Gjykata e Posaçme u tërhoq të enjten për të marrë vendim në çështjen ndaj ish-kryetarit socialist të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla dhe 8 të pandehurve të tjerë të akuzuar për një aferë korruptive në një tender për ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ujësjellësit në lagjen e vjetër, me vlerë afro 2.8 milionë euro.
Tërheqja për vendimmarrje u bë pasi trupa gjykuese dëgjoi konkluzionet e mbrojtjes së të akuzuarve. Të gjithë të pandehurit pretenduan pafajësi para gjykatës, ndërsa në alternativë avokatët e tyre kërkuan dënime të lehta apo të pezulluara duke pretenduar se mungonte rrezikshmëria dhe se vepra penale nuk kishte pasur pasoja.
Mbrojtja e ish-kryebashkiakut Lefter Alla ngriti një sërë pretendimesh, prej faktit që nuk kishte vepër penale, te fakti që prokuroria duhej të ishte fokusuar vetëm te një shkelje, deri te fakti që Alla si i zgjedhur nuk e njihte ligjin administrativ mirë dhe shkeljet mund të ishin pasojë e kësaj mosnjohjeje.
Edhe në kërkimin për gjykatën avokatja Klodjana Gjyzari ngriti një seri pretendimesh, duke kërkua pafajësi dhe nëse kjo nuk merrej parasysh një dënim më të lehtë apo një dënim të pezulluar duke cituar rrethana lehtësuese përfshi shëndetin e ish-kryebashkiakut.
Vetë Alla që foli pas avokates pretendoi se nuk kishte shkelur ligjin dhe këmbënguli te statusi i tij prej të zgjedhuri. Alla pretendoi se kishte sakrifikuar biznesin e familjes për “t’i shërbyer popullit të Bulqizës” dhe tha se kishte punuar me ndershmëri ndërsa përmendi një listë punësh të bëra sipas tij.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe mbrojtja e ish-nënkryetares Enkeleda Lleshi. Kjo e fundit megjithatë këmbënguli se ajo nuk kishte pasur tagra përpos atyre të lëna nga kryetari dhe këmbënguli se nuk kishte dijeni për punimet. Avokati i saj Jordan Daci i kërkoi gjykatës të mbante parasysh që Lleshi ishte studente dhe se roli i saj ishte i kufizuar.
Qëndrime për pafajësi mbajtën edhe të akuzuarit e tjerë. Biznesmeni Aqif Konesha, i akuzuar për falsifikim, pretendoi se dokumentet e sjella nga prokuroria si prova nuk ishin firmosur prej tij dhe këmbënguli të ishte i pafajshëm.
Një javë më parë më 15 dhjetor prokurorja e SPAK Dorina Bejko, kërkoi dënimin me 2.4 vjet burg për ish-kryebashkiakun Alla dhe 17.6 vjet burg gjithsej për të pandehurit e tjerë të cilët përfituan edhe ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Alla dhe zyrtarët publikë akuzohen për veprat penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.
Për të pandehurën Enkeleda Lleshi, ish-nënkryetare e bashkisë u kërkua dënimi me 2 vjet burg dhe heqjen e të drejtës për 5 vjet për ushtrimin e funksioneve publike; për Rubin Kolën, Arsen Gjokën, Leonard Daçin e Kujtim Zogun u kërkua dënimi me nga 1 vjet e 4 muaj për secilin, si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet; ndaj Erion Isakut dhe Rasim Dacit u kërkua dënimi me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet për të parin dhe 3 vjet për të dytin.
Po ashtu, prokurorja Bejko kërkoi deklarimin fajtorë dhe dënimin e dy të pandehurve për “Falsifikim të dokumenteve”. Konkretisht, për Aqif Koneshën u kërkua dënimi me 1 vit e 6 muaj burgim dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione administrative për 3 vjet; dhe ndaj Dali Gazidedjas 1 vit e 2 muaj heqje lirie.
Sipas SPAK procedura e prokurimit për të cilën akuzohen zyrtarët e Bashkisë së Bulqizës është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjn “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore.