INTERVISTA/ Tançi: Bulqiza, vendi me pasurinë më të madhe kombëtare, sot vendbanimi i njerëzve më të varfër

865

Fehmi Tançi nuk është një figurë e panjohur për Bulqizën. Si inxhinier gjeolog në profesion, por edhe për faktin se ka mbajtur disa detyra shumë të rëndësishme shtetërore. Në vitin 2013 ishte kandidat për kryetar të Bashkisë Bulqizë nën siglën e Partisë Demokratike. Prej muajsh është larguar nga Shqipëria dhe jeton në Amerikë, bashkë me familjen e tij. Në këtë intervistë për bulqizaime.al Tançi na rrëfen për vitet e tij në Bulqizë, dhe jetën e re në Amerikë, por edhe një këndvështrim nga larg të asaj se çfarë ndodh në Shqipëri.

Intervistoi
Sami CURRI

1- Z. Tançi, ju nuk keni shumë kohë që jeni larguar nga Shqipëria për në drejtim të Amerikës, pse kjo zgjedhje?

Unë jam larguar nga Bulqiza dhe Shqipëria njëkohësisht në 27 Korrik 2014 me një vizë turistike për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por që të jem i sinqertë, që në momentin e nisjes kisha një qëllim të qartë: Të shikoja mundësinë e tërheqjes së bashkëshortes dhe fëmijeve dhe të një qëndrimi të përhershëm këtu në USA.

Qëllimi im u realizua shumë shpejt, falë hapësirave ligjore që ky vend gjigand i demokracisë të mundëson dhe falë Zotit. Në fund të muajit Qershor 2015, pasi vajza dhe djali përfunduan sezonin shkollor dhe provimet e rastit, ne u bashkuam këtu për të vazhduar një jetë totalisht të re dhe nga e para, me të drejtë të përhershme qëndrimi.

Kjo zgjedhje e imja nuk ishte e rastësishme dhe nuk erdhi në një ditë.

Unë kam qenë një ndër studentët më aktiv të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90, edhe për shkak të origjinës time familjare, ku si ndëshkim i fundit i biografisë së familjes ishte refuzimi i ndjekjes së studimeve të larta për pesë vite rresht (1985-1990). Dhe nga ky moment dhe deri ditën që u largova kam aderuar dhe kam kontribuar ne PD. Por kjo rezultoi në një pasojë që kur PD-ja ishte në opozitë unë të lihesha pa punë, pavarësisht profesionit apo aftësisë. Dhe kjo formë ndëshkimi pa diskutim që ta vështirëson vijueshmërinë e një jete normale dhe të qetë.

Ndaj edhe kërkon një shpjegim më të plotë për atë se çfarë po ndodh me demokracinë dhe shpresën për një të ardhme të sigurtë në vendin tonë?

Unë kisha aplikuar Llotarinë Amerikane nga viti 1991 deri në vitin 2013, pasi në rininë time Amerika ishte ëndërra ime. Por llotaria është çështje fati dhe unë nuk e pata fatin të më “binte llotaria”. Kështu që kjo ëndërr rinore, me kalimin e viteve, po shuhej. Por nuk mbetej opsioni im i vetëm për të ndërtuar jetesën dhe të ardhmen time dhe të familjes në vendlindje.

Unë jam investuar intelektualisht dhe moralisht që të siguroj një të ardhme të sigurt për familjen me punë të ndershme dhe vetëm me djersë.

Si inxhinier gjeolog në profesion, e ushtrova këtë detyrë për rreth gjashtë vite në  Minierën e Kromit Bulqizë deri kur erdhi viti 2001, kur po përgatitej në mënyrën më të errët dhe mafioze nga pushteti i kohës kalimi i saj në një formë të re drejtimi dhe menaxhimi, në “Koncension”. E kam vendosur në thonjëza pasi ai vetëm koncension nuk ishte. Puna dhe djersa e mijëra punonjësve ndër vite, përveç shfrytëzimit barbar që i bëri kësaj pasurie kombëtare regjimi komunist, po i jepej pa asnjë transparencë, pa asnjë bisedim me palën më të interesuar dhe të prekur, punonjësit, një subjekti gjoja italian, i cili në fakt nuk egzistonte.

