Kalaja e Grezhdanit, një nga atraksionet turistike kryesore në Dibër

1339

Dibra është një nga zonat ku mund të bëhët turizëm gjithëvjetor dhe ku mudn të gjenden atraksione turistike të vecanta.

Një prej atraksioneve kryesore sa i takon turizmit kulturor është Kështjella e Grazhdanit, e cila njihet si ajo që i dha emrin krahinës së Dibrës dhe është një nga më të mëdhatë në Ballkan.

Arkeologu Luan Perzhita u shpreh në një prononcim se, “Turistët që vijnë në Dibër duhet të shohin atë që i dha emrin krahinës së Dibrës dhe kjo është kalaja e Grezhdanit. Ka 44 kulla kjo kala. Është 2 herë më e madhe se Butrinti dhe Bylisi”.

Arkeologu Perzhita shpjegon se, vendin kryesor në këtë areal, i cili rrethohet nga 18 kështjella, e zë qyteti i Grazhdanit, për vetë madhësinë dhe problematikën e komplikuar, që ai përmban në vetvete. Me një sipërfaqe prej 34 ha dhe mure rrethuese me perimetër 3000 m, ai radhitet në qytetet më të mëdha për antikitetin e vonë në Shqipëri.

Kërkimet e filluara në këtë qendër në vitet 2000 e në vazhdim kanë nxjerrë në dritë elemente të rëndësishëm arkitektonike të panjohur më parë në botimet e dhëna për këtë qendër, të cilat konsistojnë në ndryshimet planimetrike të formave ndërtimore të hyrjeve, kullave dhe të linjës së përgjithshme të fortifikimit, duke krijuar kështu një pamje të ndryshme si për planimetrinë e qytetit, ashtu edhe për elementë të tjerë arkitektonikë, që haset pothuajse në të gjitha kështjellat fushore ushtarake si në Skampis, rruga ‘Egnatia’, Ulpianë, rruga ‘Lissus’ – Naissus etj., e njohur deri në periudhën e Konstandinit, datuar në shek. IV.

Grazhdani është një kështjellë që ndodhet 11 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, në mes të dy përrenjve, Grazhdanit në Veriperëndim të qytetit me të njëjtit emër, si dhe Maqellarës në Jugperëndim, të cilët derdhen në lumin Drini i Zi, ndërtuar në një terren kodrinor, 525-600 metër mbi nivelin e detit. Ka një pozitë gjeostrategjike mjaft të rëndësishme në pellgun e Drinit të Zi, veçanërisht për rrugët tregtare-ushtarake që lidhen provincat e Epirit të Ri (Adriatikun), Dardanisë (Kosovë) dhe Maqedonisë II, që realizoheshin nga Via Egnatia dhe Lissus – Naissus.

Për vlerat historike dhe arkeologjike, Kështjella e Grazhdanit është shpallur monument kulture që në vitin 1974. Përreth kështjellës ndodhen disa monumente të tjera të kësaj periudhe, si Kalaja e Gradecit, Videni, Gradishta e Peshkopisë, qyteza e Topojanit etj.

Kjo qendër bën pjesë në zonën e Maqellarës, e cila lidh Maqedoninë me Dibrën dhe Kosovën. Muret rrethuese janë rreth 3.5 m të gjera, kanë perimetër afro 3000 m, janë të përforcuar nga 42 kulla të tipave katrore, drejtkëndore dhe freskore, si dhe kanë tri porta të tipit “propognaculum”, fortifikuar nga kulla masive në formë U-je, karakteristikë për një shtrirje kohore që nuk e kalon shek. IV e.s.

Kalaja e Grazhdanit ëshë një ndër atraksionet kryesore që mund të vizitohen nga turistët vendas apo të huaj që duan të vizitojnë Dibrën. /gj.m//a.ke/