Ja doni të mirën Dibrës, në 25 qershor të dalim dhe të votojmë?!

320

*Nga Edison Balla

Edhe pak ditë na ndajnë nga data zyrtare e zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë kanë nisur kalkulimet, për ndarjen e mandateve nga kampet politike.

Si cdo herë tjetër, edhe këtë herë nuk priten surpriza. Gjithcka është nën një “intinerar” standard. Cdo gjë nis me një fushatë të ethshme elektorale, me shumë premtime, me shumë akuza, me shumë baltosje, dhe si çdo herë me shumë pak ose aspak garanci për një të nesërme më të mirë.

Situata politike këtë herë kudo në Shqipëri, duket më e “ftohtë” dhe më e çtensionuar. Nëse bën një krahasim me periudhën më të afërt zgjedhore, me atë të vitit 2015, dallimi është shumë i qartë. Ka më pak flamuj, më pak banderola, më pak shtabe elektorale, dhe më pak hapësira të zaptuara publike. Në këtë kontekst kjo fushatë zgjedhore, të ngjan me një fushatë shumë perëndimore për nga dukja e jashtme, edhe pse përmbajtja, pra retorika, demagogjia, dhe populizmi mbeten po të njëjta me ato të viteve dhe fushatave të kaluara elektorale.

Situata politike parazgjedhore, padiskutim nuk ka lënë jashtë saj edhe Dibrën. Madje, për hirë të së vërtetës ajo këtë herë, duket më e paparashikueshme se çdo qark tjetër në rang kombëtar. Kjo për një sërë arsyesh, që e bëjnë situatën mjaft të “kamufluar” si pasojë e figurave që kandidojnë në këtë qark, të cilat kanë habitur e surprizuar pjesën më të madhe të qytetarëve, ngaqë kandidaturat më popullore dhe më të mundshme për të qenë deputet në parlamentin e ri, janë listuar të fundit në preferencat e kryetarit të partisë.

Kohëve të fundit më ka rastisur të takoj një numër të madh të rinjsh, dhe qytetarësh dibranë të cilët në pamundësi për të ndryshuar aktualitetin dhe skeptik ndaj realitetit, shprehen të indinjuar për një sërë emrash që ju janë servirur për t’u votuar në këto zgjedhje. Nga ana tjetër një numër po kaq i konsiderueshëm, shfaqen me qëndrime prej “tifozi” duke mbështetur qorrazi, një parti apo një kandidat të caktuar politik.

Përsa i përket kategorisë së parë, e kam të vëshirë t’ia jap një përgjigje, ndërsa për kategorinë e dytë mund t’u them që “e ardhmja nuk është një letër skedine, ku të ngelet të provosh fatin”. Por edhe nëse  vazhdoni ta shihni të ardhmen si një letër, mundohuni të shkruani aty fjali me kuptim dhe jo shkarravina. Shkruani me një “bojë cilësore” që të mos hiqet lehtë nga ajo letër.

Në zgjedhjet e fundit për kryetar bashkie, Dibra mbase edhe padrejtësisht u përfol, u pergojua, dhe mori përsipër “fatura morale” që nuk duhej ti merrte. Jemi koshient që kjo nuk ndodhi për fajin e njerëzve të thjeshtë, por për fajin dhe turpin e atyre që e kanë parë dhe e shohin Dibrën thjeshtë si një “plaçkë” që mund të tregtohet në një treg të lirë çam. Dibra ime, Dibra juaj, Dibra e dibranëve të vërtetë nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë as sot e tillë, pra një plaçkë që mund të shitet e të blihet sikur t’u teket horrave dhe armiqve që e shohin atë vetëm si një instrument për përfitime materiale.

Aty ku thërret varfëria dhe ku luhet kafshata e gojës, humb zgjedhja e lirë, por ama ngelet dinjiteti”. Me këto fjalë jam munduar t’ua shpjegoj të gjithë skeptikëve që nuk e njohin Dibrën, dhe që padrejtësisht hidhnin baltë në drejtim të saj, për zgjedhjet që u përfolën herën e fundit në rang lokal. Jam munduar t’u them atyre se dibranët mund të jenë njerëz të varfër, me halle si kudo tjetër, në skamje mbase, por ama dibranët nuk shiten e as nuk blihen, edhe pse kanë nevoja elementare.

