Më shumë se dy muaj protestë e opozitës për kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe hezitimi i kreut të mazhorancës së majtë, Edi Rama, për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje jashtë ndikimit të eksponentëve të krimit dhe klaneve të kultivimit e trafikimit të kanabisit e futën procesin e zgjedhjeve të reja parlamentare në një ngërç institucional.
Kriza e thellë zgjedhore u bë më evidente pas tejkalimit të afatit ligjor të regjistrimit të koalicioneve, 60 ditë para zgjedhjeve. Ky afat, data 19 prill 2017, ligjërisht nuk rikonfirmoi Aleancën e Majtë PS-LSI, ndërkohë që PD dhe 24 parti të tjera aleate të saj, me mosregjistrimin si koalicion në KQZ deri më 19 prill konfirmuan qëndrimin e palëkundur për të mos pranuar të hyjnë në zgjedhje me këtë qeveri që kanabizoi gjithë Shqipërinë. Ndërsa PS e LSI, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor i kërkuan KQZ-së të shtyjë afatin e regjistrimit të partive e koalicioneve, opozita e djathtë e denoncoi publikisht këtë tendencë për shkelje flagrante të ligjit.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike dhe i gjithë opozitës është shprehur tashmë. Partia Demokratike, opozita dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë që prej 18 shkurtit ndodhen në një lëvizje popullore, qytetare, kombëtare dhe demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, as nuk do të pranojë, as nuk do të lejojë zgjedhje farsë, zgjedhje me krimin, zgjedhje me drogën dhe për këtë, kushti i patjetërsueshëm është largimi i Edi Ramës dhe formimi i një qeverie teknike me vullnet të të gjitha forcave politike që do të mundësojnë krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke zbatuar ligjin për dekriminalizimin dhe duke luftuar influencën e krimit të organizuar dhe parave të pista të drogës”,-deklaroi kryetari i PD-së Lulzim Basha.
KURRË NUK DO TË KETË NJË REFORMË QË E DORËZON DREJTËSINË NË DUART E EDI RAMËS
Një ditë pas votimit në parlament të emrave nga PS-LSI për komisionin ad-hoc të vetingut, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se kurrë nuk do të ketë një reformë, që e dorëzon drejtësinë në duart e Edi Ramës.Projekti i reformës në drejtësi, sipas Bashës u bë në bashkëpunim mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ndaj të cilëve kreu i demokratëve lëshoi akuza të forta. Sipas Bashës, diplomatë të lartë të Tiranës do të dënohen nga institucionet e Bashkimit Europian shumë shpejt, sepse shumë shpejt do të japin llogari për bashkëpunimin në një komplot të ngritur nga Edi Rama lidhur me reformën në drejtësi.
Çdo herë që ka zgjedhje, qytetet mbushen plot me flamuj partiakë 2-3 muaj para datës së votimit, por ky fenomen e ka prishur rregullin e tij për zgjedhjet e 7 majit në Kavajë. Si asnjëherë më parë në një pragfushate elektorale, në qytetin e Kavajës nuk ka as flamuj dhe as postera partiakë.
Diçka e tillë mund të jetë edhe rezultat i mungesës së garës në këtë qytet, pasi në zgjedhje do të garojë vetëm një kandidat, ai i PS-së. PD i ka bojkotuar këto zgjedhje dhe ka lajmëruar për një protestë ditën e votimit, ndërsa LSI është shprehur se nuk do marrë pjesë në to, për shkak se i cilëson si zgjedhje farsë.
TË KORRUPTUARIT ME “PASAPORTË TË HUAJ”
Pak ditë më parë, kreu i PBNJD-së, Vangjel Dule u shpreh në një forum në UET se disa përfaqësues të vendeve të huaja në Shqipëri i kanë thënë atij dhe aleatëve të Lulzim Bashës që të garojnë në zgjedhje pa PD-në që të fitojnë ndonjë mandat më shumë.
Basha me aleatet pas një takimi me ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë është shprehur se takimet me diplomatët kryesisht kanë qenë në formën e paraqitjes së argumentave të njohura nga ana e partive të opozitës. Kam dëgjuar dhe diçka të cilën po ta kisha dëgjuar individualisht nuk do të merrja përgjegjësinë ta thoja publikisht. Fatmirësisht isha dhe me kolegë të tjerë politikanë, ditët e fundit, që dëgjova një propozim kaq cinik që nuk e besova se e dëgjova.
