Heqja e rentës minerare për kromin e bakrin “godet” buxhetet e bashkive

876
Bulqiza, Lagjia e Vjetër dhe Miniera e Bulqizës. Foto: Sami Curri

Bashkitë ku ushtrojnë aktivitet kompanitë e përpunimit të kromit apo bakrit, do të kenë më pak të ardhura në buxhetin e tyre përgjatë 3 viteve të ardhshëm. Shkak do jenë disa ndryshime ligjore që parashikojnë heqjen e taksës së rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare, një pjesë e së cilës përfitohet pikërisht nga njësitë e qeverisjes vendore. Sipas ndryshimit të miratuar së fundmi nga parlamenti në ligjin “Për taksat kombëtare”, përjashtimi i minerale metalore (kryesisht krom e bakër)  nga kjo taksë do të jetë për një periudhë 3-vjeçare si një formë për të mbështetur sektorin e mineraleve, që rezulton i goditur nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19. Po ashtu, sipas ndryshimeve ligjore, pas 3-vjeçarit të parë kompanitë do të paguajnë  vetëm 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim. Praktikisht, heqja e kësaj takse impakton drejtpërdrejt jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe buxhetet e të gjitha bashkive ku ushtrohet aktivitet për përpunimin e kromit apo bakrit. Kjo pasi sipas legjislacionit në fuqi, 5% e rentës minerare që arkëton shteti, duhet të shkojë për bashkitë ku ushtrojnë aktivitetin kompanitë e industrisë nxjerrëse. Më konkretisht, ky ndryshim do të impaktojë buxhetet e bashkive: Elbasan, Burrel, Fushë-Arrëz, etj., që janë njësitë e qeverisjes vendore ku më së shumti ushtrohet ky aktivitet. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Finanave dhe Ekonomisë, në 3 vjet buxhetit të shtetit do t’i mungojnë në total rreth 500 milionë lekë, çka do të thotë se efekti negativ për buxhetet e bashkive përllogaritet në 25 mln lekë.

Bashkitë të rimbursohen!

Ekspertët e pushtetit vendor thonë se impakti në buxhetet e bashkive do të jetë i konsiderueshëm, dhe për këtë arsye kërkohet që vlera e munguar të rimbursohet nga buxheti i shtetit. Ky ndryshim ligjor, që vjen si rezultat i krizës së shkaktuar nga COVID-19 dhe për të ndihmuar industrinë nxjerrëse që të mos ketë mbyllje të aktivitetit, impakton negativisht buxhetet e pushtetit vendor dhe kryesisht të bashkive, të cilat kanë vështirësi financiare”, thotë për Porta Vendore, Adelina Farriçi, drejtore ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore.

Mungesa e të ardhurave në buxhet ndikon dhe krijon probleme në veprimtarinë e bashkisë. Ndaj SHAV ka kërkuar kompensimin e kësaj vlere nga buxheti i shtetit”, shton Farriçi. Edhe sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, këto bashki “duhet t’i rimbursojë buxheti i shtetit, sipas përcaktimeve të qarta në ligjin “Për financat e vetëqeverisjes vendore”. Në fakt, gjatë diskutimeve të projektligjit në Kuvend, edhe Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese kërkoi të shtohej një pikë që të parashikonte “rimbursimin” e parave të munguara nga buxheti i shtetit, por propozimi nuk u miratua nga Komisioni i Financave dhe Ekonomisë. Sipas Farriçit, kjo kërkesë është bërë edhe në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të datës 29 shtator 2020”. “Këshilli Konsultativ u shpreh dakord për projektligjin e paraqitur, ndërsa Shoqata për Autonomi Vendore u shpreh dakord për frymën e ndryshimeve, por kërkoi që afati kohor të mos jetë 3 vjet, dhe mbështetur ne ligjin ‘Për financat e vetëqeverisjes vendore’, të bëhet kompensimi i bashkive për të ardhurat e munguara si rezultat i këtij ndryshimi”, shpjegon Farriçi. Megjithatë, pavarësisht kërkesave, por edhe në zbatim të mekanizmit të transfertës së pakushtëzuar, rimbursimi i bashkive nuk do të jetë i mundur, pasi buxheti i vitit 2021 sapo është miratuar nga parlamenti, ndërsa nuk është parashikuar ndonjë fond në këtë drejtim. Mundësia që këto para të transferohen në buxhetet e bashkive mbetet një rishikim i buxhetit të shtetit, që asnjëherë nuk ka ndodhur në muajt e parë të vitit.

