Shumica dërrmuese e minatorëve të Bulqizës që punojnë në kompaninë Albchrome, janë hedhur në grevë që më 25 nëntor. Shtysa për grevë erdhi nga pushimi i paligjshëm nga puna i kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit. Një akt i tillë u bë nga kompania vetëm 5 ditë pasi sindikata ishte shpallur në qendër të Bulqizës. Kërkesat tona përfshinë edhe plotësimin e kushteve bazike për punë të sigurt dhe të dinjitetshme.
Pavarësisht presioneve të kompanisë, paligjshmëria e të cilës solli edhe pushimin nga puna të sindikalistit Beqir Duriçi, presioneve policore, ku vetëm në harkun kohor të dy ditëve në Komisariatin e Policisë Bulqizë u shoqëruan 7 protestues, dhe nga ana tjetër heshtjes mediatike: prapëseprapë ne e kemi vazhduar grevën me vendosmëri.
Sot, pas një takimi të gjatë me përfaqësuesit e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe zotimit të tyre se do t’i hetojnë me imtësi pushimet nga puna të shokëve tanë, vendosëm ta ndërpresim përkohësisht grevën.
Ne, njëkohësisht do të nisim edhe betejën në gjykatë.
Arsyet që na shtynë në grevë mbeten në fuqi. Vullneti ynë për të kthyer në punë shokët tanë dhe për të fituar të drejtat që na takojnë, gjithashtu.
Nëse zyrtarët e Albchrome-it do të guxojnë ta shtrijnë hakmarrjen e tyre te të tjerë minatorë, ne zotohemi se do ta përshkallëzojmë grevën në format më të rënda të mundshme për fitimet e kompanisë.
Ne me krenari mund ta themi se për një kohë shumë të shkurtër që nga themelimi, kemi ngjallur shpresën dhe kemi fituar besimin e minatorëve të Bulqizës se jemi zëri i vetëm i përfaqësimit të tyre. Sot Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është përfaqësuesja ligjore e shumicës së minatorëve. Sipas Kodit të Punës, sindikatës tonë i takon e drejta të negociojë kontratën e ardhshme kolektive, e cila duhet të përfshijë se s’bën kthimin e shokëve në punë, siguri të plotë në punë, rritje të pagave dhe ulje të normave skllavëruese.
Vendimi ynë për ndërprerjen e përkohshme të grevës është një hap i nevojshëm që do të na japë vrull më të madh javët në vazhdim, për ta detyruar kompaninë të vërë të drejtën në vend.
Ne synojmë të përfshijmë në sindikatë të gjithë punëtorët e minierës, në mënyrë që greva e ardhshme të jetë paralizuese e krejt prodhimit.
Bashkë ia dolëm që në kaq pak kohë të tregojmë se solidariteti mes njëri-tjetrit sjell ndryshim.
Bashkë ia dolëm që sindikata e vjetër të humbasë legjitimitetin për të përfaqësuar ligjërisht dhe moralisht minatorët e Bulqizës.
Bashkë ia dolëm që kompania Albchrome të kuptojë që dinjiteti i minatorit nuk mund të përdhoset më.
Bashkë ia dolëm që të mundim frikën, terrorin dhe të ngjallim shpresën te minatorët dhe tek i gjithë qyteti.
Bashkë ia dolëm të tregojmë se fuqia e njerëzve të thjeshtë të Bulqizës, larg partive politike, është shumë e madhe.
Minatorët e bashkuar kanë për të fituar!
– Deklaratë unanime e Këshillit Sindikal, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës