Rreth 14 nxënës të gjimnazit të Shupenzës në Bulqizë janë paraqitur në spitalin e qytetit dhe në atë të Peshkopisë me shenja helmimi, ndërsa një prej tyre u dërgua nga Peshkopia në Tiranë pasi shfaqi gjendje më të rëndë.
Në një njoftim të shkurtër për shtyp policia e Dibrës bëri me dije se disa nxënës të kasës 12A të gjimnazit “Rifat Manjani” kishin shfaqur shenja helmimi dhe ishin transportuar në spital, por ishin jashtë rrezikut për jetën.
Një nga vajzat e helmuara, 18-vjeç, megjithatë ishte në gjendje të rëndë dhe u dërgua me helikopter në Tiranë. “Ka ardhur në gjendje të rëndë dhe po ndiqet protokolli mjekësorë i urgjencës. Në 24 orët e para duhet të presim si do të vazhdojë gjendja”, i tha BIRN një zëdhënëse e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Mjekët me të cilët BIRN foli thanë se nuk ishin të qartë për burimin e helmimit. Ata thanë se versioni i një spraj apo parfumi të hedhur në klasë ishte marrë nga dëshmitë e gjimnazistëve pas mbërritjes në spital.
Policia po ashtu iu referua dëshmive prej nxënësve se helmimi kishte ardhur nga përdorimi i një spraj prej njërit prej tyre brenda në klasë.
Policia tha se po hetonte për arsyet e helmimit. Ky është rasti i disatë i helmimit masiv në Bulqizë. Në të njëjtin gjimnaz në nëntor 2017 funksionimi i keq i Kaldajës solli helmimin e 60 nxënësve. BIRN gjeti në një investigim se Kaldaja ishte montuar keq.
Në mars të këtij viti 12 nxënës të klasës së 6 në shkollën “Shefqet Tançi” u helmuan, ndërsa u tha se arsye ishte përdorimi i një sapuni të njohur me emrin “15 lekësh”. Ndërkohë në maj 2019 dhjetra banorë të qytetit përfshi fëmijë u paraqitën në spital me shenja të helmimit. Dyshimet në këtë rast ranë te uji i pijshëm, por situata mbeti e pasqaruar.