Klosi bëhet me zjarrfikëse

680
Zjarrfikësja e Klosit. Foto: D. Kurti, Porta Vendore.

Autor: Dritan Kurti  Porta Vendore

Më në fund Bashkia e Klosit do të ketë zjarrfikësen e saj. Tashmë që kanë kaluar katër vjet nga reforma administrative territoriale, Bashkia Klos, në rast nevoje të rënies së zjarreve në banesa apo pyje, nuk do të kërkojë më ndihmën e Bashkisë Mat e asaj Bulqizë, por do të veprojë me mjetin e saj.

Në muajin Korrik të vitit të kaluar, atëherë kur Bashkia Klos kishte nevojë për një mjet zjarrfikës për shkak të zjarreve që shfaqeshin në pyje, Porta Vendore ngriti problemin e mungesës së mjetit zjarrfikës në Bashkinë e Klosit, ku kjo e fundit detyrohej që sa herë të kishte zjarre, të kërkonte ndihmën e Bashkisë Mat apo asaj Bulqizë për të vepruar. Një situatë e tillë zgjati që kur ndodhi reforma Administrative Territoriale. Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa, në atë kohë u shpreh se e kishte të pamundur ta blinte mjetin me buxhetin e bashkisë që drejtonte.

Fondi që i vinte kësaj bashkie për shërbimin zjarrfikës ka qenë vetëm për personelin dhe mjetet e punës që ju duheshin zjarrfikësve në rast ndërhyrjeje, por nuk kishte një mjet të tillë. Në këto kushte ata nuk mund t’i neutralizonin flakët dhe kërkonin ndihmë. Blerja e mjetit u bë falë financimit të Ministrisë së Brendshme, konkretisht Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile.

Kryetari i Bashkisë Klos tha se mungesa e një mjeti zjarrfikës i ka kushtuar shumë ekonomisë pyjore të bashkisë, pasi për shkak të largësisë, mjetet e bashkive fqinje, Bulqizë e Mat, vinin me vonesë. “Mungesa e një mjeti zjarrfikës ka qenë shumë problem në këto afro katër vite që unë kam drejtuar Bashkinë e Klosit. Pavarësisht se sa herë kam pasur nevojë mjetet e bashkive fqinje më kanë ardhur, për shkak të largësisë, mbërritja e tyre ka qenë e vonuar. Gjithsesi këtu nuk mund ta hedh poshtë ndihmën që kanë dhënë Bashkia Mat e Bulqizë. Që me marrjen e detyrës unë kam bërë kërkesa të vazhdueshme ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile për të na sjellë një mjet zjarrfikës, por vetëm në fund të vitit të kaluar na dhanë një fond për ta blerë mjetin. Tashmë që e kemi, sektori i shërbimit zjarrfikës është i kompletuar, pasi personeli është i kualifikuar dhe i ka të gjitha mjetet e nevojshme për të ndërhyrë në çdo lloj situate zjarri që mund të na shfaqet”, deklaroi Kryetari i Bashkisë Klos.

Kryebashkiaku Çupa tha se tashmë bashkia e tij do t’ju shkojë më shpejt në ndihmë banorëve që do të kenë nevojë pasi mjeti zjarrfikës do të niset nga qyteti i Klosit e jo nga Burreli apo nga Bulqiza.

“Kemi pasur raste sidomos në periudhën e zjarreve në pyje kur të gjitha bashkitë kishim të njëjtin problem, njëkohësisht dhe fqinjët e kishin të pamundur të na vinin në ndihmë. Na është dashur të ndërhyjmë me krah për të fikur zjarret në pyje, çka ka qenë e pamundur dhe kemi pasur dëme të konsiderueshme në masivet pyjore. Nisur nga kjo situatë u pa e nevojshme që të kishim një mjet tonin dhe të ndërhynim sapo të kishim nevojë. Jam i bindur që tani e tutje do t’ju shkojmë më shpejt në ndihmë banorëve dhe do të kemi një shërbim më të mirë zjarrfikës, ashtu siç kemi bërë me shërbimin e mirëmbajtjes së rrugëve ku pasi siguruam mjetet tona, ndërhyrja bëhet më e shpejtë dhe më me pak kosto. Unë shpresoj që të mos kemi shumë nevojë ta përdorim atë mjet, por është bërë gjëja e duhur që u sigurua pasi qytetarët meritojnë një shërbim më të mirë dhe me sa më pak kosto ndaj tyre”, tha Çupa në prononcimin e tij për Porta Vendore.

Reforma Administrative Territoriale e vitit 2015 jo vetëm që solli një riorganizim në pushtetin vendor, por lindi edhe problematika që ende nuk janë zgjidhur dhe Bashkitë po përballen me pasojat, sidomos me funksionet e deleguara.