Në përditshmërinë time, sidomos në këtë kohë ku kryefjalë e ditës janë “zgjedhjet” sinqerisht mundohem të kuptoj e mirëkuptoj çdokënd. Edhe atë që nuk sheh asnjë shpresë tek politika, dhe konkretisht tek këto zgjedhje. E mirëkuptoj këtë kategori, kur me të drejtë thotë: këta janë të gjithë njëlloj. Tek e fundit realiteti i tillë na është servirur. Edhe kur në politikë është përfshirë ndonjë figurë e re vizionare, me ide të qarta, qëllime pozitive dhe me integritet, padrejtësisht është baltosur dhe është kategorizuar me ata që janë “të gjithë njëlloj”.

Sot, kam shumë këshilla, sugjerime dashamirëse, pa dashur të bëj të zgjuarin në sytë e askujt. Kam vetëm një “merak”. Të bëjmë zgjedhjen më të mirë për Dibrën, dhe nga ana tjetër të “ndëshkohen” ata që mendojnë se dibranët janë thjesht shifra që mund ti shtojnë apo ti zvogëlojnë sipas oreksit të tyre.

Këshilla ime e parë, është që çdokush që ka të drejtën e votës, të paraqitet në qendrën e votimit dhe të bëjë zgjedhjen më optimale që mendon. Së dyti, të mos harrojmë se vota jonë, jo vetëm që është mekanizmi pothuajse i vetëm dhe më efiçent që kemi në dorë një herë në katër vite, por është një mënyrë e mirë për të “larë hesapet” me të gjithë ata që mendojnë se do ta kalojnë lehtë si çdo herë tjetër. Kur të shkoni të votoni, mendoni që këta, pra ata që do të zjidhen, na kanë në dorë çdo ditë, ndërsa ne i kemi në dorë një herë në katër vite, ndaj dhe le të mendohemi mirë para se të bëjmë zgjedhjen tonë.

Paratë, favoret, interesat shkojnë e vijnë, ama ajo që mbetet është morali dhe dinjiteti jonë që as blihet e as shitet. Fundja, siç thotë populli: “për një copë nder rrojmë”.

Historia, jo më kot e ka cilësuar Dibrën si vendin e mendjes dhe të urtesise. Këtë fakt na e kanë vërtetuar edhe mjaft figura me peshë që kanë dalë nga Dibra, dhe kanë lënë gjurmë kudo ku kanë shkuar. Kjo është një arsye e fortë që në 25 qershor ne, dibranët e thjeshtë, t’ua rikonfirmojmë edhe njëherë këtë fakt të gjithë atyre që mbase e kanë harruar. A mundet një popull i zgjuar, që të zgjedhë njerëz injorantë për ta përfaqëuar? Jam i bindur që jo, ndaj dhe ata që mendojnë se mund ti hedhin hi syve dibranëve, me ca emra pa kurrfarë impakti apo formimi, ju them të shkojnë andej nga kanë ardhur, sepse dibranët nuk mund dhe nuk do të zgjedhin njerëz të paditur për ti përfaqësuar.

A mundet një popull i thjeshtë, me halle, dhe që lufton çdo ditë me varfërinë, që të zgjedhë oligarkë dhe njerëz të korruptuar për ta përfaqësuar? Jam i bindur, që dibranët nuk do ta bëjnë këtë gabim, ndaj dhe tregojuni atyre se nuk mund të tallen me ne, duke i ndëshkuar me votë.

A mundet një popull i udhëzuar që të zgjedhë njerëz të paudhë për ti përfaqësuar “nesër” në parlament? Jam mëse i bindur, që pavarësisht parave, interesave afatshkurtra, apo çdo përfitmi tjetër, dibranët nuk do të votojnë njerëz të tillë, ndaj dërgojini në dreq andej nga kanë ardhur këto lloj njerëzish.

Keni edhe pak ditë kohë, para se të votoni ndaj bëjini mirë llogaritë. Zgjidhni t’ju përfaqësojnë njerëz të arsimuar, të formuar profesionalisht, me integritet dhe moral njerëzor. Harrojini partitë, votoni për emrat, votoni për ata njerëz që mbase i njihni më mirë, që janë dibranë me gjak e me emër. Zgjidhni ata persona që nuk janë përfolur për afera korruptive, që nuk janë kriminelë, sepse tek e fundit midis zgjedhjeve të tillë jemi sot. Mos zgjidhni vetëm për vete, ju lutem me 25 qershor bëni zgjedhjen e duhur edhe për fëmijët tuaj.