Vala e lejeve për të ndërtuar HEC-e të vogla me koncesion po e dëmton zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, sidomos sektorët e turizmit dhe bujqësisë. Në një analizë të posaçme për programin e reformave ekonomike në Shqipëri 2019, Komisioni Europian vlerësoi se qeveria e Shqipërisë po i ndërton këto HEC-e duke shpërfillur rreziqet që ata krijojnë në mjedis.
“Qeveria planifikon të rrisë gjenerimin e energjisë nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve të reja. Këto objekte po shkaktojnë shqetësime serioze në ndikimin në mjedis dhe kanë efekte negative të mëdha mbi komunitetet lokale dhe për turizmin” thuhet në dokumentin që Komisioni Europian lëshoi së fundi për reformat ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Duke marrë në konsideratë rritjen e pritshme të turizmit dhe intensifikimin e sektorit bujqësor, si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike, burimet ujore të Shqipërisë do të vihen nën presion nga HEC-et.
Prandaj, sipas Komisionit është e nevojshme që Shqipëria të zgjerojë qasjen e saj strategjike duke e diversifikuar prodhimin e energjisë elektrike, duke rritur investimet në prodhimin e energjisë diellore dhe të erës, si dhe të zhvillojë një strategji gjithëpërfshirëse të menaxhimit të ujit.
Një studim në terren vitin e kaluar i 20 ekspertëve të atashuar nga PNUD (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) ka vërejtur një situatë alarmante në të gjithë procesin që shoqëron ndërtimin e HEC-eve që nga momenti i dhënies së lejeve, planifikimit dhe ndërtimit.
Dëmet më të mëdha janë bërë në zonat e mbrojtura, pasi aty dendësia e lumenjve dhe ujërave është e madhe. Në zonat e mbrojtura aktualisht kanë përfunduar punimet dhe janë në operim 26 HEC-e, 16 të tjera janë në proces ndërtimi dhe 105 të tjera kanë marrë lejen.
Inspektimi në HEC-et e përfunduara, i pari i këtij lloji nga një ekspertizë e pavarur ka gjetur se pjesa e dërrmuese e objekteve janë ndërtuar pa respektuar standardet mjedisore dhe ato për mbrojtjen e faunës. Kushtet për vendkalimin e peshqve nuk janë marrë në konsideratë dhe kriteret për rehabilitimin e mbeturave dhe rivitalizimin e zonës pas punimeve nuk janë bërë.
Grupi i ekspertëve inspektoi në terren të 71 HEC-et e ndërtuara tashmë dhe shqyrtoi anën ligjore për mbi 520 lejet e dhëna. Në përfundim të kërkimeve ata kanë formuluar rreth 30 rekomandime, të cilat ia ka vënë në dispozicion Ministrisë së Energjetikës për të përmirësuar sado pak situatën.
Ekspertët kërkojnë që të mos ndërtohet asnjë HEC tjetër në zonat e mbrojtura. Nga verifikimet në terren ata gjetën se, pothuajse të gjitha HEC-et kanë krijuar erozion dhe në të ardhmen pritet të sjellin kosto të mëdha financiare në buxhetin e shtetit për të menaxhuar pasojat negative në vijimësi.
Gjithashtu ekspertët vërtetuan se Ministria e Energjitikës, gjatë dhënies së lejeve nuk ka marrë në konsideratë ligjet e tjera në fuqi për mbrojtien e mjedisit dhe zonave të mbrojtura.
Gjithashtu ata verifikuan se Shqipëria ka shkelur edhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit që i ka nënshkruar më parë. Sipas tyre lejet për ndërtimin e HEC-ve janë dhënë pa analizën kosto përfitim, por të shtyra nga logjika e plotësimit të kërkesës për energji dhe nevojës për të hapur fronte të reja për biznes.
/Revista Monitor/