Këshilli Bashkiak i Bulqizës vendos dhënien me qira të tokës për ndërtimin e dy parqeve fotovoltaike në zonën e Ramnagorës

614
Mbledhje e Këshillit Bashkiak të Bulqizës. Foto: Sami Curri

Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Bulqizës vendosën dhënien me qira të afro 27 hektarëve tokë të fondit pyjor – kullosor në zonën e quajtur Ramnagore, fshatrat Viçisht, Lubalesh dhe Çerenec i Epërm në njësinë administrative Gjoricë.

Referuar projekt-vendimit dhe akteve të paraqitura në këshill, toka synohet të përdoret për ndërtimin e dy parqeve fotovoltaike. Anëtarët e opozitës abstenuan në votim, kjo e justifikuar me faktin se konsultimi publik është mbajtur në një ditë dhe pa bërë dallimin e qartë ndërmjet aplikantëve, por edhe mungesën e kryetares së bashkisë në sallë.

Parqet fotovoltaike do të ndërtohen nga kompania “Cami Internacional” shpk me administrator, Edmond Cami dhe kompania “AR-BA – 06” shpk me administrator, Artan Balla. Në raportet e Bashkisë Bulqizë thuhet se në sipërfaqet që do të jepen në përdorim nga fondi pyjor-kullosor publik, nuk ka material drusor që do të hiqet pasi toka është djerr.

Kompania “Cami Internacional” do të marrë me qira 2 hektarë ndërsa kompania “AR-BA – 06” do të marrë me qira 24.85 hektarë. Anëtarët e këshillit vendosën të mos miratojnë kërkesën e kompanisë “Cami Bi” për marrjen me qira të 17 hektarëve për ndërtim parku fotovoltaik në po të njëjtën zonë. Pas votimit, kjo kërkesë mori vetëm 9 vota.

Disa muaj më parë Këshilli Bashkiak i Bulqizës dha afro 80 hektarë tokë nga fondi pyjor-kullosor në Gjoricë dhe Shupenzë për ndërtimin e dy parqeve fotovoltaike.

Këshilltarët e opozitës, në mbledhjen e kësaj të enjtje ngritën shqetësimin edhe për faktin se një vendim i tillë për dhënien me qira të një fondi pyjor-kullosor të konsiderueshëm bëhet pa prezencën e kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri.

“Në rastet kur në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit janë çështje apo projektakte për shit-blerje, dhënie me qira të pronave, por edhe çështje të investimeve të bizneseve që do prodhojnë efekte zhvillimore të mëdha, Këshilli pranon shqyrtimin e këtyre çështjeve apo projektakteve vetëm nëse ato paraqiten dhe prezantohen nga Kryetari i Bashkisë; në të kundërt, shqyrtimi i çështjeve apo projekt vendimeve shtyhet për mbledhjen tjetër.” thuhet në rregulloren e këshillit.

Në rregullore thuhet se këshilli shqyrton çështjet e mësipërme në mbledhjen e ardhshme të rregullt edhe pa praninë e Kryetarit, dhe në këtë rast, projektakti mbrohet nga zëvëndëskryetari i autorizuar me shkrim nga Kryetari.

Referuar dokumentave për dëgjesat publike me qytetarët lidhur me këto projekte, thuhet se është mbajtur një takim për të tre projektet. Sipas procesverbalit dëgjesa rezulton të jetë zhvilluar në datë 24 prill 2024 në orën 17:00 dhe në të merrnin pjesë 80 persona. “Të gjithë pjesëmarrësit firmosën duke u dakordësuar që të 3 subjektet të kryejnë aktivitetin e tyre sipas procedurave të nevojshme” thuhet në relacionin e dëgjesës.

Parqet fotovoltaike janë instalacione që përdorin teknologjinë fotovoltaike për të konvertuar energjinë e diellit në energji elektrike. Këto instalacione përfshijnë një varg panelash fotovoltaike të vendosura në sipërfaqen e tokës ose në struktura të ndryshme, të cilat kapin dritën diellore dhe e konvertojnë atë në energji elektrike përmes një procesi të quajtur efekti fotovoltaike. Në Bulqizë ka disa projekte të miratuara, por akoma asnjë nuk ka përfunduar së ndërtuari.

Këto parqe konsiderohen si mënyrë e qëndrueshme për të prodhuar energji elektrike, duke përdorur burime të rinovueshme dhe të pastër. Gjithashtu një përpjekje për të zvogëluar varësinë nga burimet tradicionale të energjisë dhe për të reduktuar emetimet e gazrave me efekt të ngrohjes në atmosferë.

Parqet fotovoltaike, ndonëse ndihmojnë në prodhimin e energjisë së rinovueshme, sipas organizatave mjedisore kanë disa efekte negative: Ndërtimi i tyre kërkon sipërfaqe të mëdha të tokës, duke sjellë humbje të habitatit natyror dhe ndryshime në peizazh me ndikim në industrinë e turizmit në zonat ku janë ndërtuar. Instalimi i paneleve fotovoltaike mund të ndikojë në cilësinë e tokës, si rezultat i ndërprerjes së rrezatimit për bimët që ndodhen nën toka, veçanërisht në zonat ku panelet mbulojnë një pjesë të madhe të sipërfaqes.

Bashkimi Evropian ka rregulla dhe standarde të rrepta ambientale që aplikohen në ndërtimin dhe operimin e parqeve fotovoltaike. Këto standarde janë pjesë e përpjekjeve për të siguruar që projekte të tilla të ndërtohen dhe të operohen në mënyrë që të minimizojnë ndikimin e tyre në mjedis dhe komunitetin vendas.

Në përgjithësi, vendet e Bashkimit Evropian kanë vepruar në drejtim të përdorimit më të madh të energjisë së rinovueshme, duke përfshirë instalimin e parqeve fotovoltaike, nëpërmjet politikave dhe masave të ndryshme që inkurajonë dhe mbështesin zhvillimin dhe përdorimin e tyre. Vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të arrijnë përqindje të caktuara të përdorimit të energjisë së rinovueshme në konsumin e tyre të përgjithshëm të energjisë – si dhe mbështetje financiare për projekte të energjisë së rinovueshme. Shkëmbimin e teknologjive, praktikave të mira dhe politikave për të inkurajuar përdorimin e energjisë së rinovueshme, përfshirë edhe fotovoltaike.