Gjykata e Dibrës i ka komunikuar masën e sigurisë “Arrest me burg” Alfred Debreshit, i akuzuar si i përfshirë në vendosjen e eksplozivit në makinën e vëllait të tij, Elton Debreshit. Ky i fundit prej vitesh është në detyrën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe në zgjedhjet e 25 prillit ka kandiduar si i pavarur për deputet. Për Alfred Debreshin, janë ngritur tre akuza: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe “Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”. Paraditen e së martës gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë që ai të qëndroj në burg.
I kontaktuar me telefon nga Bulqizaime.al, Ismail Uka, avokati që mbronte të arrestuarin, tha se do të apelonte vendimin, pasi ndaj Debreshit kishte dyshime dhe prova të pamjaftueshme për ta lënë në burg. “Në vendimin e ditës së sotme, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin dhe lënien e Alfred Debreshit në arrest me burg pa afat. Kemi të bëjmë me dyshime dhe hetimet do të vazhdojnë.”, tha Uka.
I kontaktuar nga Bulqizaime.al, prokurori i çështjes, Urim Buci tha se në gjykatë janë paraqitur një sërë provash; përgjime telefonike, dëshmitë pas ngjarjes dhe prova të tjera që tregojnë lidhjen e Alfred Debreshit me vendosjen e eksplozivit në makinën e vëllait të tij.
Prej ditësh në media kanë rrjedhur përgjimet telefonike që implikojnë vëllain e Elton Debreshit në vendosjen e eksplozivit. Nga përgjimet e dala në media, një veprim i tillë është bërë në koordinim nga vëllezërit, me qëllim për të kërkuar azil politik në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Një sasi lënde plasëse shpërthyeu në orët e para të së premtes në makinën e Elton Debreshit. Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së tij, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.
Tritoli ndaj makinës së Debreshit u shoqërua me reagime të shumta në rrjetet sociale, nga organizata të shoqërisë civile dhe grupacione politike.
Xhelal Mziu, deputeti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit nga Partia Demokratike në qarkun e Dibrës, e akuzoi Debreshin si një mekanizëm të mozhorancës për të përçarë votën opozitare, ndërsa shpërthimin në makinë e konsideroi si një inskenim të dështuar për azil politik. “I pavaruri, Elton Debreshi ankohej për sulm politik për të përfituar azil politik në perëndim, por pavarësisht se kishte një prapavij të fuqishme nga e majta për të marrë votat e së djathtës, dështoi dhe në tentativen për azil politik! Arlind Qorri & rilindja, mbështetësit kryesor të tij nuk arritën as të marrin vota në qarkun Dibër, as ti sigurojnë strehim politik në vendet e BE, por i siguruan heqjen e lirisë.” Shkruan Mziu.