Autor: Hysen Likdisha, Sami Curri | BIRN
Punimet për ndërtimin e HEC-eve që furnizohen nga një grup liqenesh mes Valikardhës dhe Martaneshit, përfshirë Liqenin e Zi që është monument natyre, kanë krijuar një varg konfliktesh dhe procesesh gjyqësore mes kompanisë, autoriteteve dhe banorëve.
Në dhjetor 2018, bashkia e Bulqizës paditi kompaninë “Teodori 2003” me pretendimin se i detyrohej 34.5 milionë lekë qira të papaguar dhe kamatëvonesa. Sipas akt-padisë, kompania që ka prej vitit 2003 një kontratë koncesionare me qeverinë për të ndërtuar HEC-e duke shfrytëzuar ujin e disa liqeneve akullnajore, duhej t’i paguante bashkisë qira për shfrytëzimin e fondit pyjor, në bazë të kontratave të lidhura më herët me ish-Drejtorinë e Shërbimit Pyjor të Bulqizës.
Bashkia pretendon se qiraja nuk është paguar, ndërsa ka refuzuar të lidhë një kontratë të re me kompaninë për pjesë të tjera pylli, që kjo e fundit kërkon të shfrytëzojë. Në një përgjigje për BIRN, bashkia tha se kompania “Teodori 2003” kërkonte ekonomitë pyjore në Luçan dhe Batër dhe se punimet synonin të devijonin ujërat e liqenit të Sopeve.
“Zhvillimi i këtyre punimeve prek zonën e Martaneshit dhe për pasojë sjell një impakt negativ social në këtë krahinë,”tha Bashkia e Bulqizës, duke shtuar se nuk mund të kishte një kontratë të dytë pa paguar detyrimet e së parës.
Refuzimi i bashkisë nuk e pengoi kompaninë të vijonte punimet dhe të shpyllëzonte zonën ku pritet të kalojë tubacioni. Megjithatë, konflikti me bashkinë nuk është i vetmi për të.
Ndërtimi i Hec Tërnovës dhe punimet për devijimin e ujërave të Liqenit të Sopeve kanë sjellë prej vitit 2014 përplasje të ashpra me banorët e fshatrave që preken. Banorët e zonës së Valikardhës dhe Martaneshit kundërshtojnë punimet me argumentin se devijimi i ujit të liqeneve u shkatërron atyre ekosistemin, u cënon mundësitë për vaditje dhe madje edhe furnizimin me ujë të pijshëm.
BIRN mësoi gjithashtu se kompania ka dhe një mori problemesh me nënkontraktorë të saj të cilët pretendojnë se ajo u ka borxh qindra mijëra euro prej punimeve të papaguara.
“Kam punëtorë të papaguar dhe detyrime të prapambetura,” tha Ilir Balla, administrator i kompanisë AR=BA 06, i cili shtoi se ndërtuesi i HEC-it i detyrohet atij dhe një kompanie partnere rreth 900 mijë euro.
Teodori 2003 është një biznes shqiptaro-kanadez, me aksionerë Faik Teodorin dhe Shefikat Ngjelën me nga 35 për qind të aksioneve dhe kompaninë kanadeze Albania Hydro Investment Holding me 30 për qind. Kompania ka marrë me koncesion ndërtimin e HEC Tërnovës dhe atë të Zallit të Bulqizës me një investim prej 18.5 milionë eurosh. Kompania ka marrë një finacim nga BERZH me vlerë 6 milionë euro.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Teodori 2003, Erion Komino kundërshtoi pretendimet e bashkisë së Bulqizës, duke e quajtur sulmin e saj të qëllimshëm. Ai tha gjithashtu se kompania ishte në pritje të supervizimeve dhe matjes së volumeve të punës për nënkontraktorët.
“Shteti vendoset në shërbim të privatëve të tjerë, të konkurencës,” pretendoi Komino për BIRN.
Edhe njëri prej aksionerëve, Faik Teodori kundërshtoi akuzat dhe mohoi që kompania të kishte shkaktuar dëme në mjedis. Ai e quajti HEC-in e ndërtuar “një mrekulli”, ndërsa shtoi se banorët ishin shumë të kënaqur me të.
“Duhet të shkosh të pyesësh tani çfarë mendojnë për HEC-in”, tha Teodori. “Pyet ata që organizuan protestat,” shtoi ai.
Një fillim me konflikt
Kompania koncesionare në Bulqizë është vetëm një prej dhjetra të singjashmeve në konflikt me komunitetin dhe pushtetin vendor. Dhënia e qindra licensave për HEC-e të vogla, pa konsultim me banorët u shoqërua me konflikte dhe protesta të dhunshme anekënd vendit.
Dhjetra koncesione të tilla janë dhënë në zona të mbrojtura, përfshirë Luginën e Valbonës apo së fundmi Kanionin e Holtës. Ndërkohë plane për ndërtim HEC-esh ka edhe në Vjosë dhe në një mori përrejsh në të gjithë vendin, pavarësisht kundërshtimit të banorëve dhe ambientalistëve.
Në Bulqizë, banorët e intervistuar nga BIRN nuk ndajnë të njëjtin mendim me Faik Teodorin për efektet e HEC-eve. Miftar Jangulli, banor i Zerqanit tha në një bisedë telefonike se problemet me HEC-in nuk ishin zgjidhur dhe se ndërhyrjet në rrjetin e ujit të pijshëm për nevojat e kompanisë kishin krijuar problem edhe për këtë të fundit.
“Pasi i çon në burg, u pret krahët banorëve… pastaj nuk ka më probleme,” tha Jangulli.
Bashkë me 7 persona të tjerë, Jangulli u dënua nga Gjykata e Apelit në Tiranë me gjobë 100 mijë lekë për akuzën e shaktërrimit të pronës, pas disa protestash kundër kompanisë Teodori 2003 dhe projektit të saj për ndërtimin e “HEC Tërnovë” në vitin 2014.
Një studim i Bankwatch, një organizatë e cila monitoron investimet e financuara nga para publike, përfshi ato të kredituara prej Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) në vitin 2017, gjeti se projekti cënonte mjedisin dhe konfliktet me banorët ishin shkaktuar për shkak të mungesës së konsultimit. Sipas raportit të Bankwatch, protesta të dhunshme pati edhe në vitin 2015 dhe 2016.
Raporti thotë se protestat filluan pasi banorët nuk ishin konsultuar më parë dhe nuk kishin informacion se çfarë po ndodhte dhe ishin të frikësuar për humbjen e ujit për vaditje, ujit të pijshëm e tharjen e kullotave që shfrytëzonin për bagëtitë.
Sipas raportit, kompania e kishte marrë koncesionin në vitin 2003, kishte nënshkruar një kontratë të dytë me qeverinë shqiptare në vitin 2007, kishte marrë leje nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë [tani KKT] në vitin 2009 dhe lejen mjedisore në gusht 2013, pa kryer asnjë takim me banorët e zonës së prekur.
“Komuniteti mësoi për projektin e planifikuar vetëm kur kompania solli makineritë dhe filloi pastrimin e pyllit në vitin 2013,”, thuhet në raportin e titulluar ‘Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri’.
I pyetur nga BIRN për këto konkluzione, aksioneri Faik Teodori tha se të gjitha problemet ishin sheshuar, ndërsa shtoi se çështjet e ngritura nga Bankwatch për shpyllëzim masiv dhe rrezik nga erozioni nuk ekzistonin.
“Ne bëmë një digë të re që shërben për vaditje. Banorët e fushës së Valikardhës vadisin me ujin e HEC-it,” tha Teodori. Ai pretendoi gjithashtu se HEC-i nuk cënonte Liqenin e Zi si monument natyre, pasi ujin e merrte nga një digë e ndërtuar në vitin 1983, që kishte shërbyer për vaditje.
“Kemi pyllëzuar shumë herë më shumë se sa kemi prerë”, tha ai duke shtuar se bëhej fjalë për një investim miliona euro të BERZH, që kishte standarde të larta. Ai pretendoi se po te pyeteshin sot banorët që kishin protestuar, ata do të shpreheshin ndryshe.
Rasim Toska, një tjetër banor i dënuar nga gjykata pas protestës së vitit 2014 tha se vetëm një pakicë mund të ishte e kënaqur, të cilën ai e quajti “të blerë”.
“Ne jemi njerëz të vuajtur, e ndjejmë frikën dhe presionin,” tha Toska, duke shpjeguar se pas arrestimeve, banorët nuk kishin protestuar më.
Konflikti zbret në gjykatë
Përplasja me banorët nuk qe i vetmi problem i HEC Tërnovës. Një dokument i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN i vitit 2015 vëren se megjithëse prekte ujërat e dy ujëmbledhësve të mëdhej, kompania kishte marrë miratim vetëm prej Këshillit të Basenit Ujëmbledhës (KBU) të Drinit.
Mungesa e një miratimi nga KBU Mat duhej të krijonte pengesa për devijimin e ujërave nga liqeni i Sopës drejt Liqenit të Zi, por punimet në këtë pjesë të projektit kanë vijuar. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania vijoi të punonte në zonë, pavarësisht kundërshtimit të banorëve të Martaneshit që humbasin një prej burimeve kryesore të ujit dhe atë të bashkisë Bulqizë për të lidhur kontratë për shfrytëzimin e pyllit.
Shpyllëzimi i disa parcelave pyjore për t’u hapur rrugë makinerive dhe tubacioneve që do të marrin ujin nga liqeni i Sopës u bë shkak për një konflikt gjyqësor mes kompanisë, bashkisë së Bulqizës dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave (ISHMPU) Dibër.
Sipas një vendimi të Gjykatës Administrative të Tiranës të tetorit 2017, bashkia e Bulqizës i kërkoi Inspektoratit Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave të merrte masa për shpyllëzimin. Vendimi i gjykatës tregon se ISHMPU ushtroi kontrolle në parcelat e prekura prej kompanisë dhe konstatoi dëm në vlerën 102 milionë lekë.
ISHMPU Dibër dhe Bashkia Bulqizë si palë e tretë pretenduan se kompania Teodori 2003 kishte prerë dhe dëmtuar pyll për të cilin nuk kishte kontratë “për marrje në përdorim”. ISHMPU Dibër vendosi të gjobiste kompaninë me 100 mijë lekë gjobë për dëmin e vlerësuar në mbi 100 milionë. Kompania e ankimoi gjobën në ISHMPU qendrore dhe kërkoi anulimin e saj. Palët përfunduan në gjykatë, pasi Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave vendosi të linte në fuqi gjobën.
Gjykata Administrative në Tiranë i dha të drejtë kompanisë në një vendim të marrë në dhjetor 2018. Në vendimin e arsyetuar thuhet se megjithëse kompania nuk kishte marrëveshje shfrytëzimi me bashkinë Bulqizë për parcelat pyjore, marrëveshja koncesionare ia lejonte asaj të shfrytëzonte edhe atë pjesë të pyllit për të realizuar koncesionin.
“Këto argumente nuk zhvleftësojnë të drejtën e subjektit për të vijuar me përmbushjen e kontratës koncesionare dhe lejen mjedisore, në planimetrinë e së cilës përfshihet edhe ngastrat ku subjekti ka kryer gërmime dhe ka përdorur fondin pyjor,” thuhet në vendim.
Gjykata në fund pranoi pjesërisht padinë e kompanisë, duke rrëzuar gjobën modeste. Ajo po ashtu ngarkoi me shpenzime gjyqësore prej 273 mijë lekësh, gati tre herë më të larta se gjoba ISHMPU-në. Bashkia Bulqizë që ishte palë e tretë në këtë gjyq dhe ISHMPU i thanë BIRN se do të apelonin vendimin.
Pak ditë para se të shpallej ky vendim, Bashkia Bulqizë regjistroi një padi civile në gjykatën e Dibrës, në të cilën kërkon pagimin prej kompanisë të 34.5 milionë lekëve. Sipas bashkisë, kjo është vlera e kontratave të mëhershme që ishin lidhur me kompaninë dhe kamatëvonesat. Bekim Topi, jurist i bashkisë, i tha BIRN se kompania nuk kishte paguar asnjëherë që prej vitit 2012, kur ishin nënshkruar kontratat me Drejtorinë e Shërbimit Pyjor Bulqizë, që administronte në atë kohë pyllin.
Drejtori ekzekutiv i Teodori 2003, Komini i tha BIRN se pas bashkisë qëndronin interesa të të tjerëve dhe se do të përballeshin me të në gjyq.
Borxhet ndaj të tretëve
Përveç Bashkisë dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, kompania koncesionare në Bulqizë akuzohet edhe nga nënkontraktorët e saj. Ilir Balla, administrator i AR=BA 06 shpk i tha BIRN se mospagimi i detyrimeve prej Teodori 2003 e kishte vënë në vështirësi serioze kompaninë e tij, ndërsa ai vetë ishte në borxhe ndaj të tretëve, përfshi punëtorët.
Edhe administratori i kompanisë Euraldi shpk, Baudin Rama tha se kompania nuk paguante dot detyrimet ndaj të tretëve.
“Punimet që kemi kryer, i kemi të gjitha me libreza masash e supervizionesh të firmosura nga supervizori. Mospagesa na ka vënë në vështirësi të mëdha, pasi jemi detyruar të hyjmë borxh”, tha Rama. Ai thotë se ka paguar punëtorët duke marrë borxh në banka, por nuk mund të paguajë borxhet e tjera të mbledhura për shkak të problemeve.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Teodori 2003, Erion Komino pranoi për BIRN detyrimet ndaj të tretëve, por e konsideroi këtë një situatë normale. Ai tha se detyrimet e kompanisë do të shlyheshin pas supervizimit, që do të përcaktonte edhe koston e punimeve.
“Me dy kompani ne kemi një çështje që ka lidhje me saktësinë e volumeve të punëve të kryera. Janë aktivizuar të gjithë ato mekanizmat që lejon kontrata supervizioni, kontrollet e mundshme dhe në momentin që do bihet dakord me sasinë e volumeve, ata kontraktorë ose do paguhen ose nuk do të paguhen në varësi të sasisë që del,” tha Komino.
Persona të tjerë i thanë BIRN se kishin punuar pa kontratë për kompaninë dhe kishin hapur tunele e kanale uji dhe ishin të papaguar. Komino mohoi të kishte raste të tilla. Ai tha se kompania nuk mbante përgjegjësi për borxhet apo mospagimin prej nënkontraktorëve të personave që kishin punuar për ta.