Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Bari Shyti pretendoi të martën gjatë shpjegimeve të tij në KPK se ishte përpjekur të ishte sa më korrekt në deklarimet periodike të pasurisë, por thuajse gjithë relatimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në çështjen ndaj tij u ngrit mbi deklarimet e tij kontradiktore dhe me pasaktësi, përfshi edhe akte noteriale të njëjta, por me përmbajtje të ndryshme.
Relatorja Firdes Shuli tha se trupa e me kryesuese Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Suela Zhegu, kishte përfunduar një herë hetimet ndaj Shytit vetëm në kriterin e pasurisë, por më pas kishte riçelur hetimin në të tre kriteret. Sipas Shulit, në fund Shyti rezultonte me bilanc negativ me 8.6 milionë lekë dhe kishte raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Shyti u përball në hyrje të Pallatit të Kongreseve ku zhvillohen seancat e KPK me një grup protestuesish që kërkonin shkarkimin e tij dhe e akuzonin për korrupsion. Megjithatë, ai këmbënguli që KPK të merrte në konsideratë shpjegimet e tij.
Ai falënderoi Komisionin për rihapjen e hetimit për dy kriteret e tjera dhe u përpoq të sqaronte kontradiktat në deklarime. Ai pretendoi se kishte bërë analizë financiare me ekspert që e nxirrte me bilance pozitive në të gjitha vitet dhe po ashtu pretendoi se të ardhurat, përfshi 21 mijë dollarë të fituara nga kromi ndërsa ishte gjyqtar, ishin me burime të ligjshme.
Bari Shyti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatat e Bulqizës dhe atë të Dibrës. Në vitin 2013, ai u dekretua si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Durrësit dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit.
Apartamenti në plazh
Para se të përballej me KPK gjyqtari Bari Shyti u përball me një grup prej 10 vetash, të cilët mbanin parulla të shkruara me dorë kundër tij. Protestuesit akuzonin Shytin për korrupsion, pasuri të fshehura dhe paaftësi.
Një grua me të cilën BIRN foli tha se me Shtyin kishte humbur disa çështje dhe se vendimet e tij kishin qenë të pabazuara. Ajo megjithatë refuzoi të identifikonte çështjen dhe të jepte emrin. “Më vijnë te dera e shtëpisë pastaj,” tha gruaja.
As atmosfera në seancë nuk ishte e favorshme. Shyti u përball me një relacion të gjatë që i kishte gjetur një sërë problemesh në kriterin e pasurisë dhe një raport negativ nga DSIK, e cila e cilësonte të papërshtatshëm bazuar mbi akuza për korrupsion.
Relatorja Firdes Shuli tha në seancë se Shyti kishte probleme me tre shtëpitë e deklaruara. Për një apartament në plazh që ishte blerë fillimisht bashkë me vëllanë që jetonte në Belgjikë dhe që më pas i kishte kaluar Shytit, u gjet se nuk ishte deklaruar në dy vitet e para edhe pse kishte një kontratë dhe një faturë që tregonin se ishte paguar i gjithi në vlerën 2.8 milion në vitin 2005.
Shyti pretendoi se këto dokumente ishin bërë për efekt marrje në dorëzim, por këmbënguli që pagesa e ishte përfunduar në vitin 2007, kur edhe ai kishte deklaruar për herë të parë pjesën e tij në këtë pasuri.
Megjithatë, KPK vuri në dukje se edhe deklarata e vitit 2007 nuk ishte e plotë, pasi këtu Shyti kishte deklaruar si të paguar 1.4 milionë lekë të gjysmës që i përkiste atij, por që më pas i tha KPK se 600 mijë lekë ishin paguar në fakt me letra me vlerë në vitin 2005.
Shyti pretendoi se deklarimi i dhënë ishte i saktë dhe se veprimet e hershme ishin bërë në mirëbesim mes njerëzish të njohur.
Komisioni tha se merrte në konsideratë kontratën e porosisë dhe faturën që tregonin blerje në vitin 2005 dhe se Shyti rezultonte pas kësaj me bilanc negativ prej 1 milion lekësh.
Shyti më vonë i kishte shitur gjysmën e tij të apartamentit vëllait dhe në një moment të dytë e kishte blerë atë të gjithin nga vëllai, duke marrë si detyrim shumën 30 mijë euro.
Shuli tha se Shyti nuk kishte pranuar barrë prove për burimin e të ardhurave të vëllait, duke pretenduar se nuk ishte huamarrës ndaj tij. Ai këmbënguli në këtë pikë edhe në seancë dhe gjatë pyetjeve duke pretenduar se secili vëlla mbante përgjegjësi për pjesën e tij.
Por kryesuesja Tafa dhe relatorja Shuli i vunë në dukje se situata ishte e tillë kur pasuria po hetohej si pasuri e tij e fshehur dhe se në momentin kur Shyti kishte marrë pronësinë mbi apartamentin, ai po ashtu kishte pranuar detyrime ndaj të vëllait në shumën 30 mijë euro, që relatorja tha se konsideroheshin hua.
Shyti në seancë tha se i vëllai kishte qenë emigrant ilegal në Belgjikë dhe tha se kishte gjetur prova për të ardhurat nga asistenca sociale, por jo nga punësimi. Burimet e tjera të këtij apartamenti po ashtu rezultuan me probleme.
21 mijë dollarë nga kromi
Probleme me deklarimet kontradiktore rezultuan edhe nga hetimi i një apartamenti dhe garazhi në Tiranë. KPK tha se garazhi i blerë me hua 5 mijë euro nuk ishte deklaruar për disa vite me radhë edhe pse kishte qenë në të njëjtën kontratë, ndërsa vuri në dukje se nga hetimi kishte rezultuar mungesë burimesh të ligjshme në shumën 5 milionë lekë.
Në këto përfshiheshin 21 mijë dollarë që Shyti pretendonte se i kishte përfituar nga nxjerrja prej një stoku kromi të 60 tonëve mineral, të cilën ia kishte shitur kompanisë së vëllait.
KPK vuri në dukje se për shumën nuk provohej pagesa e tatimeve dhe se nga Drejtoria e Tatimeve ishte vënë në dukje se për të shitur dhe blerë mineral, Shyti duhej të kishte pasur aktivitet të regjistruar në gjykatë.
KPK po ashtu vuri në dukje se ndërsa ishte përfshirë në tregti kromi, Shyti kishte statusin e magjistratit dhe vuri në dukje se përfshirja në biznes binte ndesh me Kushtetutën dhe faktin se gjyqtari nuk mund të kryente punë të tjera.
Në seancë Shyti pretendoi se kishte punuar me kromin në vitin kur gjykata e Bulqizës ishte suprimuar dhe ai dhe kolegë të tjerë ishin lënë pa punë dhe të pasigurt për të ardhmen. Ai pranoi megjithatë se gjatë kësaj kohe, vijonte të paguhej si gjyqtar, por tha se pagat i merrnin një herë në 3-4 muaj.
Ai tha se nuk kishte menduar të regjistronte biznesin pasi ishte i përkohshëm, ndërsa pretendoi se nëse shikohej çmimi me të cilin ai kishte shitur kromin, mund të llogaritej edhe se tatimet për të ishin paguar. KPK nuk sqaroi se çfarë lloj pune kishte bërë specifikisht Shyti në këtë rast.
Si burim me probleme u identifikua këtu edhe shuma prej 18500 euro që vëllai emigrant në Belgjikë i kishte dhënë Shytit fillimisht për të blerë plotësisht apartamentin në plazh, po ashtu me probleme rezultoi dhe një hua 9 mijë dollarë nga vëllai që zotëronte kompaninë minerare.
Një shtëpi në Bulqizë, nga shitja e të cilës ishte financuar blerja e apartamentit në Tiranë, kishte po ashtu probleme. Relatorja tha se kishte dy deklarime të ndryshme dhe dy kontrata të ndryshme noteriale mbi çmimin e blerjes së këtij apartamenti.
