Kandidati im në këto zgjedhje

1245
Foto ilustruese.

Minatorin nga Bulqiza, Elton Debreshi, e kisha mbrëmë në studion e emisionit PolitikOn në RTV Ora. Nuk prisja shumë, siç zakonisht pres pak prej të ftuarve; sepse ata, në të shumtën e rasteve, vijnë të rënduar me ngarkesa që nuk janë të tyret. Kjo ‘kasetë’ i bën të duken të panatyrshëm, të sforcuar, joorigjinalë, kopje të zbehta të njerëzve të cilëve u shërbejnë, krysisht kryetarë partish apo njerëz me peshë ekonomike dominuese.

Debreshi mbërriti i veshur me një këmishë me kuadrate, ku sundonte e kuqja, dhe me xhepa që e bënin veshjen e tij të dukej edhe më e vjetëruar në stil. Nuk kishte asgjë prej atij shkëlqimit kallp që kanë personazhet e Tiranës, të cilët zakonisht mbushin studiot e emisioneve televizive të mbrëmjes.

Ai zotëronte një thjeshtësi dhe siguri që të bënte me turp.

Habia e dytë ishte artikulimi. Debreshi, nuk e pyeta për moshën dhe as shkollimin, ruante një seriozitet dhe kadencë të frazës që e bënte të dukej një lider i njëmendtë. Ai drejton Sindikatën e Bashkuar të Minatorëve të Bulqizës, një reagim i klasës punëtore të asaj zone kundër sindikatave të tjera, ndërkohë të shitura, sipas tij, te partitë kryesore në vend.

Debreshi ishte i qartë dhe i vërtetë. Nuk rrotullonte gurët e zorit, siç bëjnë shumë prej folësve nëpër televizione. Ai shkëlqente atë origjinalitetin e dukshëm që rrjedh vetëm prej së vërtetës. Me inteligjencë e kishte kapur se termi kaq i përgjithshëm ‘oligarkët’, ishte i lodhshëm, hipokrit dhe duhej dekoduar. Përmendi Samir Manen, biznesmenin me interesa të fuqishme në Bulqizë të cilit, tha ai, nuk guxojnë t’ia përmendin emrin as më kryesorët e politikës.

Tha shumë gjëra të tjera, të gjitha spikama të një jete shqiptare ku padrejtësia rrjedh e zezë dhe e trashë si llavë vullkani të riaktivizuar. Foli për veten, për gjyshin dhe babanë, që e gdhinë dhe e ngrysën në minierë, dhe për dhjetra të tjerë që kanë lënë kockat galerive të errëta të Bulqizës. Tregoi se kish filluar punë që minoren në stoqet e kromit. Rrëfeu Bulqizën e tij dhe mijëra të tjerëve, një njollë të zezë në hartën e kapitalizmit dhe shtetit shqiptar. Ky i fundit, 30 vjet pas rënies së komunizmit, ende nuk u ka siguruar statusin minatorëve të kromit apo mineraleve të tjera.

Unë nuk mund ta ndihmoj Elton Debreshin, përveçse me këtë homazh. Duke u bërë thirrje bulqizakëve, matjanëve e dibranëve të votojnë për të. Nëse në zemrat e tyre ka pezm dhe zemërim, Elton Debreshi është hakmarrja më e mirë ndaj Tiranës së pandjeshme, hipokritëve dhe sipërfaqësorëve të saj.

Nuk e ndihmoj dot minatorin, por mund të them se guximi dhe e drejta e tij më bëjnë me turp. Ai është kandidati im, dhe nëse vota ime do të mund të transferohej në Bulqizë, unë do ta hidhja për të njëmijë herë.

Fiton apo jo, në sytë e mi ai mbetet një burrë, midis kaq shumë pak burrash në këtë vend ku njerëzit gjithmonë kanë në shpinë ngarkesën e dikujt tjetër, e cila i bën të ngjajnë të mjerë poshtë ngrefosjes së tyre.

*** Alfred Lela është opinionist dhe moderator i emisionit PolitikOn në RTV ORA.