Hajredin Pasha po bje përsëri Radikës

1387

Historikisht është e vërtetuar që shtetet nuk shkatërrohen mbrenda natës. Farët e shkatërrimit të tyre janë të mbjellura thellë në institucionet shtetërore. Pellazgët paskan pas thonë që një e mirë e arrijtur pa mund, ndodhë që të shkakton të vjellura që s’kan të ndalur. Mirëpo, për këtë më vonë.

Keni dëgjuar për Dervish Carën? Dervish Cara kishte lindur në Palçishte, Tetovë (Kalkandelen, në kohën e turkut). Ishte një djalë shumë i qetë, prej familjës së madhe të Carajve të Maleve të Sharrit.

Ai ishte organizatori i Kryengritjes Shqiptare të viteve 1843 dhe 1844. Kryengritja, përveç Dervish Cara, udhëhiqej edhe nga komandantë të tillë, si Emin Xhambazi, Sulejman Toli (Tërnova), Selman Rogoçica, Emin Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha, Bajram Vaksinca  (Fahri Xharra, Dervish Cara i harruar nga vetë shqiptarët )… Shatatori i 1844-ës ishte fundi i Autonomisë së Shqipërisë dhe i Dervish Carës … Dervish Cara u dënua vet i njëzeteteti më dënimin më të rëndë, me vdekje. Pra nuk ishte në pyetje vetëm Shkupi.

Po kush ishte Hajredin Pasha?

Pas këtyre ngjarjeve, Stambolli hodhi në këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga Hajredin Pasha.  Populli këndonte:
“Hajredin Pasha o po vjen o Radikes Valle o ku jan o k’to malet e Dibrës

Vallë ku jan o mor’ k’to male e Dibrës Bëjn’ o kuvend o n’ atë fushë o të Gjoricës
Në fushë o t’ Gjoricës o more te kalaja Hajredin Pashën more e ka gjet belaja

Qe belaja pashën e ka gjete  Malet e Dibrës more kan lidhë bese“

Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushë e Gjoricës, që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej kohësh.

Kuvendi i bëri thirrje për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte forca për t’i hedhur kundër tyre. Gjatë muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive osmane të komanduara nga Hajredin Pasha.

Hajredin Pasha o mor’ kryhutaqe  S`lidhet Dibra more me kërbaçe
Hajredin Pasha more ku e ke ushtrinë Malet e Dibrës o mor’ mi kan’ gri
Malet e Dibrës more kan’ met o të tane Nuk jan pak o mor’ , por 12000 mijë
Jo ma pak o se 12000 kanë mbet o ne llogore ne dhe pa i shti

Por përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën e lumit Drin. Ndërkohë, Hajredin Pasha, për t’i përçarë shqiptarët, shpalli se të gjithë ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë.

Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve, por shumica e tyre e vazhdoi qëndresën. Luftime të ashpra, që zgjatën 5 ditë të tëra, u zhvilluan në nëntor në fshatin Gjoricë, ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët. Ato përfunduan me humbje të mëdha për të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane.

Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat e tyre. Për t’u hakmarrë, forcat osmane dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia, e cila largohej për t’i shpëtuar terrorit të egër të ekspeditës osmane.

Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës…

Shqiptarëve që gënjehen prej erërave mikluese e mashtruese që fryjnë në të katër horizontet, dëshirojmë t’u themi: mësoni ta lexoni historinë e të mos bini viktimë e rivaliteteve herë të hapura e herë të fshehta të shteteve ballkanike e më gjerë që punojnë për interesat e veta e jo për shqiptarët.

Nuk ka pse të ngulmojmë në mendimin se Turqia është miku ynë dhe armik i sllavëve. Në aparencë të duket se shteti serb nuk ka interesa dhe aleanca e ndonjë miqësi fort të madhe me Turqinë, por ne duhet të dimë si ta lexojmë historinë (Kolec Traboini).

Hajredin Pasha u ringjallë dhe erdhi shumë lehtë në tokat e Dibrës,
“Ne nuk e mbrojmë historinë tonë, e dhunojmë atë: “Në Dibër të Madhe u bë përurimi solemn i Xhamisë së Sahatit nga Ruzhdi Lata, myfti i Dibrës, Ali Ahmeti, lider i BDI-së,…” shkruante shtypi ato ditë.

Edhe përkundrejt këtij fakti, institucionet lokale, organizatat dhe shoqatat, thonë se bëhet fjalë për përkrahje humanitare me vlera të larta. Sipas Myftinisë së Dibrës, (një dibran) ka dhënë donacione të fuqishme në sanimin dhe ndërtimin të shtatë xhamive të Dibrës, duke përfshirë këtu edhe xhaminë më të re të “Sahat Kullës”, e cila karakterizohet me 100 dritaret të oborrit të saj “….Cili ishte Hajredin Pasha?

Kjo xhami përbri rrugës që çon nga Dibra në drejtim të Strugës, i humbi varret e ushtarëve të Hajredin Pashës që e shkretoi Dibrën. Koha kalon, myku nuk do diell se drita ia vret sytë, myku e do lagështinë, errësirën, mungesën e oksigjenit dhe të nxehtit. … Pra e hyjnizuam vrasësin e Pavarësisë gjithshqiptare të vitit 1844.

Mirë se vjen Hajredin Pasha, ne shqiptarët e Maqedonisë i përkulemi “hyqymetit” tënd!