Na u tha në prani të përfaqësuesve të 4-5 forcave politike që ndoshta mund të ishte një shans i mirë për ne që të përfitonim nga mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhje për të marrë ndonjë mandat më tepër. Nëse do të isha “tetë a tetë” me atë bashkëbisedues nuk do të merrja përgjegjësinë ta thoja publikisht, por isha me fat se isha me të tjerë që e dëgjuan. Duhet ta keni të qartë që ka dhe nga këto mendime”, tha Dule.Por sot nga çadra e protestës, e ngritur para Kryeministrisë prej më shumë se një muaj e gjysmë, Lulzim Basha foli për një “të korruptuar me pasaportë të huaj” i cili sipas kreut të opozitës, “së shpejti do japë llogari”.
Sipas Bashës drejtësia që do të kemi në republikën e re do të jetë sipas sipas formulës : SHBA-Bruksel, Nuland-Hahn, jo sipas formulës: Rama-Tahiri- Shullazi dhe ndonjë i korruptuar me pasaportë të huaj që s’po ia them emrin sot për kortezi, që së shpejti do japë llogari. Ky është vetingu që donte për drejtësinë, jo për gjyqtarë dhe prokurorë që luftojnë krimin dhe korrupsionin, por që t’i kontrollonte ky si manar. Të njëjtin plan ka edhe për zgjedhjet, të ndalojë gjykimin popullor me votë që është vetë demokracia”, tha Basha.
Por, vetëm pas pak ditësh rezultoi se akuza e Dules është e vërtetë dhe pas kësaj kërkese fshihet një zyrtar i huaj. Bëhet fjalë për Eduard Auer, shef për Divizionin për Ballkanin Perëndimor në BE. Takimi është bërë me datë 6 prill nga ora 17.30 deri në ora 18.30.Ndërkohë, është bërë e ditur se zyrtari i lartë është thirrur në Tiranë nga ambasadorja e BE në vendin tonë, Romana Vlahutin.
Ka qenë kjo e fundit që ka organizuar një takim me aleatët kryesorë të Lulzim Bashës, përkatësisht me Dashamir Shehin, Vangjel Dulen dhe Fatmir Mediun. Lulzim Basha deklaron nga çadra se opozita ka të drejtë të kërkojë jo vetëm largimin e Edi Ramës nga qeveria, por edhe procedimin dhe arrestimin e tij.
Sepse, – thotë Basha, – ai është personi përgjegjës për kanabizimin dhe kriminalizimin e vendit. Kjo ishte përgjigjja që Basha i dha raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, i cili, në një bashkëbisedim me disa gazetarë në Bruksel u shpreh kundër qeverisë teknike. Basha paralajmëroi se “Republika e Re”, siç e quan ai projektin e tij për qeverinë, do të kërkojë edhe ndryshime të Kushtetutës, për të kufizuar mandatin e kreut të qeverisë.
Të njejtin qëndrim mbajti opozita edhe ndaj deklaratave të Ministrit të Jashtëm gjerman, Gabriel, i cili gjatë vizitës së fundit në Tiranë u shfaq hapur pro qeverisë Rama, duke injoruar kërkesat e opozitës dhe fenomenin e kanabizimit të vendit.
Ky qëndrim i shefit të diplomacisë gjermane u kritikua edhe nga LSI. “Deklaratat që nuk janë të balancuara nuk ndihmojnë në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, si rezultat i papërgjegjëshëmërisë politike të shqiptarëve, ndaj duhet të marrë zgjidhje këtu.Duhet të dominojë arsyeja, sepse interesat e vendit janë prioritare.
Edhe njëherë thirrja e LSI është: Shmanguni marrësisë. Boll kosto i janë krujuar vendit nga marrësitë politike. Ka ardhur koha e përgjegjësisë politike.LSI e ka bërë të qartë, ndaj mos prisni që intersi i koalicionit të vihet mbi interesat e Shqipërisë. Eshtë urgjente, ulja në tryezën e dialogut për zgjedhje të lira në interes të shqiptareve”,-deklaroi kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Luan Rama.
JA PSE OPOZITA NUK PRANON TË HYJË NË ZGJEDHJE ME QEVERINË AKTUALE
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste ka zhvilluar një takim me strukturat dhe banorët e njësisë 7 në Tiranë. Në këtë takim, kryetari Agron Duka u shpjegoi të pranishmëve dy arsyet kryesore se pse PAA vendosi të mos regjistrohet në zgjedhje.
“Përse Partia Agrare Ambientaliste ka vendosur të mos regjistrohet në zgjedhje me këtë qeveri? Pse është bërë palë me Partinë Demokratike dhe aleancë me opozitën? Për dy arsye. Arsyeja e parë është sepse nuk garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë ju jeni të gjithë dëshmitarë që zgjedhjet e pjesshme të 2015 patën shumë problematika në të gjithë Shqipërinë.