Sipas KPK, apartamenti ishte deklaruar i blerë për 250 mijë lekë në vitin 2003 dhe për 650 mijë lekë në deklaratën veting. Një kontratë shitje e marrë prej KPK nga noteri kishte çmimin 200 mijë lekë dhe një kontratë e paraqitur nga Shyti, identike me të parën në data dhe të dhëna protokolli (ekstremitete), kishte çmimin 600 mijë lekë.
Shyti tha se i qëndronte deklarimit të bërë se shtëpia ishte blerë për 200 mijë lekë dhe në të ishin bërë investime. Ai nuk dha shpjegime mbi dy kontratat, që sipas KPK-së dukeshin se ishin bërë për të shmangur tatimet për çmimin real.
KPK tha se kishte gjetur po ashtu një sërë problemesh sa i përket deklarimeve të kursimeve, gjendjes Cash , një llogarie dy emërore me vëllanë tjetër, një dhuratë nga vëllai në Belgjikë dhe të ngjashme. Komisioni vuri në dukje po ashtu se kishte pranuar disa prapësime të Shytit që e kishin zbritur bilancin negativ nga mbi 10 milion në 8.6 milion.
Shyti pretendoi ndër të tjera se i ishin llogaritur më shumë shpenzime, duke referuar faktin që kishte banuar në Dibër dhe shpenzimet ishin më të ulëta, këmbënguli t’i njiheshin si ulje shpenzimesh të ardhurat nga bujqësia për të gjitha vitet dhe si të ardhura të ligjshme ato të vëllait nga Belgjika. Ai tha se vëllai kishte punuar bojaxhi në Belgjikë dhe se pagesat i kishte marrë si dhurata dhe nuk kishte dokumente.
Problemet e figurës dhe profesionalizmit
Shuli tha në relatim se DSIK kishte sjellë dy raporte të ndryshme për Shytin. Raporti i parë e konsideronte atë të përshtatshëm për vijimi e detyrës. Ndërkohë në raportin e dytë, Shyti akuzohej për korrupsion dhe cilësohej i papërshtatshëm
Sipas asaj që u lexua në seancë, Shyti ishte përfshirë në korrupsion në vitin 2015. Komisioni tha se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit kishte pasur një çështje të paregjistruar me emër në të cilën përmendej edhe emri i gjyqtarit, por se hetimet ishin pushuar.
Vetë Shyti kundërshtoi akuzën, ndërsa tha se ai kishte kryer detyrën me ndershmëri. Duke iu referuar vendimit të SPAK, Shyti tha se as ai as personat e tjerë të kallëzuar nuk ishin gjetur me probleme.
KPK nuk vuri ndërkohë në dukje veçanërisht probleme të profesionalizmit, ndërsa tha se gjetjet e KLGJ dhe të Komisionit ishin të njëjta. Megjithatë nga 20 denoncimet ndaj gjyqtarit, dy prej tyre ishin marrë parasysh dhe sipas KPK kishin të bënin me zvarritje të gjykimit tej afateve të parashikuara.
Shyti pranoi problemin, ndërsa tha se kishte ardhur edhe si pasojë e mbingarkesës.
Ndërkohë KPK tha se kishte kaluar barrë prove në lidhje me vendimin e Shytit gjatë kohës që ishte në Gjykatën Administrative të Durrësit në favor të një kompanie kundër Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Elbasan. Sipas Komisionit, vendimi i Shytit ishte rrëzuar në Apel, ndërsa KPK konstatoi se Shyti kishte marrë vendim edhe pse nuk kishte juridiksion mbi çështjen që nuk kishte ezauruar ankimet administrative para se të dërgohej në gjykatë.
Shyti i kundërshtoi këto gjetje. Ai pretendoi se çështja kishte qenë në juridiksionin e gjykatës dhe se kishte sjellë një sërë çështjesh të ngjashme.
KPK po ashtu vuri në dukje se Shyti dukej se ishte në konflikt interesi, pasi kishte shqyrtuar çështje me palë dhe palë të tretë shoqërinë nga e cila kishte blerë shtëpinë në Tiranë. Shyti pretendoi se nuk ishte në konflikt interesi, pasi kontrata me këtë shoqëri ishte përmbyllur plotësisht.