Ilir Meta është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, në raundin e katërt të votimit të mbajtur pasditen e kësaj të premteje në Parlament.
Meta ka marrë 87 vota pro dhe 2 kundër, edhe pse për zgjedhjen e tij mjaftonin 71.
Meta bëhet kështu presidenti i 8 i Republikës së Shqipërisë, detyrë të cilën do ta marrë më 24 korrik, kur do të bëjë edhe betimin.
Në fjalimin e mbajtur në podiumin e sallës së Parlamentit, Meta pasi ka falenderuar të gjithë deputetët, përfshirë ata që votuan kundër dhe ata që munguan, ka premtuar se në detyrën e tij të re do t’i shërbejë demokracisë.
“Unë kam zgjedhur dhe do zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, unë kam patur mundësinë të jem këtu vetëm përmes demokracisë”, ka thënë Meta.
Ai ka ftuar të gjithë që “të mbrojmë standardet e demokracisë dhe t’i çojmë ato më tej, duke realizuar zgjedhje të standardeve më të larta e gjithëpërfshirëse, për të forcuar legjitimitetin e institucioneve dhe për të krijuar shanse për një atdhe më frymëzues për të gjithë të rinjtë”.
“Ndaj unë do bëj çdo gjë, me të gjitha cilësitë e mia, për të justifikuar këtë besim që ju më dhatë sot, jo vetëm para jush por edhe qytetarëve, Kushtetutës, interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen europiane të vendit dhe do t’u lutesha të gjithëve që të përpiqemi në këto orë e ditë që t’i japim jo gjithë partive, por gjithë qytetarëve mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet që vendi meriton”, ka thënë Meta.
Në vijim të fjalimit të tij, kreu i ri i shtetit i ka bërë referim edhe ngjarjeve të verifikuara një ditë më parë në Maqedoni, duke bërë thirrje për unitet në mënyrë që ngjarje të tilla të mos verifikohen edhe në vendin tonë.
“Dje kemi parë të gjithë ngjarje tronditëse në Kuvendin e Maqedonisë, që vijnë për shkak të një konflikti kokëfortësie politike të papranueshme, ndaj unë sërish dua t’u apeloj të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve tona, në mënyrë që të mos sakrifikojmë arritjet që vendi ka realizuar gjatë këtij mandati qeverisës, pasi është një detyrë dhe përgjegjësi e secilit prej nesh për të bërë gjithçka”, ka shtuar Meta.
Në fund të fjalimit të tij, që siç tha nuk e kishte të përgatitur, Meta ka vlerësuar edhe kontributin e liderëve të tjerë politikë të Shqipërisë, duke i etiketuar si “ata që sot mungojnë”.
/ Top Channel