Çështja e hidrocentralit të Skavicës ia ka dalë këtë herë të bëhet fjala kryesore e fushatës elektorale në Dibër, ndoshta për faktin se këto zgjedhje nuk kanë asnjë ndikim për Skavicën, as pozitivisht dhe as negativisht.
Dy kandidatët e së djathtës së përçarë e kanë futur këtë çështje në fushatën e tyre për sa më shumë vota, por në qoftë se ndonjëri prej tyre do të fitojë, ata nuk kanë asnjë mekanizëm ligjor për ta penguar.
Të dy kandidatët e së djathtës, pavarësisht vullnetit e dëshirës, e kanë të humbur betejën për kryetar të bashkisë së Dibrës.
Le t’i lëmë pasionet dhe dëshirat dhe të gjykojmë pak ftohtë:
Partia Socialiste e mori bashkinë e Dibrës në vitin 2015 me “përçarjen” që nxiti brenda të djathtës. Ajo përkrahu në prapaskenë tre aktivistë të së djathtës, që të kandidonin si të pavarur ose me partitë e tjera, duke arritur kështu t’i shkëpusnin të djathtës 1625 vota. Pas zgjedhjeve u pa se PS nuk kishte pasur nevojë për “tre” ndihmës, por vetëm për njërin prej tyre, një kandidat që vinte nga “zemra” e së djathtës në Dibër, në Blliçe, aty ku PD kishte bastionin e saj.
Aktivisti i PD-së kandidoi përmes Partisë së të Drejtave të Njeriut ose ndryshe e njohur nga populli i facebook-ut si “Partia greke”, duke i hequr të djathtës 550 vota, mjaftueshëm për ta çuar PD në humbje.
Në vitin 2022, e djathta e ndarë më dysh, si me thikë, nuk ka nevojë për asnjë “sponsorizim” majtas, pasi e ka të sigurt humbjen.
Që votuesit dhe politikanët dibranë të japin një shembull se si duhet të jenë zgjedhjet në Shqipëri, kanë sot dy mënyra:
E para u takon dy kandidatëve të djathtë. Ata duhet të shkëputen nga “porositë” e qendrës, duke lidhur një aleancë mes tyre, në mënyrë që të kenë shanse për të fituar bashkinë. Kjo aleancë duhet lidhur që sonte. Nesër është vonë. Ky veprim do të ishte një mesazh për qeverinë, por edhe një mësim për shefat e “opozitës” lart.
Zgjedhja e dytë u takon qytetarëve. Përballë “pakënaqësisë” që njerëzit nuk po dëgjohen dhe nuk janë dëgjuar për Skavicën, kanë mundësinë që këto zgjedhje t’i kthejnë në një referendum për Skavicën. Pavarësisht se cilin kandidat votojnë, ata mund të shkruajnë në fletën e votimit “Jo Skavicës”. Me këtë zgjedhje do t’i bëjnë fletët e votimit të pavlefshme, por në qoftë se kjo mënyrë votimi është në mazhorancë, do të japin mesazhin se kundër Skavicës janë të gjithë bashkë, pavarësisht bindjes politike. Dibranët bashkë janë më shumë se PS dhe PD.