karathano.

Pas shpalljes si konsorcium fitues, Karathano i BIRN se struktura aksionere e konsorciumit dhe rrjedhimisht edhe e kompanisë koncesionare pritet të ndryshojë.

Ai pohon se me vullnetin e shoqërive anëtare, është kërkuar pranë autoritetit kontraktues që kompania Exalab të zotërojë nga 25 për qind, të paktën 40 për qind të shoqërisë koncesionare të re, ndërsa shoqëria Labopharma të zotërojë jo më shumë se 60 për qind.

Sipas shpjegimeve të tij, AB Laboratory Solutions B.V pritet të dalë jashtë strukturës së pronësisë në kompaninë e re koncesionare.

“…Një ndryshim i tillë përforcon garancitë teknike dhe financiare ndaj autoritetit kontraktues dhe sjell një vlerë të shtuar në këtë projekt. Një kërkesë e tillë ka të bëjë edhe me faktin se tashmë janë siguruar financimet e nevojshme për këtë projekt,” shtoi ai.

Kostot e koncesioneve

Koncesioni i laboratorëve është i katërti shërbim publik i shëndetësisë që u kalon privatëve me një kosto totale të parashikuar në buxhetin e shtetit prej 41 miliardë lekësh ose më shumë se 300 milionë dollarë për 10 vitet e ardhshme.

Pavarësisht kritikave dhe kundërshtive, Ministria e Shëndetësisë nuk u step të thellonte këtë praktikë edhe në muajt e fundit të mandatit qeverisës.

Efekti i parë i koncesionit të fundit pritet të reflektohet tek 442 mjekët, kimistët dhe laborantët që punojnë aktualisht në sistemin laboratorik të vendit, të cilët protestuan kundër dhënies me koncesion të këtij shërbimi.

Kundërshti dhe paralajmërim për rreziqe shfaqën edhe shoqatat e Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Sipas tyre, laboratorët mjekësorë janë një hallkë e rëndësishme e sistemit në diagnostifikimin e popullatës, funksion publik që sipas tyre nuk mund t’u delegohej kompanive private.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj-i cili inicioi këtë koncesion iu përgjigj akuzave se po aplikonte “një model të paeksperimentuar në asnjë vend të botës” me nevojën për investime dhe certifikimin ndërkombëtar të laboratorëve dhe analizave mjekësore.

Përfaqësuesi i konsorciumit fitues, Janis Karathano i tha BIRN se projekti i propozuar ofron “një revolucion të mirëfilltë në këtë industri” dhe se garanton shërbime laboratorike me cilësi të lartë dhe standarde europiane.

“Objektivi ynë kryesor është të bëhet referencë edhe për planet tona ambicioze në vendet e tjera, në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu, shoqëritë prodhuese ndërkombëtare që na mbështesin dëshirojnë dhe shikojnë mundësinë që ky projekt të aplikohet edhe në vende të tjera,” përfundoi Karathano.