Partia Socialiste punën e parë që bëri tha se sapo të vinte në pushtet do të shfuqizonte ligjin e mbetjeve, përkundrazi tani po tenton me të gjitha mënyrat që ta realizojë atë, pra të lejojë futjen e mbetjeve në Shqipëri. E gjetur përballë kësaj situate, për këto dy arsye, që janë arsye sublime, pra për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të gjithë çështjet me të cilat merret Partia Agrare Ambientaliste ndjehet e tradhtuar. Kjo pasi nuk është realizuar asgjë nga ato që ka premtuar PS, ne jemi të detyruar të marrim këtë vendim, i cili është i vështirë, nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë. Është një vendim i sforcuar në një situatë të sforcuar”, – ka bërë të ditur Duka.
Nga krahu kundërshtar, Majko sulmon kreun e KQZ: Mos flisni që nga çështjet zgjedhore e deri tek çështjet e Gjirit Persik
KRIZA E ZGJEDHJEVE DHE ENIGMA E KOALICIONEVE
Pas letrës që Zyra juridike në kuvend i dërgoi kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, për afatet dhe procedurat e zgjedhjes së Presidentit të ri, mazhoranca e majtë nisi zyrtarisht më 19 prill procesin e zgjedhjes së presidentit të Ri të Republikës. Votimi i parë u krye pa asnjë kandidat zyrtar për kreun e ri të shtetit.
“Mandati i Presidentit Bujar Nishani mbaron në 24 korrik 2017. Procedurat nisin 60 ditë para mbarimit të Kuvendit. Mandati i Kuvendit aktual përfundon në 9 shtator 2017. Procedurat të fillojnë jo më herët se 13 prilli 2017”, thuhet në këtë letër.
Kriza po thellohet. Ende e paqartë formula e formimit të koalicioneve. Koalicionet duhet të vijnë si rezultat i një pajtimi të madh. Si do të ishin ata më të dobishme në të mirën e vendit? Ja disa shembëlltyra.
Gjermania i ka bërë këto koalicione në 1966 dhe në vitet e fundit, me objektiva precizë¬ reformë taksash, apo më vonë për të shmangur krizën politike të gjatë. Kosova gjithashtu, ka koalicione të mëdha në dy raste,megjithëse gjendet në Ballkan. Kroacia ka realizuar me sukses një Pakt Kombëtar për integrimin që parashikonte që si negociator me BE-¬në të ishte një përfaqësues i opozitës, që ligjet e integrimit të kishin korsi preferenciale parlamentare, etj, etj. Pra kemi tre tipologji vendesh që kanë realizuar me sukses qeveri me bazë të gjerë: Gjermania, me standarte të larta qeverisjeje; Kroacia në pritje të aderimit në BE ; Kosova ende jo antare e OKB¬së pse llogaritë elektorale të stabilitetit ia impononin. Parë kështu, Shqipëria i ka brenda historisë së saj të afërt politike të tre nevojat që kanë patur tre vendet e mësipërme. Dhe ka arsye të paktën të tejkalojë Kosovën, e cila në këtë pikëpamje ka treguar pjekuri më të madhe politike. Koalicioni i gjerë nuk u imponua nga ndërkombëtarët, por u arrit si pajtim i vetë partive më të mëdha.
Thuhet se në janar 2018 do të fillojë procesi i negociatave. Ne natyrisht nuk kemi kohë të vonohemi. Ajo që duhet të interesohet e para për zgjedhje të lira dhe të ndershme duhet të jetë mazhoranca.
Ende palët janë në llogore. Priten zgjidhje . Në politikë kurrë nuk thuhet kurrë. Do çliroheshin energji pozitive të reja, e keqja do kishte më pak hapësirë. E kaluara do shihej me sy të përafruar, por dhe e ardhmja gjithashtu. Meta u shfaq me tone më të moderuara edhe lidhur me të ardhmen e koalicionit ndërsa tha se “duhet t’i japim garancitë e duhura opozitës, sepse përndryshe do të vëmë në pikëpyetje jo vetëm legjitimitetin e institucioneve, por do të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin e një pushteti që ky koalicion mendon se mund ta rikonfirmojë përmes zgjedhjeve të lira dhe të drejta, si dhe do të vëmë në pikëpyetje të gjitha reformat e tjera”. Zhvillimet politike po lëvizin me shpejtësi. Sfida mbetet zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të gjihëpranuara. Procesi elektoral kërkon përfshirje.
/Gazeta Bulqiza/