Autor: Besar Likmeta | BIRN
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizës së thelluar të deklaratave të pasurisë tregojnë se më shumë se gjysma e kryetarëve të bashkive në Shqipëri kanë mospërputhje financiare dhe nuk mund të justifikojnë pasurinë e tyre për një ose më shumë vite të karrierës.
Më 30 qershor, qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive të vendit. Kandidatët që do të zgjidhen për herë të parë, njësoj si ata që do të marrin një tjetër mandat, janë të detyruar që të dorëzojnë çdo vit deklaratat e tyre të pasurisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.
Prej vitit 2015, ILDKPKI ka referuar në Prokurori tre kryetarë bashkish me akuzën e deklarimit të rremë të pasurisë-çështje të cilat janë pushuar me argumentin e mungesës së provave.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi sugjerojnë se niveli i mospërputhjeve në deklaratat e pasurisë së politikanëve lokalë është shumë herë më i lartë se sa numri i padive të ngritura nga ILDKPKI. [Kliko këtu për studimin e plotë]
Një analizë e të gjitha deklaratave të pasurisë që 61 kryebashkiakët aktualë kanë dorëzuar deri në fund të vitit 2017 zbulon se 54 për qind e tyre nuk mund të justifikojnë rritjen e pasurisë së tyre për të paktën 1 vit të karrierës. Në total, shuma e pajustifikuar nga burimet e deklaruara kap vlerën e 201 milionë lekëve [1.6 milionë euro].
Deklaratat e pasurisë së kryebashkiakëve aktualë u analizuan me ndihmën e tre ekspertëve financiarë, të cilët i kategorizuan dhe i hodhën në një databazë të dhënat e siguruara nga deklaratat e pasurisë. Informacioni u analizua duke përdorur metodën e kontrollit aritmetik-logjik; një prej formave të përdorura nga ILDKPKI gjatë verifikimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.
Kontrolli aritmetik-logjik krahason të dhënat financiare familjare si dhe informacione të tjera me deklarimet e mëparshme, për të “identifikuar të dhëna mbi të ardhura ilegale të fshehura” në transaksionet e kryera nga politikanët, sipas manualit të Këshillit të Europës për analizimin e të ardhurave dhe aseteve të zyrtarëve publikë.
Me fjalë të tjera, ky kontroll shpjegon nëse paratë që politikani deklaron se ka përfituar përputhen me asetet dhe paratë e shpenzuara prej tij.
Mospërputhjet mes të ardhurave në hyrje dhe shpenzimeve të kryera nuk janë domosdoshmërisht të paligjshme. Megjithatë, këto mospërputhje ngrejnë “flamuj të kuq”, që normalisht kërkojnë verifikime të thelluara nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.
Pasuri të pajustifikuara
Në vitin 2014, Shqipëria iu nënshtrua një reforme të thellë administrativo-territoriale, duke reduktuar numrin e njësive vendore nga 384 në 61. Reforma fshiu ndarjet mes komunave dhe bashkive dhe përcaktoi konsolidimin e pushtetit në njësi më të mëdha administrative, me qëllimin e shfrytëzimit më të mirë të burimeve financiare si dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
Sipas raportit vjetor të ILDKPKI, 4746 zyrtarë publikë deklarojnë periodikisht pasurinë dhe interesat e tyre private. Deklarimi i pasurisë përfshin pasurinë e zyrtarëve dhe ato të anëtarëve të familjes, burimin e pasurisë si dhe detyrimet financiare. Kryetarët e bashkive zënë vetëm 1.3 për qind të numrit të përgjithshëm të zyrtarëve publikë.
Duke u fokusuar te deklarimet e kryebashkiakëve lokalë, BIRN administroi nga ILDKPKI përmes kërkesave për të drejtë informimi 509 deklarata pasurie. Duke përjashtuar vitin e parë të deklarimit prej secilit prej tyre, 436 deklarata iu nënshtruan metodës së kontrollit aritmetik-logjik.
Analiza e të dhënave të siguruara përmes metodës së kontrollit aritmetik-logjik tregon se 60 nga 436 deklaratat e plotësuara nga kryetarët e bashkive përgjatë viteve 2003-2017 dështuan të kalojnë testin. Deklaratat me probleme zënë 13.8 për qind të totalit të analizuar.
Nga 61 kryebashkiakët e verifikuar, vetëm 28 rezultuan pa probleme me pasurinë e deklaruar, ndërkohë që 33 kryetarë bashkish apo 54 për qind e totalit kishin të paktën në 1 vit të karrierës së tyre diferenca negative mes të ardhurave të deklaruara nga njëra anë dhe aseteve apo shpenzimeve në anën tjetër.
Mes 33 kryebashkiakëve që dështuan në kontrollin aritmetik-logjik, 22 rezultojnë me diferenca të pambuluara vetëm për një vit të karrierës së tyre. 11 kryebashkiakët e tjerë shfaqen me diferenca negative nga 2 deri në 6 vite të deklarimit të pasurisë.
Vlera totale e pajustifikuar me burime të ligjshme nga 33 kryetarët e bashkive vlerësohet në 1.6 milionë euro, ose 10% e pasurisë totale të deklaruar nga 61 kryetarët aktualë.
Analiza e deklaratave të pasurisë tregon gjithashtu se asnjë prej kryetarëve të bashkive nuk ka deklaruar shpenzime jetese përgjatë viteve 2003-2017. Nëse deklarimeve të tyre financiare do t’u shtoheshin edhe kostot e minimumit jetik për familje, numri i deklaratave me probleme do të rritej nga 60 në 139, ose 32 për qind e deklaratave totale.
