Ilir Meta është certifikuar si i pastër nga dy institucione, Autoriteti për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për pastërtinë e të shkuarës së tij dhe nga KQZ për ligjin e dekriminalizimit.
Nisur nga precedenti i 5 viteve më parë, kur kandidati për President Artan Hoxha u tërhoq nga votimi për shkak se ish-shefi i shërbimeve inteligjente, Bahri Shaqiri informoi me anë të një letre Presidentin dhe kryeministrin për ekzistencën e një dosjeje që pengonte kandidimin e Hoxhës, mbrëmjen e së enjtes zyrtarët më të lartë të Kuvendit, përmes një shkrese zyrtare, i kërkuan këtij autoriteti verifikimin e pastërtisë së figurës së Ilir Metës.
Në letrën drejtuar kreut të këtij institucioni, Kuvendi kërkon verifikimin e kësaj kandidature sipas ligjit për “Të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, nëse zoti Meta ka qenë apo jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, ka qenë apo jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit dhe nëse figuron apo jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Genta Sula, drejtoresha e autoritetit, tha: “Ne bëmë nga mbrëmë të gjitha verifikimet dhe rezulton që zoti Ilir Meta të jetë i pastër”.
Meta rezulton i pastër edhe nga një tjetër institucion i rëndësishëm, KQZ, ku kreu i Kuvendit, si deputet i Parlamentit shqiptar, ka plotësuar formularin e dekriminalizimit.
/ Top Channel