Personat ishin tërësisht shqipëtar duke filluar nga kryeministri i kohës Meta, Ministri i Ekonomisë Muçi, dhe persona të tjerë të sajuar në Tiranë dhe Bulqizë të cilët do të zbatonin atë “koncension”.

Sinjalet i kishim dëgjuar rreth një vit më parë, dhe me kërkesë dhe insistim të shume punonjësve dhe specialistëve të minierës, nga Prilli i vitit 2000 unë mora përsipër organizimin e Sindikatës së Minatorëve për të kundërshtuar këtë krim dhe vjedhje që pritej të vinte shumë shpejt.

Jam krenarë që me shumë punonjës dhe specialisët të zgjedhur në strukturat drejtuese te sindikatës bëmë çdo përpjekje ligjore që kjo vjedhje e kësaj pasurie të madhe të mos ndodhte, por ai ishte një shtet “pa veshë”, i dhunshëm, i korruptuar.

Në këto kushte ne nuk mund të kishim sukses në frenimin dhe ndalimin e kësaj grabitje “me kontratë”. Kjo bëri që drejtuesit e rinj lokal të koncensionit mafioz ma shprehën hapur ndëshkimin duke më kaluar në reformë edhe pse pozicioni im i punës nuk ishte shkurtuar apo shkrirë.

Dhe kjo periudhë pa punë zgjati pak më shumë se katër vite (Korrik 2001-Nentor 2005).

Në vitet 2005-2013 kam kryer detyra te ndryshme administrative si Nënprefekt i rrethit Bulqizë, Drejtor i Mirëmbajtje Rruga Bulqizë, Sekretar i Këshillit të Qarkut Dibër dhe Drejtor i Shërbimit Pyjor Bulqizë.

Në të gjitha këto funksione, pavarësisht çdo lloj vështirësie “alla shqiptare” busulla ime ka qenë zbatimi i ligjit dhe kam urryer dhe penguar çdo formë korrupsioni tek të tjerët dhe vartësit e mij.

Një betejë të vërtetë me këtë fenomen më është dashur ta zhvilloj p.sh. në Shërbimin Pyjor, të cilin në raport me nivelin që kishte fenomeni dhe si funksionojnë hallkat e shtetit tek ne, them se e përmbysa në një masë të madhe.

Në pozicionin e fundit me gjeti ardhja në pushtet e PS vs Rilindje dhe ministri i emëruar më liroi nga detyra, duke vendosur në aktin e lirimit akuza të shumta për “mos ushtrim të funksionit”, të gjitha të pabazuara dhe thellësisht abuzive.

Për këtë ju drejtova gjykatës dhe kam fituar gjygjet në të dy nivelet e saj: Gjykatë Administrative dhe Gjykatë Apeli. Por akoma nuk kam marrë demshpëblimin financiar të vendosur nga gjykata, për shkaqe të moszbatimit të tyre, që njihet në Shqipëri.

Aplikova që në verën e vitit 2013 në Shoqërinë Koncensionare Albanian Chrome që të filloja punë në profesion si inxhinier gjeolog, apo pozicione të tjera që ata mund të kishin nevojë, por ishte e pamundur. Vende të lira kishin, pasi po merreshin inxhinierë nga rrethe të tjera, por mua nuk më morën.

Dhe motivi ishte shumë i qartë për mua, pasi nën zë këtë ma thonin miq dhe shokë nga brenda kompanisë: Unë isha demokrat dhe nuk do të merresha në punë.

Për më tepër në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Bashkie të Bashkisë Bulqizë që u zhvilluan në një ditë me zgjedhjet e përgjithshme (23 Qershor 2013) mu propozua nga PD-ja që ta përfaqësoja si kandidat për këtë bashki, në të cilat mora një rezultat negativ (rreth 1300 vota më pak) dhe njëkohësisht shokues për mua.

