Kryetari i Komunës së Dibrës në Maqedoninë e Veriut, Hekuran Duka, ka kërkuar nga qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të bashkëpunojnë për krijimin e një pike të përbashkët kontrolli kufitar në Dibër. Kjo kërkesë iu parashtrua ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, gjatë një vizite në Dibër.
“U ra dakord që të merren masa dhe aktivitete nga të dyja qeveritë për të lehtësuar kalimin kufitar në Bllatë me konceptin ‘One-Stop-Shop’, ndërtimin e një pike grumbulluese për mallrat bujqësore, veçanërisht për prodhimet blegtorale, çka do të mundësojë futjen më të lehtë në rrjetin tregtar dhe bashkëpunim në sferën e kulturës,” tha Duka.
Që nga korriku 2023, një ndalesë dhe një kontroll i përbashkët janë në funksion në pikën kufitare në Qafë-Thanë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura të thjeshtuara. Vendimi për zbatimin e këtij kontrolli të përbashkët kufitar u miratua në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 14 nëntor 2022.
Në këtë mbledhje, e dyta mes qeverive të të dy vendeve, u nënshkruan 21 marrëveshje dhe memorandume që ndërlidhen me bashkëpunimin në fushat e sigurisë, turizmit, tregtisë dhe energjisë elektrike. Megjithatë, shumë nga këto marrëveshje ende nuk janë zbatuar konkretisht në terren.
Kufiri në Bllatë të Dibrës vazhdon të jetë një pengesë e rëndësishme për lëvizjen e qytetarëve nga të dyja anët. Gjatë fundjavave dhe sidomos në stinën e verës, kur rritet fluksi i lëvizjes, koha e pritjes për kalim mund të kalojë edhe 30 minuta.
Ekspertët e ekonomisë në të dyja anët e kufirit i shohin barrierat doganore dhe mungesën e bashkëpunimit mes qeverive si pengesa të mëdha për krijimin e perspektivave ekonomike. Për më tepër, komunat në të dyja anët e kufirit, si Dibra në Maqedoninë e Veriut dhe ajo Dibër e Bulqizë në Shqipëri, nuk kanë projekte të fituara nga donatorët ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian që mund të kenë ndikim në jetën ekonomike të banorëve.