Kjo do të thotë se nga 61 kryebashkiakët në detyrë, 57 do të kishin të paktën në një vit të karrierës së tyre pasuri të pajustifikuar përmes burimeve të deklaruara. Kostot e minimumit jetik të përdorura nga BIRN në këtë analizë bazohen në statistikat e kostove familjare, të publikuara çdo vit nga Instituti i Statistikave, INSTAT.
“Flamuj të kuq” me shumicë
Paralelisht me kontrollin aritmetik-logjik, BIRN ndërmorri edhe një analizë të thelluar të strukturës së aseteve të deklaruara nga 61 kryebashiakët, me qëllimin e identifikimit të “flamujve të kuq”, duke përfshirë dhuratat dhe huatë nga anëtarët e familjes, transaksione të pasurive të patundshme në vlera të larta, aksione në kompani private apo vlera të mëdha kursimesh në cash.
Analiza strukturore është e bazuar në një metodologji të konsoliduar, e zhvilluar dhe e përdorur nga BIRN Albania në studime të mëparshme mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që po i nënshtrohen tashmë procesit të vetingut, si pjesë e një reforme që synon të pastrojë sistemin gjyqësor nga korrupsioni dhe të rikthejë besimin e publikut te institucionet.
Të dhënat e siguruara tregojnë se 61 kryebashkiakët kanë deklaruar së bashku pasuri bruto me vlerë 14.2 milionë euro përpara se të fillonin mandatin si të zgjedhur vendorë, me një pasuri mesatare për secilin prej tyre në vlerën e 233.890 eurove. Në fund të vitit 2017, pasuria totale e kryebashkiakëve llogaritet në 18.7 milionë euro, duke shënuar rritje me 4.5 milionë euro.
Megjithatë, ndarja e pasurisë mes kryebashkiakëve nuk është e njëjtë. Të dhënat tregojnë se 6 kryetarë bashkish kanë pasuri më të madhe se 1 milion euro, 28 të tjerë kishin pasuri të përllogaritur mes 100 mijë dhe 1 milion euro dhe 15 kryebashkiakë deklarojnë në fashën 50 mijë deri 100 mijë euro.
Vetëm 12 kryetarë bashkish kanë deklaruar pasuri më të vogël se 50 mijë euro.
Nga pasuria totale prej 18.7 milionë eurosh, 76% përbëhet nga pasuri të paluajtshme, 11.4% nga likujditetet bankare dhe 5.6% ose 1,047,202 euro mbahet në gjendje cash. Një vlerë më e vogël, 251,595 deklarohet t’u jetë dhënë hua personave të tretë.
Vlera e lartë e parave të mbajtura jashtë sistemit bankar apo huatë ndaj personave të tretë, të cilat përbëjnë se bashku 6.9% të aseteve totale konsiderohen “flamur i kuq” nga praktikat më të mira ndërkombëtare; çka duhet të nxiste ILDKPKI-në të ndërmarrë kontrolle të thelluara financiare.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë së kryebashkiakëve është fakti që asnjë prej tyre nuk deklaron ndonjëherë objekte me vlerë të veçantë më shumë se 300 mijë lekë.
Pronësia e aksioneve në kompani private llogaritet në 0.3% të aseteve totale. Megjithatë, për shkak se këto kompani gjenerojnë të ardhura të mëdha për kryebashiakët, edhe këto asete duhet gjithashtu do të duhej t’i nënshtroheshin verifikimit.
Analiza e detyrimeve të deklaruara nga ana e 61 kryetarëve të bashkive ngriti “flamuj të kuq” të tjerë. Në fund të vitit 2017, 61 kryebashkiakët kishin së bashku 3.8 milionë euro detyrime, nga të cilat 55.2 për qind u takonin bankave, 32.1 për qind ishin hua të marra ndaj personave të tretë dhe 12.6 për qind ishin detyrime të papaguara ndaj kompanive të ndërtimit.
Fakti që 45 për qind e detyrimeve të deklaruara nga 61 kryebashkiakët ishin hua të marra nga persona të tretë apo detyrime të papaguara ndaj kompanive të ndërtimit, shënon një tjetër problem që duhet hetuar. Rreth 61 për qind e shpenzimeve të deklaruara nga kryebashkiakët lokalë shkojnë për pagesat e detyrimeve, çka duhet gjithashtu të ngrejë këmbana alarmi për hetuesit vendas.
Të ardhurat totale të 61 kryetarëve të bashkive gjatë viteve të tyre në detyrë kapin një vlerë prej 8.7 milionë euro. Rreth 66.5 për qind e këtyre të ardhurave buron nga paga si kryebashkiakë dhe pagesat e familjarëve. Një pjesë e konsiderueshme, rreth 14 për qind e të ardhurave rrjedh si divident nga bizneset dhe një tjetër 5.9 për qindësh nga transaksionet me pasuri të patundshme.
Vlera e lartë e të ardhurave që derivojnë nga bizneset dhe transaksionet me pasuri të patundshme, qiratë apo dhuratat në cash konsiderohen gjithashtu “flamuj të kuq” për pasuritë e politikanëve lokalë.
“Flamujt e kuq” të identifikuar në analizën e BIRN nuk përbëjnë domosdoshmërisht provë për pasuri të paligjshme, por nënvizojnë nevojën për të forcuar mekanizmin e kontrollit të deklaratave të pasurisë, me qëllim identifikimin e aseteve të fshehura apo stilin e pajustifikuar të jetesës nga zyrtarët e lartë lokalë.