Shumë faktorë ishin në dëm të këtij kandidimi, si:

  • fakti që e kishim drejtuar bashkinë për rreth 10 vite dhe tre mandate me të njëjtin kandidat,
  • fitorja e mandatit paraardhës të bashkisë (maj 2011) nga kandidati jonë me një diferencë 68 vota përballë një kandidati pa arsim të lartë, pa asnjë përvojë të mëparshme administrative dhe pa qenë asnjë ditë anëtar i PS-së,
  • fakti që PD-ja në mandatin e dytë qeverisës duke kryer një koalicion të pamoralshëm politikisht me një parti të majtë (LSI), dhe për shkak të krizës globale vinte në këto zgjedhje me një konsum të madh,
  • kandidimi im u vendos vetëm 10 ditë para datës së zgjedhjeve,
  • efekti që pritej të kishin në rezultat lekët e pandershme dhe të shumta të fituara pa djersë nga shfrytëzimi korruptiv dhe mafioz i kromit, etj.

Por unë besoja fort në gjykimin e ftohtë të bashkëqytetarëve të mij dhe e pranova këtë propozim dhe konkurim të vështirë.

E njoh dhe e pranoj pa kushte postulatin se “Populli nuk gjykohet”.

Por jam i bindur që ky nuk ishte gjykimi i një populli të pavarur, por fatkeqësisht i një mase të madhe që pranojnë të shesin dhe të blejnë votën e tyre, dhe që deformojnë votën e vërtetë ne Shqipëri.

Deformimi është kaq i madh sa unë shtroj një pyetje të thjeshtë retorike:

Sa këshilltarë të Këshillit Bashkiak Bulqizë aktual janë me arsim të lartë, pa marrë në konsideratë integridetin moral të askujt? Kush çoi në këtë nivel të deformimit përveç blerjes së votës dhe përdorimit të vlerave monetare të fituara jo me djersë?

Po kaq shembull i freskët që tregon përmasën e këtij fenomeni ishin zgjedhjet e pjesshme lokale ne Bashkinë Peshkopi në vitin 2015.

Me atë skandal moral që iu zbulua në media kryetarit që ishte, falë guximit të lartë që vajza demostroi duke e demaskuar atë mostër në publik, kush mund ta imagjinonte që e njëjta forcë politike të fitonte dhe për më tepër me një rezultat të pa arritur më parë?

Dhe ku? Në Dibrën e traditave, Dibrën e 9 Maleve.

Për të gjitha arsyet më sipër, shto edhe të gjitha arsyet e tjera kombëtare, të cilat kanë bërë që nga vendi të largohen gati gjysma e popullsisë, hemoragji e cila vetëm rritet për fat të keq, bënë që edhe unë të marr një vendim kaq të vështirë për të ardhmen e fëmijëve të mij: Të largohem nga vendi im i lindjes në moshën 48 vjeçare.

2- Mund të na tregoni, e patët të vështirë ambientimin dhe përballjen me një jetë të re?

Patjetër që është e vështirë.

E vështirë është edhe sikur të lëvizësh brenda vendit, p.sh. nga Bulqiza në Tiranë, Durrës, etj. Së pari duhet të kesh mundësi ekonomike për një shtëpi. Pastaj më kryesorja mbetet gjetja e një pune për të siguruar të ardhurat për shpenzimet e jetës së përditshme.

Ndërsa zhvendosja me familjen në një vend të huaj është disa herë më e vështirë.

Ky shtet është konceptuar si vendi që pret pa u ndalur refugjatë, emigrantë, me llotarinë, me statuse politikë, etj. Ndaj edhe është konceptuar të funksionojë si i tillë.

Në rastin tim e vetmja lehtësi ishte pasi unë erdha një vit më parë se të vinin bashkëshortja dhe dy fëmijët. Pastaj pajisja me dokumenta te rregullta për një kohë rekord, në rastin tim ishte një tjetër lehtësi e shtuar.

Vështirësia e parë është gjuha. Unë isha marrë për një kohë të gjatë me anglishten, por duke mos e përdorur thuajse fare ngelet vështirësi aftësia për të komunikuar dhe kuptuar mirë bashkëbiseduesin.

Fëmijët i kisha mbajtur gjithë vitet në kurset që zhvillohen tek Qendra e Kulturës, shto edhe lëndën anglisht që kanë zhvilluar në shkollë. Kështu që ata nuk ndjenë asnjë vështirësi në nisjen e studimeve në gjuhë të huaj. Që në simestrin e parë të vitit të parë patën rezultate të shkëlqyera, dhe kështu vazhdojnë.

Ndërsa bashkëshotja nuk kishte fare dijeni të gjuhës angleze. E kam regjistruar në një kurs dhe vazhdon mësimin e saj. Pastaj vështirësia tjetër mbetet gjetja e një pune. Kuptohet që këtu thuajse nuk të njihet fare CV-ja, pra niveli yt arsimor, përvoja e jetës, etj. Gjithçka duhet nisur nga e para. Dhe kjo për moshën tonë është një vështirësi e shtuar.

Këtu jeta është e shtrenjtë, vetëm qeraja e një apartamenti është më shumë se 2/3 e pagës mujore. Gjithësesi këto vështirësi janë të pashmangshme, kështu që duke e përgatitur veten me këtë realitet lehtësohet vështirësia. Motivi jonë kryesor mbetet shkollimi dhe prosperimi i fëmijëve.

Sa më mirë ata ta kryejnë këtë detyrë aq më të realizuar do ta quajmë ne si prindë detyrën që i vendosëm vetes: Nisjen e një jete të re larg vendit, të afërmve, miqve vetëm për një të ardhme më të sigurtë të fëmijëve.

3 – Ju keni ushtruar detyra të ndryshme në Bulqizë, ku pak përpara se të largoheshit ishit edhe kandidat për pozicionin e kryetarit të bashkisë Bulqizë. Ky ndryshim, dhe tani emigrant në një vend të huaj sa ndikoi tek ju?

Për të shpjeguar motivet e largimit nga vendi një pjesë të mirë të kësaj pyetje, ku përfshihen aktiviteti, detyrat dhe kandidimi për Bashkinë Bulqizë, e kam shtjelluar në pyetjen e parë.

Të largohesh nga vendi është gjithmonë e vështirë. Vetëm ata që e kanë provuar e njohin këtë vështirësi. Por të largohesh nga vendi në moshën time (48 vjeç) është disa herë më e vështirë.

Dy ditë para se të largohem kam dhënë provim për një fakultet të dytë në degën Financë Komtabilitet, të cilin e kisha nisur part time katër vite më parë dhe vetëm për dy provime me mbeti diploma pa e mbrojtur, pasi u largova.

Shto edhe rreth 25 vite përvojë pune në profesion dhe detyra të ndryshme administrative. Dhe papritur të nisësh gjithçka nga zero?! Është vërtetë shumë e vështirë. Kur ra regjimi diktatorial dhe u legalizua demokracia në vend, edhe më pesimisti kurrë nuk mund ta imagjinonte se tranzicioni do të ishte kaq i gjatë dhe i vështirë.

Ky tranzicion ka marrë më shumë se gjysmën e viteve të regjimit komunist dhe tani që shkruaj këtë intervistë demokracia dhe e ardhmja e saj është në diskutim më shumë se kurrë më parë, të paktën pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997.

Një hemoragji e vërtetë njerëzore i ka ndodhur vendit tonë në këto 27 vite.

Megjithëse kanë lënë vendin gati gjysma e popullsisë, duke u shpërndarë në të katër anët e botës, akoma sot, si në vitin 1991, nëse do të kishin ku të largohen, shumica e shqiptarëve që akoma gjenden në Shqipëri do të zgjidhnin largimin nga vendi. Dhe kjo është shumë e dhimbshme dhe që ka një shkaktarë të vetëm: politikanët shqipëtar. Për më tepër këta që janë sot në pushtet, pasi kanë një trashëgimi nga komunizmi dhe tashmë janë shartuar edhe me krimin në parlament, bashki e komuna, dhe me kultivimin e drogës.

Kështu që tre vite pas largimit, fatkeqësisht ajo zgjedhje ngelet po kaq e mirëqenë.

4- Në Amerikë ka edhe shumë Shqiptarë të tjerë nga Bulqiza dhe Dibra, ju bie rasti të takoheni?

Keni të drejtë, shqipëtarët në Amerikë janë bërë një komunitet i madh. Dhe bulqizakët dhe dibranët janë një pjesë e mirë e këtij komuniteti.

Unë jam ndalur të banoj në Brooklyn, New York, aty ku janë grumbulluar shumica e bulqizakëve. Që do të thotë që për shkak të tyre kam zgjedhur të banoj në këtë lagje te New Yorkut, e cila është më e madhe se Shqipëria.

Takohemi me njëri tjetrin sa më shpesh të jetë e mundur. Qajmë hallet me njëri tjetrin, diskutojmë dhe interesohemi për të afërmit e njëri – tjetrit, për mbarëvajtjen e vendit, etj.

Ata që kanë ardhur më herët orientojnë dhe ndihmojnë me çfarë munden më të rinjtë, dhe kështu stafeta vazhdon. Egziston një traditë e mirë për t’ju gjendur njëri – tjetrit në të mirë dhe në të keq. Ne jemi vendosur në një kontinet tjetër dhe kjo traditë merr një vlerë të madhe.

5Si një bulqizak i amerikanizuar tashmë, i ndiqni zhvillimet që ndodhin në Shqipëri dhe konkretisht në Bulqizë?

“I amerikanizuar” nuk mund të themi, pasi të integrohesh në një shoqëri të huaj kërkon një kohë të gjatë.

Por ky vend gjënë më ideale ka se është vendi i emigrantëve dhe në këtë kuptim nuk je i kufizuar apo penalizuar në asnjë aspekt për shkak të nacionalitetit. Kjo ta lehtëson shumë integrimin dhe ecjen krah të tjerëve si i barabartë.

Falë teknologjisë së informacionit, patjetër që i ndjekim zhvillimet në Shqipëri, aq më tepër në Bulqizë. Tashmë mund të jesh i informuar për çdo gjë dhe në kontakt më këdo që dëshiron në kohë reale dhe 24 orë në 24 orë.

Natyrisht që gëzohemi për çdo lajm të mirë që dëgjojmë, ashtu sikurse dëshpërohemi kur dëgjojmë që gjërat nuk shkojnë mirë në atdheun tonë të dashur dhe të vuajtur.

6- Sot besoj i shikoni gjërat shumë më ftohtë dhe me syrin e një që të shikon nga larg. Cilat janë problemet më shqetësuese, sipas jush, për Bulqizën? Aty ku keni punuar shumë vite.

Konstatimi juaj nëpërmjet pyetjes është shumë i saktë.

Nga jashtë Shqipërisë, aq më tepër kaq larg sa jemi ne, çdo gjë që ndodh atje e shikojmë me tjetër sy dhe vlerësim. Je shumë më i ndjeshëm, të shtohet dashuria dhe malli për atdheun, çdo gjë që ndodh në vendlindje të duket se është e jotja…

Problemet shqetësuese për komunitetin e Bulqizës janë në përgjithësi ato që prekin çdo banor të shtetit shqiptar, prej të cilave duhen shtuar edhe problemet specifike lokale.

Tranzicioni post komunist ju kushtoi shumë shtetasve shqiptar. Edhe sot pas 27 viteve Shqipëria nuk është një vend demokratik, nuk është një demokraci e vërtetë perëndimore. Ne jemi një vend pluralist, por pa një shtet të vërtetë ligjor ku gjithkush të jetë i barabartë para ligjit.

Politika dhe politikanët me sjelljet dhe abuzimet me pushtetin i kanë sjellë një dëm të pariparueshëm vendit. Ata janë pengesa kryesore dhe e vetme që vendi akoma nuk është pranuar në BE dhe pas kaq vitesh duhet thënë që janë autorët e vetëm që e mbajnë peng të ardhmen e vendit.

Dhe pa diskutim që është shumë e dëmshme që “të futen të gjithë në një thes”.

Nëse shqipëtarët dhe bashkëqytetarët e mij nuk do të kuptojnë se në demokraci pushteti i vetëm i qytetarit është vota, ky cikël do të vazhdojë gjatë deri kur një ditë të vijë ndërgjegjësimi i tyre për këtë pushtet që kanë.

Shitja e votës është veprimi më i pamoralshëm i një shtetasi. Sepse ai person që shet votën jo vetëm që është i papërgjegjshëm për fatet e familjes së tij, por vë në diskutim fatet e të gjithë shoqërisë.

Në një vend ku nuk vlerësohet njeriu i ndershëm por hajduti dhe batakçiu, ku nuk vlerësohet njeriu i përkushtuar dhe punëtor por ai që “është i zoti” të pasurohet me taksat tua, ku nuk vlerësohet profesionisti dhe njeriu i shkolluar por ai që e blen një diplomë dhe nuk ka frikë ta tregojë atë, ai vend nuk mund të shkojë përpara, të prosperojë.

Problemi tjetër madhor i shoqërisë tonë është mosndëshkimi i korrupsionit.I cili ka bërë që të merresh me politikë duke synuar nëpërmjet saj një post duke paguar, dhe pastaj duke vjedhur taksat e shqipëtarëve, është kthyer biznesi më fitimpruës.

Kjo do të thotë më pak investime në rrugë, shkolla, çerdhe, kopshte, spitale, etj., etj. Në planin lokal për Bulqizën dhe të gjithë qarkun Dibër problemi më shqetësues mbetet mos mbajtja e premtimeve tashmë rreth 20 vjeçare për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.

Eshtë thënë me mijëra herë që ndërtimi i kësaj rruge e kthen Bulqizën nga një zonë e izoluar, në një “lagje” të metropolit (kryeqytetit, bregdetit).

Një dëm tjetër i madh që tashmë i është bërë atij komuniteti është forma korruptive dhe kriminale që është zbatuar dhe lejuar nga shteti në shpërndarjen e pasurisë më të madhe te Bulqizës dhe gjithë vendit, MINIERA E KROMIT.

Mënyra sesi strukturat e shtetit janë sjellë me atë pasuri të madhe kombëtare është shëmbëlltyra e vërtetë për të treguar se me të njëjtën frymë është trajtuar dhe shpërdoruar çdo pasuri e atij vendi.

Ky realitet i deformuar ka bërë që falë fuqisë që kromi ka në treg, të zhvlerësojë çdo biznes të ndershëm dhe që bazohet në djersë në Bulqizë. Siç ka bërë mbjellja dhe kultivimi i drogës vitin e kaluar në të gjithë ekonominë kombëtare të vendit.

Të gjithë këto faktorë kanë sjellë në një situatë të dëshpëruar shoqërore në qytetin e Bulqizës dhe fshatrat përreth. Kush ka mundësinë më të vogël ekonomike largohet nga ai vend. Të pasurit e pamerituar të shfrytëzimit të kromit i përcjellin të ardhurat në kryeqytet dhe mundësisht jashtë vendit. Dhe për pasojë vendi me pasurinë më të madhe kombëtare, Bulqiza, sot është vendbanimi i njerëzve më të varfër, ndoshta në shkallë kombëtare.

7- Në planet tuaja, shikoni si mundësi që të riktheheni ndonjë ditë në Shqipëri?

Në këto vite, shumë shqiptarë që për arsye ekonomike emigruan nga viti 1991 dhe në vazhdim, u kthyen që kursimet e tyre të krijuara me shumë mund e sakrifica t’i investojnë në vendin e tyre. Por shumica e tyre kanë dështuar për shkak të mungesës së funksionimit të shtetit ligjor, dhe fatkeqësisht janë detyruar të emigrojnë përsëri. Dhe kjo është shumë e dhimbshme.

Në këtë kuptim, ne shpirtin dhe mendjen i kemi atje, pavarësisht se fizikisht kemi ikur kaq larg.

Rëndësi parësore mbetet që vendi ynë të dalë nga kjo grackë ku e ka futur politika, tashmë edhe e kriminalizuar, t’ju bashkohet kombeve dhe vendeve perëndimore prej së cilës komunistët e izoluan për 50 vite rresht dhe tashmë bijtë e tyre e mbajnë peng të interesave të tyre kriminale.

Pastaj, ndërkohë që fëmijët rriten dhe marrin drejtim në jetë, edhe ne si prindër na afrohet mosha e pensionit, dhe ose jemi kthyer të gjithë bashkë, ose do të jemi me një këmbë andej dhe një këndej.

Meqë jemi në mbyllje, unë ju falenderoj ju z. Curri që iniciuat këtë intervistë dhe më lejoni t’ju shpreh Ju dhe të gjithë bashkëqytetarëve të mijë bulqizakë të keni shëndet dhe mbarësi në jetët dhe familjet tuaja!!!