Procedura problematike

Sipas ekspertëve, zerimi i rentës minerare për mineralet metalore të përpunuar, të destinuara për eksport, i shtohet vështirësive të shumta që bashkitë me pasuri të mëdha natyrore hasin për të përfituar shumën që iu takon nga renta minerare. Anila Hajnaj, drejtore e Qendrës për Zhvillim dhe Integrim, dhe përfaqësuese e shoqërisë civile në Grupin Ndërinstitucional të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) thotë se “procedurat burokratike, por edhe njohja e pakët e legjislacionit nga ana e njësive të qeverisjes vendore kanë bërë që bashkitë të hasin vështirësi në vjeljen e pjesës që u takon nga renta minerare, duke humbur ndër vite shume fonde të vlefshme për investime komunitare”. Qendra që ajo drejton, përmes një projekti të financuar nga Lëviz Albania, para pak kohësh realizoi edhe një raport monitorimi në Bashkitë e Bulqizës, Hasit, Patosit, Roskovecit, Urës Vajgurore, ndërsa pas përpunimit të të dhënave, u konstatua se ekziston një infrastrukturë e ngarkuar, e shpërndarë në shumë institucione kombëtare e vendore, e cila e ka bërë të vështirë mënyrën e përllogaritjes së rentës, mbledhjes dhe shpërndarjen e saj sipas ligjit. “Koha minimale e zgjatjes së procedurave është 4 muaj nga fillimi i rakordimeve deri ne alokimin e rentës në buxhetin e bashkive. Ndërkohë që, të gjitha institucionet e përfshira në proces kanë zvarritje, duke neglizhuar në zbatimin e afateve të procedurave”, thuhet në raportin e hartuar.

Edhe Haxhimali konfirmon se bashkitë hasin shumë vështirësi në përfitimin e rentës për shkak të procedurave shumë burokratike në koordinimin ndërinstitucional. “Megjithatë, për aq sa merrnin dhe duke pasur në konsideratë buxhetet e pamjaftueshëm për të realizuar shërbimet dhe nevojat shumë të mëdha që kanë bashkitë, mungesa e të ardhurave nga renta do ndikojë disi në sasinë dhe cilësinë e shërbimeve bashkiake”, thotë ai. Sipas Hajnajt, “këto probleme, dhe të tjera si këto, e bëjnë të nevojshëm rishikimin e kuadrit ligjor dhe gjetjen e instrumenteve efektivë për ta lehtësuar procesin nga barra e madhe burokratike”. “Alokimi të bëhet që në momentin fillestar kur bëhen transaksionet financiare të kompanive gjatë shitjeve të brendshme tek tatimet apo eksporteve tek doganat. Kjo do të sillte një ulje të ndjeshme të procedurave burokratike”, sugjeron Hajnaj.

Të rritet renta!

Paralelisht me lehtësimin e procedurave burokratike, ekspertët kërkojnë rritje të masës së rentës që përfitojnë bashkitë ku ushtrojnë aktivitet kompanitë e industrisë nxjerrëse. “Sasia e rentës prej 5% nuk është aspak e mjaftueshme në raport me dëmet që pëson komuniteti nga shfrytëzimi i burimeve të tyre natyrore”, thotë Hajnaj. “Të rishikohet rritja e rentës që i shkon bashkive nga 5%, në minimalisht 25%”, shton ajo. Në të njëjtën linjë janë edhe Haxhimali me Farriçin. “Bashkitë që përfitojnë rentë minerare janë bashki me nivel të lartë varfërie, pavarësisht pasurive nëntokësorë që ato kanëMbështetur në këtë Shoqata për Autonomi Vendore do të realizojë një studim dhe do të kërkojë që rritja e nivelit të rentës për bashkitë të jetë në të paktën 12%”, thotë Farriçi.

Edhe sipas Haxhimalit, “bashkitë mbeten të diskriminuara nga pjesa e fondeve që përfitojnë nga kjo taksë”. “Rekomandimi ynë mbetet që përqindja e rentës minerare për pushtetin vendor të jetë në nivelin e para vitit 2013, në 25% si fasho më minimaliste, dhe deri në 35% fasho optimale, dhe ideale do ishte ndarja 50% me 50%”, thotë Haxhimali. “Ne e mbështesim lehtësimin e detyrimeve si një përkrahje ndaj biznesit të fushës, veçanërisht në këto kohë të vështira sjellë nga pandemia COVID 19. Gjithsesi, ne i mbetemi sugjerimit tonë për ndarjen e rentës me bashkitë dhe rritjen e përqindjes së përfitimit të pushtetit vendor”, tha ai. Por, ndërkohë që ekspertët kërkojnë rritje të rentës, tashmë ndryshimet në ligjin  Nr. 9975 “Për taksat kombëtare”, thonë që kjo taksë do të jetë zero për mineralet metalore që eksportohen të përpunuara, të paktën për tre vitet e ardhshme, çka sjell si domosdoshmëri, që këta aktorë të advokojn për rimbursimin e kësaj humbjeje për bashkitë, nga qeveria qendrore te ajo lokale.